Ambasadori amerikan në Serbi: ShBA-ja s’i ka miratuar veprimet e fundit të Kosovës në veri

Ambasadori amerikan në Serbi: ShBA-ja s’i ka miratuar veprimet e fundit të Kosovës në veri

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë për ngjarjet e fundit në veri të Kosovës se ShBA-ja e ka bërë absolutisht të qartë se e ardhmja e kësaj situate duhet të zgjidhet me dialog, duke mohuar se veprimet e Prishtinës janë miratuar dhe koordinuar me ShBA-në.

Në një intervistë për transmetuesin publik serb, duke iu përgjigjur deklaratës se shumë në Serbi besojnë se veprimet e fundit janë miratuar dhe koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hill thotë se ky është informacion krejtësisht i pasaktë.

“SHBA-ja e bëri shumë të qartë, absolutisht të qartë se e ardhmja e kësaj situate duhet të zgjidhet përmes dialogut, përmes asaj që po bën ambasadori Lajçak. Ne e mbështesim vazhdimisht. Dhe mendoj se kemi qenë gjithashtu mjaft të qartë se jemi të pakënaqur kur dikush devijon nga dialogu ose ndërmerr hapa të njëanshëm. Duhet të them se Serbia, e di që kjo ishte shumë e vështirë për Serbinë, por Serbia i qëndron mbrapa dialogut dhe mendoj se kjo është qasja e duhur. Do të duhet të shohim se si do ta kalojmë këtë. Por dua t’ju siguroj se është absolutisht qëndrimi ynë që dialogu i ka të gjitha elementet që mund t’i zgjidhin këto probleme dhe këto probleme duhet të zgjidhen me dialog”, tha Hill.

I pyetur nëse mund të ketë sanksione ndaj qeverisë së Kurtit, Hill thekson se ShBA-ja e ka thënë shumë qartë në disa raste ditëve dhe javëve të fundit se çfarë mendojnë se duhet bërë.

“Kemi qenë shumë të qartë për çështjen e urës në Mitrovicë. Ne jemi shumë të qartë edhe për nevojën absolute për formimin e Asociacionit të Komunave (me shumicë) Serbe. Pra, mendoj se kemi dërguar mesazhe shumë të qarta dhe kemi qenë gjithashtu shumë të qartë se ata që devijojnë nga dialogu rrezikojnë të devijojnë nga politika jonë. Ajo që mund të them është se Serbia ka punuar shumë për këtë. Serbia ka bërë mirë duke iu përmbajtur dialogut dhe unë vërtet do ta inkurajoja Serbinë që të vazhdojë me këtë”, tha ambasadori amerikan, Hill. 

Related Articles