FFK- Superliga: “Katërshja e madhe” vlerësohen favorite për edicionin e ri 2021/2022

FFK- Superliga: “Katërshja e madhe” vlerësohen favorite për edicionin e ri 2021/2022

Prishtina, Gjilani, Drita e Ballkani janë skuadrat që pritet të kenë fjalën kryesore këtë edicion, por njohësit e futbollit vlerësojnë që s’duhet anashkaluar as skuadrat tjera, pasi ndonjëra syresh mund të jetë befasi e këndshme, shkruan Gazeta “Enigma”.

Klubet e Superligës së Kosovës do t’u kthehen fushave të blerta pas pushimit veror, e bashkë me kthimin e futbollistëve pritet edhe ai i tifozëve, por në masë të kufizuar. Disa klube kanë zhvilluar aktivitete konkurruese në rrafshin ndërkombëtar dhe kjo ka ndikuar që koha e përgatitjeve të harmonizohet krahas me rrjedhën e ndeshjeve që kanë zhvilluar. Ndërsa skuadrat tjera kanë qenë të fokusuara në përgatitjet verore para edicionit të ri, paralelisht me përforcimet që kanë sjellë nëpër skuadrat e tyre.

Skuadra e Prishtinës, e cila deri vonë ka zhvilluar gara ndërkombëtare, ka shfrytëzuar maksimalisht kohën për t’u përgatitur për edicionin e ri, duke pasur parasysh që në vazhdimësi ka qenë e fokusuar te ndeshjet para kualifikuese të “Champions League” dhe më pas “Conference League”.

Sipas Fisnik Kërçeli, drejtor sportiv i skuadrës kampione në fuqi, “FC Prishtina” ka filluar përgatitjet menjëherë pas përfundimit të kampionatit të kaluar, pas një pauze të shkurtë pushimi.

“Menjëherë kemi filluar me fazën përgatitore në Gjakovë, për t’u përgatitur për ndeshjet ndërkombëtare. Ato kanë shkuar mirë dhe për këtë kanë dëshmuar rezultatet e arritura në arenën ndërkombëtare. Për edicionin e ri jemi përgatitur maksimalisht dhe pretendimet tona janë që të bëhemi ekipi i parë që nga pranimit i futbollit kosovar në UEFA e FIFA për të mbrojtur titullin e kampionit”, ka thënë ai për Gazetën “Enigma”.

Kërçeli është shprehur optimist se ky edicion do të jetë shumë më interesant se ato të kaluara, pasi sipas tij, shumë skuadra janë forcuar dhe kampionati do të jetë shumë më sfidues.

Ndërsa, trajneri i SC Gjilani, Ismet Munishi, për Gazetën “Enigma”, ka thënë se ka realizuar në tërësi planifikimet e parapara përgatitore, ndërsa ka vlerësuar jashtëzakonisht potencialin e lojtarëve që Gjilani ka sjellë këtë edicion në radhët e saj.

“Me të vërtetë kemi bërë një afat kalimtar shumë të mirë, duke iu falënderuar presidentit Zuka dhe stafit të drejtorëve, të cilët kanë bërë një punë fantastike. Unë besoj që SC Gjilani, këtë vit, ka bërë merkaton më të mirë të mundshme, përkundër faktit që ka qenë një afat jashtëzakonisht i vështirë sepse të gjithë futbolistët kanë qenë të lidhur me kontrata me klubet e tyre. Por, ne kemi arritur të sjellim futbollistë mjaft cilësor në skuadrën tonë”, theksoi ai.

Sipas trajnerit të SC Gjilani, imperativ kryesor mbetet që skuadra të bëjë futboll shumë të mirë e ofansiv dhe të luftoj për titull, pasi sipas tij, SC Gjilani ka kualitet për një gjë të tillë.

Trajneri i FC Drita, Ardian Nuhiu, ka treguar se ka pasur një pauzë fare të shkurtë relaksimi për skuadrën, për t’u kthyer më pas me fazen përgatitore pas garave të kompeticionit ndërkombëtar.

“Më pas kemi aranzhuar disa ndeshje kontrolluese për të parë formën e lojtarëve që kanë pasur më pak minutazh inkuadrimi, si dhe atyre që janë bërë pjesë e FC Drita këtë afat kalimtar”, ka thënë ai.

Sipas Nuhiut, janë larguar nga skuadra disa futbollistë që kanë bartur mbi supe barrën e sukseseve në të kaluarën, por kanë ardhur disa futbollistë tjerë cilësorë.

“Futbollistët që janë larguar kanë qenë special për ne. Jemi munduar të sjellim futbollistë nga tregu vendor të cilët e njohin kampionatin, sikurse që edhe ne i njohim ata. Unë personalisht kam besim shumë që kemi sjellur futbollistë mjaftë cilësor, të cilët edhe në këto ndeshje që kishim në Europë treguan se kanë cilësi dhe kualitet. Mendoj që janë ambientuar shumë mirë me boshtin e ekipit të cilin e kemi ruajtur”, ka shtuar Nuhiu për Gazetën “Enigma”.

Ndërkaq, FC Ballkani është skuadra që ka zhvilluar një numër të madh ndeshjesh kontrolluese këtë fazë përgatitore.

Trajneri Bekim Isufi ka theksuar për Gazetën “Enigma”, se ka vlerësuar në tërësi periudhën përgatitore, duke shtuar se çdo gjë ka rrjedhë si është më së miri pasi nuk ka pasur as lëndime. Grupi sipas tij është mjaft i kënaqur dhe relaksuar dhe me padurim pret kampionatin e ri.

Kemi pasur dy largime nga viti i kaluar. Jemi munduar t’i kompensojmë dhe mendoj që e kemi arritur qëllimin. Jemi mirë me grupin të cilin e kemi dhe mendoj që jemi të gatshëm. E mira është që skeleti i ekipit ka qëndruar, kështu që edhe këto ofrime që janë bërë, janë në ndihmë të filozofisë që kanë pasur këta djemë”, potencoi Isufi.

Isufi më tej ka folur edhe për synimet e KF Ballkani, të cilat sipas tij janë ato standarde, siç kanë qenë edhe dy vitet e kaluara, “atje lartë”, pasi sipas tij, ka investime në klub, ka organizim dhe nuk duhet lejuar dicka më poshtë, kështu që synimet janë të qarta.

Përveq FC Prishtina, Sc Gjilani, FC Drita e FC Ballkani, padyshim se edhe skuadrat tjera të superligës janë përgatitur maksimalisht, përfshirë skuadrën e Llapit, e cila ka pasur madje disa ndeshje të karakterit ndërkombëtar, por, gjithsesi edhe skuadrat tradicionale të mesit të tabelës, Drenica e Ferronikeli.


Ndërsa tri skuadrat e inkuadruar këtë edicion në superligë, Malisheva, Ulpiana e Dukagjini, mund të jenë befasi e këndshme, pasi aspak nuk kanë qenë inferiore sa i përket përgatitjes dhe cilësisë që kanë sjellur nëpër skuadrat e tyre përkatëse. /Gazeta Enigma.

Related Articles