A zbarkoi realisht FSK-ja “sefte” në Veri – Krejt çka ndodhi dje?

A zbarkoi realisht FSK-ja “sefte” në Veri – Krejt çka ndodhi dje?

Shkuarja e Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të martën, e 29 korrikut, ka bërë bujë të madhe në opinionin publik. “Zhurma” nisi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe u vazhdua nga akterë të tjerë, shkruan Gazeta Enigma.

Deri te angazhimi i FSK-së në veri erdhi për shkak të kërkimeve për trupin e pajetë të mërgimtarit 33-vjeçar, i cili dyshohet se është hedhur nga ura në Liqenin e Ujmanit. Kërkimet kishin hyrë në ditën e tretë, dhe ishte e nevojshme ndihma e kapaciteteve të FSK-së për të intensifikuar operacionin.

Zhurma rreth këtij aksioni nisi nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e cila të martën publikoi një njoftim në rrjete sociale, ku informoi për shkuarjen e FSK-së në veri, për të ndihmuar në gjetjen e trupit të mërgimtarit. LVV e cilësoi këtë si “zbarkim të FSK-së në veri”, duke e paraqitur sikur kishte ndodhur për herë të parë.

FSK-ja ka vepruar edhe më herët në Veri

Por del se ky nuk është rasti i vetëm kur FSK-ja ka vepruar në veri.

Ish-komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, ka dhënë detaje për disa aksione të mëhershme në atë zonë.

“Është e vërtetë, mund të ketë qenë në vitin 2016 – njëherë në Ujman, njëherë në lumin Ibër, dhe një herë kemi shkuar me deminim bashkë me KFOR-in amerikan,” ka thënë Rama.

Po ashtu, më 15 korrik 2024, FSK-ja ishte angazhuar në Liqenin e Ujmanit me Njësinë e Kërkim-Shpëtimit, me dy kamionë dhe dy barka, në një incident ku u përfshinë katër të rinj serbë, dhe dy barka motorike ishin përplasur me njëra-tjetrën.

Në vitin 2016, FSK-ja mori pjesë në kërkimin e trupit të një shtetasi serb në lumin Ibër.

Ndërkaq në vitin 2019, mori pjesë në një intervenim për deminim në veri së bashku me KFOR-in.

Edhe në vitin 2015, njësia e Kërkim-Shpëtimit në ujëra e FSK-së ishte angazhuar për gjetjen e trupit të Sead Alushit, 17-vjeçar nga fshati Suhadoll i Mitrovicës, i cili ishte mbytur në lumin Ibër.

“Ekipi i Kërkim-Shpëtimit në ujëra i Regjimentit të Mbrojtjes Civile të FSK-së, pas 19 ditësh operacioni në lumin Ibër të Mitrovicës, dje rreth orës 13:00 e gjeti trupin e pajetë të Sead Alushit,” thuhej në komunikatën e atëhershme të FSK-së.

Akuza për manipulim me fotografi

Lëvizja Vetëvendosje po kritikohet se ka shfrytëzuar aksionin e FSK-së në veri për qëllime të fushatës politike, duke u përballur me akuza për manipulim me fotografitë e publikuara nga Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Gazetari Lirim Mehmetaj ka akuzuar partinë në pushtet për manipulim të rëndë, duke theksuar se në fotografinë e shpërndarë është hequr një automjet i KFOR-it, për t’ia lënë skenën ekskluzivisht FSK-së.

“Ka qenë një ndërhyrje e përbashkët me KFOR-in, por nga fotografia që ka shpërndarë Vetëvendosje është hequr automjeti i tyre, që të duket sikur operacioni është kryer vetëm nga FSK-ja,” ka theksuar  Mehmetaj.

Këtë e kanë demantuar nga LVV-ja.

Qartësimi nga KFOR-i

Pas polemikave të krijuara, KFOR-i publikoi një njoftim ku thekson se Komandanti i Misionit, Gjeneral Major Enrico Barduani, kishte autorizuar angazhimin e FSK-së në zonën e liqenit Ujman.

Sipas KFOR-it, autorizimi u dha në përputhje të plotë me mandatin dhe autoritetin e Komandantit të KFOR-it, për të maksimizuar përpjekjet për gjetjen e trupit të 33-vjeçarit të zhdukur.

“Përdorimi i ekipeve të Kërkim-Shpëtimit të FSK-së bie nën mandatin e FSK-së, i cili përfshin mbështetjen për komunitetet lokale në raste fatkeqësish natyrore,” thuhet në njoftim.

KFOR-i thekson se autorizimi ishte i kushtëzuar dhe se gjatë gjithë operacionit ishte e pranishme për të ofruar siguri. Po ashtu, theksohet bashkëpunimi i rregullt me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

“Nuk është lajm i ri” – Reagojnë analistët

Analisti politik, Avni Arifi, ka deklaruar për Gazetën “Enigma” se shkuarja e FSK-së në veri nuk është fare lajm i ri.

“I ka dhënë zor VV-ja me e publiku lajmin, thuajse FSK-ja ka shkuar në Hënë. Nuk është hiç lajm i ri që FSK-ja ka shkuar në veri. Ajo gjithmonë ka pasur të drejtë të shkojë atje me leje të KFOR-it. E vetmja gjë që është dashtë, ka qenë të tregojë qëllimin e shkuarjes, ndërsa KFOR-i e ka vlerësuar kërkesën,” tha Arifi.

Ai shtoi se FSK-ja do të shkojë edhe në të ardhmen, për aq kohë sa autorizimi vjen nga KFOR-i.

“Edhe urën në veri mund ta hapë Kurti, për aq kohë sa merr lejen e Komandantit të KFOR-it. Por si duket, po dështon ta bindë KFOR-in se hapja e urës i shërben integrimit. Dështim amatoresk,” përfundoi Arifi.

Edhe analisti Mazllum Bajraliu, është deklaruar për Gazetën “Enigma” në lidhje me shkuarjen e ekipeve emergjente të FSK-së, për të gjetur trupin e mërgimtarit në Liqenin e Ujmanit.

“Ajo është një situatë emergjente, rast për një jetë njeriu, ta kërkojnë një trup njeriu, i cili aksidentalisht ka humbur jetën atje, dhe ata nuk kanë shkuar atje për të rrezikuar apo frikësuardikënd, andaj mediat nuk duhet ta bëjnë të madhë këtë punë, pasi kjo është në favor të propagandës së Beogradit”, tha ai.

Tutje, Bajraliu i ka quajtur naive akuzat për manipulim të fotografive, duke pasqyruar kinse FSK-ja ka shkuar atje pa KFOR-in.

“Ajo është thjeshtë diçka shumë naive nëse po tentohet të pasqyrohet si diçka e tillë sepse nuk është ashtu. Kemi të bëjmë me një emergjencë, dhe këtë po e bëjnë Forcat e Sigurisë së Kosovës, dhe nuk duhet bërë e madhe kjo punë”, përfundoi ai./ Gazeta Enigma/

Related Articles