Kreu i FFK-së Agim Ademi ka folur për emrin e trajnerit të “Dardanëve” në Futboll, duke potencuar se ka shumë të interesuar për këtë pozitë, duke vënë në dukje njëherit profilin e preferuar të strategut të ardhshëm të “kampit Dardan”, shkruan Gazeta Enigma.
I pari i Federatës së Futbollit të Kosovës, në një bisedë për ‘Gazeta Enigma’, vuri në dukje se ka shumë emra të shquar të futbollit, të interesuar për të marrë drejtimin e udhëheqjes së ekipit, por nuk është lëshuar në emra konkret.
“Ka numër të konsiderueshëm të trajnerëve të interesuar, por ne do të vendosim pas vitit të ri për trajnerin e ri, saktësisht në muajin shkurt ose fillim të muajit mars”, tha ai.
Kreu i FFK-së “zbuloi” poashtu edhe profilin e mundshëm të trajnerit të ardhshëm të Kosovës, duke potencuar domosdoshmërinë e karakteristikave që duhet të posedoj ai.
“Ne poashtu do të mundohemi ta bëjmë zgjedhjen më të mirë të mundshme në kuadër të mundësive tona. Besoj se përveç emrave të njohur, neve na duhet një trajner punëtor, i cili e njeh edhe mentalitetin tonë”, shtoi ai.
Kombëtarja e Kosovës e ka mbyllur me barazim ciklin kualifikues për Botërorin “Katari 2022”. Dardanët, të dielën në…Posted by Federata e Futbollit e Kosovës – Football Federation of Kosova on E diel, 14 nëntor 2021
Kryetari i FFK-së më tej ka sqaruar lidhur me diskutimet e ndryshme të cilat po qarkullojnë ditëve të fundit, e që ndërlidhen me disa emra të mundshëm, si pasues të strategut pararendës, Bernard Chalandes.
“Ka shumë emra që janë përfolur dhe kanë shprehur interesim, disa vet e disa tjerë përmes të menaxherëve të tyre, por ende nuk kemi asgjë konkrete në këtë drejtim”, shtoi kreui FFK-së Ademi, duke iu referuar diskutimeve të brendshme të FFK-së për besimin e udhëheqjes së ekipit në vitet e ardhshme.
Në fund, i pari i FFK-së Agim Ademi, enkas për Gazeta Enigma potencoi me saktësi se përfoljet e ditëve të fundit për emra të përveçëm mbeten në suaza të përfoljeve, pasi sipas tij, ato nuk kanë relevancë kohore, dhe se emri i selektorit të ri do të bëhet i ditur gjatë muajve në vijim ndërkohë që po shqyrtohen opcione të ndryshme.
“Selektori i ri do të emërohet në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. Më saktësisht, do të jetë fundi i shkurtit ose fillimi i marsit kur Kosova do të ketë emrin e ri të selektorit”, tha i pari i FFK-së.
Gjatë ditëve të fundit, në mesin e emrave të ndryshëm të mundshëm, është lakuar edhe ai i trajnerit aktual, sllovenit Primozh Gliha, ndërsa është potencuar se stoli i të parit të Kombëtares së Kosovës mund t’i rezervohet legjendës së futbollit Holandez, Marco Van Basten, i cili as nuk u pohua e as nuk u mohua nga i pari i FFK-së. /Gazeta Enigma/