Aksionet e institucioneve në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë, kanë vendosur në pranga me qindra zyrtarë të cilët kishin kryer vepra të kundërligjshme të cilët ishin pjesë e institucioneve kosovare, shkruan Gazeta Enigma.
“Subvencioni 2021”, “Brezovica” dhe aksioni i fundit “Pika” i realizuar dje, janë tre aksionet më të mëdha kundër luftës së krimit dhe korrupsionit, në mesin e shumë të tjerëve që janë realizuar.
Për këto aksione të realizuara nga ana e IPK-së në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, analisti për çështje të sigurisë, Drizan Shala thotë se këto veprime ishin plane të përgatitura mirë.
Madje, ai thotë se këto veprime nuk duhet të ndërlidhen me ndryshimet qeveritare në vend.
“Edhe në të kaluaren ka patur arrestime dhe hetime brenda institutucioneve të sigurise . Kjo tregon që IPK-ja ka gjitha kapacitet e saja humane e teknike për të luftuar krimin dhe korrupcionin dhe nuk bënë të ndërlidhet asesi me ndryshimet qeveritare në vend”, tha Shala për Gazetën Enigma.
Aksioni “Pika”
Ky aksion u krye në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit, në kuadër të autorizimeve dhe fushëveprimeve të IPK-së.
Kështu bëri të ditur ditë më parë Inspektorati Policor i Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale.
“Operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar””, thuhej në njoftimin e IPK-së.
Nga ky operacion nën pranga u vunë 50 zyrtarë policorë, në mesin e të cilëve dy ishin komandantë në pikat kufitare “Qafë Prush” dhe “Qafë Morinë” si dhe dy zyrtarë doganorë.
Kurse, Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi tha se pas hetimeve që nisën në maj të vitit të kaluar, subjekt i hetimeve ishin 68 zyrtar policor, prej të cilëve 50 u arrestuan.
“Ju njoftojmë se pas një periudhe hetimore të gjatë diku rreth 1 vjeçare, që nga muaji maj kemi filluar me hetimin e këtij rasti së bashku me Inspektoratin. Me urdhër të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale kemi angazhuar dy prokuror një këtë çështje penale. Kemi përdorur shumë mjete të hetimit dhe vëzhgimit të fshehtë me qëllim që të krijojmë prova të mjaftueshme se është kryer një vepër penale si marrje ryshfeti në pikat doganore”, tha Lumezi.
Ai po ashtu shtoi se “Nga 68 gjithsej janë arrestuar 50 zyrtar shtetëror, 48 nga policia dhe 2 nga Shërbimi Doganor i Kosovës. Ndërsa personat e tjerë janë në arrati, e disa nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës”.
Lumezi tha se ky aksion është sukses i madh i institucioneve, duke shtuar “lufta kundër krimit dhe korrupsionit është në agjendën e vendit tonë në procesin e liberalizimit të vizave”.
Kurse, drejtori Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, u shpreh se siguria në pikat kufitare është në nivelin maksimal, dhe se policët e arrestuar janë zëvendësuar nga të tjerët.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale, duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej nga një muaji 25 zyrtarëve të arrestuar në operacionin e koduar me emrin “Pika”.
Rasti “Brezovica”
Ky aksion u realizuar në dhjetor të vitit 2021, ku rezultuan të arrestuar 10 persona e që në mesin e tyre ishte edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq. Për këtë të fundit, Prokuroria kishte njoftuar se ka dyshuar se ka përfituar 1 milion euro nga dhënia e lejeve për ndërtim të vilave në zanone e Brezovicës.
Nga ky aksion ishin bastisur 10 lokacione në regjionin e Ferizajt, Prishtinës dhe në Shtërpcë, ku janë sekuestruar para, armë, vetura si dhe disa dokumentacione, shkruan Telegrafi.
Pas arrestimit, Gjykata Themelore në Ferizaj u kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për dhjetë personat e arrestuar.
Pas aksionit të 21 dhjetorit, Policia vazhdoi aksionin “Brezovicës” më datën 6 janar.
Gjatë aksionit të 6 janarit, Policia kishte bastisur nëntë lokacione në tri komuna, në Ferizaj, Shtërpcë dhe Prishtinë dhe disa zyre në Ministrinë e Mjedisit.
Pas 22 personave që u arrestuan në dy aksionet e mëhershme, Policia vazhdoi aksionin edhe me datën 3 mars të këtij viti.
Siç njoftoi Prokuroria e Ferizaj, gjatë këtij aksioni ishin arrestuar 7 persona, dhe bastisur 12 lokacione.
Bastisjet ishin bërë në 12 lokacione të ndryshme në katër qytete të ndryshme, përkatësisht: Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan.
Në bazë të njoftimin të Prokurorisë thuhet se ishin arrestuar shtatë persona, tre prej tyre ish- zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër pronar të kompanive ndërtimore, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit.
“Subvencioni 2021”
Më 15 janar të vitit 2021, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte nisur veprimet e para hetimore të disa zyrtarëve të Agjencisë për Zhvillim Bujqësorë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, pas dyshimeve për dallavere me subvencione.
Ndërsa, më 24 dhe 25 shkurt 2021, Policia e Kosovës Drejtoria për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, realizoi bastisje në Ministrinë e Bujqësisë ku në kuadër të saj është Agjencioni i Pavarur për Zhvillim të Bujqësisë.
Bastisje pati edhe në Istog, Gjilan, Podujevë e Lipjan, ku në përfundim të operacionit në pranga përfunduan 21 persona nën dyshimin për keqpërdorime të fondeve dhe subvencioneve, si dhe u sekuestruan 400 mijë euro.
Një tjetër aksion në kuadër të “Subvencioni 2021” u realizua më 1 mars 2021, në rajonin e Pejës, ku u arrestua zyrtari i Drejtorisë së Bujqësisë në këtë komunë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, njofton opinionin se, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar personin me inicialet A.B., zyrtar administrativ në Drejtorinë e Bujqësisë në komunën e Pejës, pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 të KPRK-së.
Aksionet vazhduan, dhe më 12 mars 2021 policia kishte arrestuar edhe dy persona në fshatin Ponesh të Gjilanit, nën dyshimin se në bashkëveprim me njëri tjetrin kishin vendosë në aplikacion për subvencione parcelën e mbjellur me grurë pa dëshirën e viktimës mashkull kosovar, njëri nga të arrestuarit ishte zyrtar në Drejtorinë e Bujqësisë në Gjilan, kurse tjetri një fermer.
Aksioni kishte vazhduar përgjatë vitit 2021 edhe disa herë të tjera.
Më 30 qershor 2021, policia kishte zhvilluar aksion sërish në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.
Gjatë këtij aksioni ishin arrestuar edhe 21 persona të tjerë në mesin e tyre 14 zyrtarë.
“Të njëjtit dyshohen për marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim ndikimi, legalizim i përmbajtje së rreme, mashtrim me subvencione etj. Prokurori ka prova të mjaftueshme se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartëcekura dhe ndaj tyre do të paraqitet kërkesa për caktimin e paraburgimit”, pati deklaruar në një konferencë për media, prokurori Rafet Halimi.
Arrestimit edhe të 31 personave të tjerë për keqpërdorime me subvencione, i parapriu sërish një aksion i zhvilluar më 3 dhjetor 2021, në disa lokacione të ndryshme të Kosovës.
Prokuroria Speciale kishte njoftuar se nga ky aksion janë ndaluar dhe intervistuar gjithsejtë 31 persona, prej tyre 12 zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK.
Ndërkaq, aksioni ishte zhvilluar në komunat: Pejë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Prishtinë, Kllokot, Vushtrri dhe Podujevë. Përderisa, 19 persona ishin intervistuar në cilësinë e përfituesve të subvencioneve.
Deri më tani aktakuzë për rastin “Subvencionet 2021” është ngritur ndaj 21 personave, derisa kjo ngritje e aktakuzës ka ardhur pas zhvillimit të hetimeve për pak më shumë se një vit, ku prokurori Rafet Halimi më 22 shkurt 2022 ngriti aktakuzën ndaj 21 personave të cilët i ngarkon me veprat penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” “Marrja e ryshfetit” dhe ndihmë në “Marrje ryshfeti” “Mashtrim në detyrë”, “Dhënia e ryshfetit” “Mashtrim me subvencione” dhe “Falsifikim i dokumenteve”. /Gazeta Enigma/.