Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, njëherësh edhe nënkryetar i LDK-së, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mënyrën e menaxhimit të pandemisë, derisa ka dalur kategorikisht kundër një mbylljeje tjetër.
Haziri, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se nuk është koha masave muskulore, por vaksinimit masiv.
“Nuk është kohë e masave muskulore të kësaj Qeverie, por plani për vaksinim dhe imunizim kolektiv. Ne duam jetë dinamike e zhvillimore për të gjithë dhe imunizimi e garanton këtë. Nëse ju besoni në mbyllje e karantinë, atëherë jeni gabim. Rrast gabim!”, ka shkruar ai.
Reagimi i tij vjen pas lajmërimit nga Ministria e Shëndetësisë për masa të reja të parandalimit të transmetimit të koronavirusit.
Rikthimi i orës policore, reduktimi i kapaciteteve të punës së gastronomisë, shtyrja e vitit të ri shkollor dhe shtimi i punëtorëve shëndetësore dhe inspektorëve, janë disa nga masat që pritet të zyrtarizohen. Që dy ditë rresh, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia po zhvillon takime me përfaqësues të veprimtarive të ndryshme për këto masa.