Krejt çka ndodhi në protestën e së shtunës te selia e PD-së në Tiranë

Krejt çka ndodhi në protestën e së shtunës te selia e PD-së në Tiranë

Ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ditë më pare kishte paralajmruar një protestë e cila u organizua dhe u mbajt të shtunën e 8 janarit. Ndonëse filloj e qetë, nuk përfundoi e tillë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Arsyeja e kësaj proteste ishte, lirimi i selisë së PD-së nga Lulzim Basha, i cili kohë më parë përjashtoi nga partia Sali Berishën.

Të revoltuar, në numër të madh, mbështetësit e Berishës u panë para dyerve të selisë së Partisë Demokratike.

E gjithë situata filloi të acarohej kur njëri nga deputetët e PD-së, përkrahës i Bashës, nuk u lejua të futej në ambientet e selisë, ku Lulzim Basha po qëndronte me strukturat e tij.

Më pas, protesta u degjenerua në dhunë në momentin kur përkrahësit e Berishës tentuan që dhunshëm të futen në objektin e selisë së PD-së.

Nga protestuesit, me mjete të forta u thye dera e katit të pare nga hyrja qendrore, por nga anjën tjetër, përkrahësit e Bashës u kundërpërgjigjen me sprej dhe bomba gazi lotsjellës.

Pastaj me mjete të improvizuara para fillimit të protestës u tentua të thyhet edhe dera tjetër e selisë, ndërkohë që protestues me anë të shkallëve tentuan të futen nga dritaret e katit të dytë.

Duke mos mundur të futeshin protestuesit filluan të gjuajnë me mjete të forta në dritaret e katit të dytë dhe po ashtu edhe me bomba gazi lotsjellës nga të dyja palët.

Pas tensionimit të situatës në këtë masë ndërhyri policia e cila tha se kishte pranuar telefonata nga brenda PD-së dhe se aty po rrezikohej jeta e disa deputetëve, e cila largoi masën me anë të gazit lotsjellës.

Turma e drejtuar nga Berisha iu drejtua kryeministrisë, por që u pengua nga policia qysh ende pa arritur atje.

Berisha e drejtoi turmën protestuese sërish drejtë selisë së partisë, por që kësaj radhe u përballën me forcat e RENEA-s që nuk i lanë të hyjnë në ndërtesë.

Gjatë gjithë kësaj situate pati reagime të shumta e ndër to edhe ai i ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila kërkoi nga palët që të përmbahen nga aktet e dhunës.

Protesta përfundoi në orët e pasdites, por Sali Berisha tha se nuk do të ndalojnë deri në momentin kur të lirojnë selinë nga siç i quajti ai uzurpatoret e selisë së lirisë dhe largimin përfundimtar të Bashës nga selia.

Sali Berisha, ish kryeministër i Shqipërisë

Ndërkohë policia njoftoi se nga kjo protestë e dhunshme deri më tash në komisariat janë shoqëruar 20 persona, duke mohuar përfshirjen e tyre në përplasje me mbështetësit e Berishës.

“Sqarojmë opinionin publik se asnjë nga strukturat e Policisë së Shtetit të angazhuara për garantimin e rendit dhe sigurisë nuk është përfshirë në asnjë veprim dhe nuk ka hedhur asnjë send të kundërligjshëm në selinë e Partisë Demokratike, gjatë protestës që është duke u zhvilluar.

Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të garantuar rendin e sigurinë dhe u bën thirrje qytetarëve që të distancohen nga çdo akt dhune apo prishje e rendit dhe sigurisë, pasi do të përballen me forcën e ligjit”, kanë konfirmuar nga policia e Shqipërisë.

Ambasada britanike dhe BE dënojnë zhvillimet në Shqipëri: Çdo përplasje duhet të zgjidhet me dialog

Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë ka dënuar dhunën e ushtruar nga mbështetësit e Sali Berishës që thyen dyert duke u futur brenda partisë.

“MB është e shqetësuar nga përdorimi i forcës nga protestuesit në selinë e PD. I bëjmë thirrje të gjithëve të shmangin dhunën. Çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet përmes dialogut, proceseve politike & ligjore, në interes të popullit shqiptar, jo interesave të ngushta individuale”, thuhet në reagimin e ambasadës britanike në Tiranë.

Për protestat që po zhvillohen në Shqipëri ka reaguar edhe delegacioni i BE-së, të cilët kanë theksuar se nuk duhet të ketë vend për dhunë në politikë.

“Delegacioni i Bashkimit Evropian dënon aktet e dhunës që kanë ndodhur sot dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë të ushtrojnë qetësi dhe përmbajtje. Nuk duhet të ketë vend për dhunë në politikë. Të gjithë të përfshirët kanë përgjegjësinë të sigurojnë që demonstratat të zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe paqësore dhe të garantojnë sigurinë e të gjithë njerëzve të pranishëm”, thuhet në reagim.

Protesta pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, kurse njohësit e rrethanave politike atje parashikojnë se mund të ketë përshkallëzim të situatës./Gazeta “Enigma”/

Related Articles