Brenda më pak se një muaji dy aksione u zhvilluan në qendrën e njohur të skijimit Brezovica, nën dyshimet se janë kryer ndërtime pa leje në këtë kompleks.
Mëngjesin e të enjtës u zhvillua aksioni i dytë i Policisë së Kosovës, në tri lokacione, Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë.
Nga ky aksion shtatë persona janë arrestuar, dy prej të cilëve janë zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planikifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Ata dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare – marrje ryshfeti dhe dhënie ryshfeti.
Bastisje janë zhvilluar edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Prokurori i çështjes, Rasim Maloku, kishte thënë se shumica e parave të ngrira janë të vetë të pandehurve,
“Nga të dhënat financiare që i kemi siguruar nga bankat që i posedojnë këta të pandehur dhe familjarët e tyre, deri tani kemi ngrirë afër 6 milionë euro. Shumica e këtyre mjeteve janë të vetë të pandehurve, kurse një pjesë e tyre janë të familjarëve të tyre që dyshohet se janë mjete të përfituara si dobi pasurore nga veprat penale”, kishte potencuar Maloku.
Ai paralajmëroi se aksione të ngjashme do të zhvillohen sërish.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Frizaj, Shukri Jashari kishte thënë se në kuadër të aksionit të nisur më datën 21 dhjetor 2021, të enjten në orët e hershme të mëngjesit janë bastisur nëntë lokacione në tri komuna, në Ferizaj, Shtërpcë dhe Prishtinë dhe disa zyre në Ministrinë e Mjedisit.
“Gjatë kësaj bastisje janë sekuestruar prova materiale të cilat do të shërbejnë për procedurën penale. Me vendim të prokurorit sot është ndaluar 48 orë Bedri Halimi kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit nën dyshimin e ka kryer veprën penale “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” gjithashtu është ndaluar edhe ish-sekretari i Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku nën dyshimin e ka kryer veprën penale “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “marrje ryshfeti””, ka thënë Jashari.
Ai shtoi se gjithashtu është ndaluar edhe një qytetar, respektivisht investitor i një lagjeje në Brezovicë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “ushtrim i ndikimit dhe marrje e ryshfetit”.
Ndërsa, Gjykata Themelore në Ferizaj vendosi masën e paraburgimit për tre persona, të dyshuar për përfshirje në të ashtuquajturin rasti “Brezovica”.
B.H. i dyshuar për shkak të veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së; dhe veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së.
A.Q. i dyshuar për shkak të veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së; dhe veprës penale marrja e ryshfetit nga neni 428 paragrafi 2 të KPRK-së.
I.A. i dyshuar për shkak të veprave penale dhënia e ryshfetit nga neni 429 paragrafi 3 të KPRK-së; dhe veprës penale ushtrimi i ndikimit nga neni 431 paragrafi 2 të KPRK-së.
Të dyshuarve u është caktuar masa e paraburgimit për një muaj.
Si nisi aksioni i dhjetorit për rastin Brezovica?
Në fund të dhjetorit të vitit 2021, Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Autoritetet dyshojnë se Nikolliq ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.
Nikolliq dhe të arrestuarit e tjerë dyshohet se kanë marrë vila, vetura dhe dhurata të tjera në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtimin e vilave dhe objekteve të tjera në Parkun Kombëtar “Sharri”, ku gjendet edhe Brezovica.
Autoritetet gjyqësore kanë thënë se shumica e ndërtesave në Brezovicë janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.
Sipas tyre, nëse vërtetohet se ato janë ndërtuar pa leje, të gjitha pronat, përfshirë edhe vilat, do të sekuestrohen përkohësisht.
Shtërpca është njëra prej gjashtë komunave me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër në Kosovë.
Në krye të saj, që nga themelimi në vitin 2009 e deri në fund të nëntorit 2021, ishte Nikolliq, nga radhët e Listës Serbe.
Ndërkohë, në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Ferizaj e ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për dhjetë personat e arrestuar më 21 dhjetor në rastin ‘Brezovica’. Në mesin e tyre është edhe Bratisllav Nikolliq, ish – kryetar i Komunës së Shtërpcës dhe zyrtar i Listës Serbe.
“Kërkesën e Prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër dhjetë të dyshuarve, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve i`u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç”, thuhet në njoftim.
Në kërkesën për vendosjen e masës së paraburgimit thuhet se ekziston dyshimi i arsyeshëm se Nikolliq, nga viti 2014 deri në tetor të vitit 2018 ka marrë para dhe dhurata në mënyrë të drejtpërdrejtë në këmbim të dhënies së lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, përkatësisht në zonën e dytë dhe të tretë në Brezovicë.
Prokuroria dyshon se Nikolliq ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, por edhe “ka pranuar dhurata me qëllim të ushtrimit të ndikimit të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë për dhënien e lejeve ndërtimore”.
Nikolliq dyshohet se ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë.
Policia sekuestron mbi 300 aparate vetëm të shtunën
Kriza energjetike që ka kapluar vendin ka bërë që ekzekutivi të nxjerrë vendim për ta ndaluar prodhimin e kriptovalutave në Kosovë.
Policia të shtunën zhvillori tri aksione në lokacione të ndryshme, në Leposaviq, në Prishtinë dhe në Vushtrri, ku sekuestroi mbi 300 pajisje për prodhimin e kriptovalutave në të gjithë vendin.
Aksioni i Policisë për ndalim e kriptovalutave në Leposaviq
Në fshatin Trebicë të Leposaviqit, u konfiskuan 272 pajisje për minim të kriptovalutave nga policia.
Pronari që prodhonte kriptovaluta për bursat botërore, pajisjet i kishte instaluar në ahur. Aksioni prodhoi arrestimin e një personi dhe përfundoi pa incidente.
Aksioni i Policisë në Prishtinë
Në Prishtinë në rrugën “Dëshmorët e Prapashticës” u konfiskuan 39 pajisje tjera për prodhimin e kriptovalutave.
Në kohën kur po kryhej kontrolli, 35 nga këto pajisje ishin duke punuar për të prodhuar kriptovaluta.
“Marrë parasysh procedurat ligjore lidhur me këtë rast janë njoftuar zyrtarët përgjegjës të Doganës së Kosovës dhe në koordinim me ta do të ndërmerren veprimet e mëtejme”, thuhet në komunikatën e PK-së.
Aksioni për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në Vushtrri
Sekuestrimi i aparateve dhe pajisjeve të dyshuara është bërë në fshatin Druar të Vushtrrisë.
Në kohën kur njësia policore ka ndaluar një veturë me targa vendore, gjatë kontrollit të detajuar brenda veturës janë gjetur dhe sekuestruar 6 aparate me 42 kartela dhe mjete të ndryshme të dyshuara që shërbejnë për prodhimin e kriptovalutave.
Lidhur me veprimet e ndërmarra dhe pajisjet e sekuestruara është njoftuar prokuroi i çështjes i cili ka sugjeruar që për veprime të mëtejme hetimore lidhur me rastin dhe pajisjet e sekuestruara të merren autoritetet doganore.
Në cilësi të të dyshuarit është intervistuar drejtuesi i veturës i cili pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Ndryshe, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deklaroi se nga aksion në Leposaviq ku janë konfiskuar 272 pajisje për prodhimin e kriptovalutave janë kursyer mbi 50 mijë euro.
“Mbi 50,000 euro në muaj para të taksapaguesve të kursyera vetëm nga ky aksion. Falënderoj të gjitha institucionet, e në veçanti Policinë e Kosovës, për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm”, shkroi Rizvanolli.
Ndryshime, me vendim të Qeverisë së Kosovës, prodhimi i kriptovalutave është ndaluar.
Institucionet e drejtësisë ‘në gjumë’, viti nis me vrasjen e një gruaje
Kosova vitin 2022 e filloi me vrasjen tragjike në Llaushë të Skenderajt, ku bashkëshorti qëlloi me armë zjarri gruan e tij 48 vjeçare.
51-vjeçari, S.Q, dyshohet se me 5 janar, me dashje ka vrarë me gjashtë plumba bashkëshorten e tij, L.Q
Pesë ditë para vrasjes, L.B (tashmë e ndjera), e kishte denoncuar dhunën fizike nga bashkëshorti i saj në Policinë e Kosovës.
Sipas dosjes së Prokurorisë, për caktimin e masës së paraburgimit, rezulton se viktima L.Q, më 1 janar 2022 në Stacionin Policor në Skenderaj kishte ushtruar kallëzim penal ndaj burrit të saj, për dhunë në familje.
Lidhur me këtë, të premten në Skenderaj u protestua kundër dhunës dhe vrasjes së grave, duke dënuar njëkohësisht edhe vrasjen e L.Q nga bashkëshorti.
Protestën e kanë mbështetur edhe Rrjeti i Grave të Kosovës, ku kanë kërkuar dënimin maksimal për doracin.
“Ky rast vetëm se na shpërfaq e na rikujton edhe njëherë mangësitë institucionale në trajtimin e duhur të vrasjeve të grave dhe femicidit. Edhe një grua vdiq në vendin në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, me zvarritje të dënimeve dhe me dënime të ulëta. Prandaj, RrGK kërkon hetim të këtij rasti deri në provën e fundit si dhe kërkon dënim maksimal ndaj të akuzuarit”, thuhej në reagimin e RrGk’së, një ditë pas ngjarjes tragjike.
Në anën tjetër, një ditë pas vrasjes së 48 vjeçarës, në muret e objektit të policisë dhe në hapësira të tjera publike në Skenderaj ishin shënuar grafitet në shenjë proteste për dhunën në familje.
Organizata Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist postoi grafitet duke thënë se “këto përveç që denoncojnë fajtorët, janë edhe thirrje për revoltë kundër patriarkalizmit të institucionalizuar, që nga familja e në polici e gjykata- që po ua merr jetën grave”.
Si erdhi deri te vrasja?
Sipas dosjes së Prokruroisë, në deklaratën që e kishte dhënë viktima më 1 janar 2022, thuhej se L.Q, me të pandehurin ishte e martuar nga viti 2001 dhe kishin tre fëmijë.
“Prej se jam martu kam probleme me burrë, dhunë fizike e psikike, shpesh tenton të më largojë nga shtëpia, ku edhe mbrëmë më kishte thënë “dil prej shtëpisë se je ka më tradhton”, kishte rrëfyer viktima para zyrtarëve policorë në Stacionin Policor në Skenderaj.
Viktima, po ashtu në polici kishte thënë se më 31 dhjetor derisa e njëjta kishte shikuar në telefon urimet nga familjarët e saj për rastin e Vitit të Ri, i pandehuri e kishte pyetur se “kush po të shkrun” dhe viktima ishte përgjigjur “kunata” dhe i pandehuri i kishte marrë telefonin duke e akuzuar se po shkruante me persona të tjerë.
Tutje viktima kishte deklaruar se i pandehuri e kishte rrahur me çka ka pasur në dorë.
“Shpesh më ka rrahë dhe më ka goditë me çka ka pas në dorë, krejt syrin e kam pasur të mavijosur në korrik të vitit 2021”, kishte deklaruar ajo.
Tutje viktima kishte thënë se rastin nuk e kishte lajmëruar në polici se dyshonte mos ka ndonjë sëmundje mendore.
“Rastin nuk e kam raportuar në polici se po dyshoj mos ka ndonjë sëmundje mendore e po i kalon në xhelozi”, kishte thënë viktima 48 vjeçare.
Po ashtu ajo kishte thënë se bashkëshorti i saj ishte i egër edhe me anëtarë të tjerë të familjes por ata i rrinin larg dhe kishin frikë nga ai.
Viktima kishte thënë në Polici në Skenderaj se është e pajtimit që mos të ndahet nga bashkëshorti i saj nëse ai nuk ushtron më dhunë ndaj saj. E po ashtu ajo kishte kërkuar edhe urdhërmbrojtje sepse nuk e din se ku do të shkonte nëse burri do e largonte nga shtëpia.
Ndryshe, gjatë vitit 2021 në Kosovë u vranë tri gra, në mesin e tyre është edhe vrasja e 18 vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmani që dyshohet se u rrahë për vdekje nga i fejuari për dy ditë me rradhë. /Gazeta Enigma/