Pas situatës së krijuar në veri të vendit pas implementimit të reciprocitetit të targave, një takim urgjent në Bruksel që pritet të shënoj vazhdimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Ky takim do të mbahet të mërkurën më 29 shtator, shkruan Gazeta “Enigma”.
Në tavolinën e diskutimeve, do të ulen Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, me Drejtorin e Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën, Petar Petkoviç, nën ndërmjetësimin e BE-së.
Përpos Bashkimit Evropian si ndërmjetësues nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë kanë konfirmuar se në diskutime do të marrë pjesë edhe zv.ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar.
“Ne jemi të kënaqur që Serbia dhe Kosova do të dërgojnë përfaqësues në Bruksel këtë javë për diskutime dhe inkurajojmë të dyja palët që të ri-angazhohen hapur, seriozisht dhe menjëherë. Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, do të udhëtojë në Bruksel këtë javë për të marrë pjesë në këto diskutime”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës së SHBA në Prishtinë.
Po ashtu në këtë përgjigje thuhet se “Shtetet e Bashkuara po punojnë me BE-në, NATO-n dhe Qeveritë e Kosovës dhe Serbisë në hapa të menjëhershëm për të përshkallëzuar situatën dhe për të shmangur veprimet që rrisin tensionet, rrezikojnë përparimin e ardhshëm nën dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe ndikojnë negativisht në jetën e përditshme. të qytetarëve”.
Por, nga BE-ja kanë thënë se Gabriel Escobar, nuk do të jetë pjesë e takimit, dhe se takimi është vetëm në mes të Kosovës, Serbisë dhe BE-së.
“Dialogu ka 3 pjesëmarrës (Kosovën, Serbinë dhe BE-në). Të gjithë të tjerët vetëm e mbështesin atë (dialogun) nga jashtë”, ka thënë Stano për Gazetën “Enigma”.
Java e dytë e bllokadës, çfarë po ndodhi në Veri?
Është java e dytë prej kur gjendja në veri të vendit mbetet e tensionuar.
Në njërën anë janë banorët serb të asaj zone që po vazhdojnë protestën, e në anën tjetër Njësia Speciale e Kosovës që po monitoron gjendjen.
Protestat e serbëve nisën, në orët e para të mëngjesit të së hënës së 20 shtatorit, kur Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës u nisën për në dy pikat kufitare në veri të Kosovës, përkatësisht më Jarinje e Bërnjak.
Kjo për shkak se iu kërkua të zbatojnë një vendim të urdhëruar nga Qeveria e Kosovës për të filluar zbatimin e masave të reciprocitetit në tabelat e automjeteve të cilat hynë nga Kosova në Serbi.
Ndërkohë pas gjendjes së tensionuar në këto zona, të hënën, edhe forca të KFOR-it u shtuan në këtë zonë për ta kontrolluar gjendjen.
Opozita kritikon qasjen e pa matur të Qeverisë në raport me gjendjen në veri
Deputeti nga radhët e PDK-së, Ferat Shala në një deklarim për Gazetën “Enigma”, ka thënë se gjendja në veri është krijuar si pasoj e veprimeve të pa matura të Qeverisë.
“Situata të tilla nuk guxojnë të lejohen e të bëhen në asnjë moment pa koordinim me ndërkombëtarët e veçanërisht pa ShBA-në. Rasti i fundit ka treguar qartë që ka qenë një veprim Ad-hoc e i pamenduar mirë, e pa koordinim me ShBA-në, përkundër që është shumë i ligjshëm, megjithatë edhe këto vendime duhet ti ndajmë me partnerët tanë”, ka thënë ai.
Sipas tij vendi ndodhet në këtë situat për shkak të mos koordinimit të ekzekutivit me partnerët ndërkombëtarë, sidomos me ShBA-në.
“Tashmë jemi në një situatë ku jemi para aktit të kryer, që kryeministri dhe ekipi i tij duhet të ulen e të negociojnë. Nga një situatë kur nuk ka negociata dhe akuzonte të gjithë partenrët e tjerë për shantazh, sot ai po bie në një pozicion jashtëzakonisht delikat që duhet të ulet të bisedoj për vendime ligjore, por të pa matura politike”, theksoi tutje ai.
“Kosova dhe Serbia ta vazhdojnë dialogun që të ulen tensionet”
Të mërkurën ka reaguar Komisioni i Parlamentit Evropian për Punë të Jashtme, organ ky i cili i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i ulin tensionet pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore të Kosovës.
“Ne jemi thellë të brengosur rreth tensioneve të fundit në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Serbia dhe Kosova duhet që urgjentisht që gjejnë një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme në mënyrë që të ketë siguri për të gjithë qytetarët”, thuhet në komunikatë.
“Ne duam të shohim tërheqjen e njësive speciale, çdo njësie ushtarake dhe çbllokim të rrugëve. Veprimet dhe provokimet e njëanshme dhe retorika nxitëse, të cilat rrisin tensionet dhe ndikojnë në mirëqenien e komunitetit lokal, duhet të ndalen”. Ata po ashtu u kanë bërë thirrje liderëve kosovarë dhe serbë dhe ta përdorin platformën e dialogut për të zgjidhur të gjitha çështjet./Gazeta Enigma.