Shtetasi gjerman Kevin Spanner është dënuar me tetë muaj burgim lidhur me aksidentin si pasojë e të cilit kishte humbur jetën tashmë i ndjeri V.V.
Aktgjykimi ndaj Spanner është shpallur të hënën nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, Sadri Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa, i dëmtuari Boban Vasiq për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.
Gjykatësi Krasniqi gjatë elaborimit të këtij vendimi ka deklaruar se nga provat përkatëse, gjykata ka vërtetuar se përgjegjësia e shkaktimit të këtij aksidenti me fatalitet është e ndarë ndërmjet të akuzuarit dhe të tashmë të ndjerit V.V.
Pas shpalljes së këtij vendimi nga gjykatësi në fjalë, mbrojtësi i të akuzuarit Spanner, avokati Kujtim Kërveshi ka kërkuar nga gjykata që ndaj të mbrojturit të tij masa e paraburgimit t’i zëvendësohet me një masë tjetër alternative, respektivisht me masën e dorëzanisë.
Lidhur me propozimin e avokatit Kërveshi, gjykatësi Krasniqi ka thënë se gjykata do të vendos jashtë seancës me aktvendim të veçantë.
Prokuroria Themelore në Gjilan më 6 shtator të këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj Kevin Spanner, me arsyetimin se më 25 korrik të këtij viti, në aksin rrugor nga pika kufitare “Dheu i Bardhë” në drejtim të fshatit Crep të Ranillugut, duke drejtuar veturën “BMW G4Z”, nga pakujdesia dhe në kundërshtim me nenin 68 të Ligjit për rregullat e trafikut rrugor, me të arritur tek kryqëzimi në rrugën në fshatin Korminjan fillon tejkalim të pasigurtë, duke kaluar shiritin e majtë në vijë të plotë dhe me pjesën e parë të anës së djathtë të veturës e godet mbrapa motoçikletën të cilën ishte duke e drejtuar tashmë i ndjeri V.V.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i ndjeri ka bërë kthim majtas të parakoshëm, pa e marrë harkun e paramenduar për në drejtim të fshatit Korminjan dhe si pasojë e kësaj, nga lëshimet e përmendura të të akuzuarit, përveç dëmeve materiale, në vend të ngajrjes ndërron jetë tani i ndjeri V.V.
Me këtë, Kevin Spanner akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet.