Antidroga në Ferizaj përmes një plani taktik të koduar “QAFA 2” ka kryer bastistje në fshatin Sllakovc të Epërm në komunën e Gjilanit ku kanë arrestuar dy shtetas sllovakë dhe një kosovar, pronar i shtëpis, e të cilët ishin duke përpunuar substanca narkotike aty, shkruan Enigma.
Fillimisht, është realizuar bastisje në fshatin Sllakovc i Epërm në Gjilan, ku gjatë aksionit policor janë arrestuar dy persona të dyshuar, shtetas sllovakë me iniciale (N.H. dhe L.A.), të cilët ishin në cilësi të personave ekspertë, duke përpunuar substancat kimike narkotike dhe personi i tretë pronari i shtëpisë me iniciale (S.I.) shtetas kosovar.
“Të dyshuarit brenda shtëpisë në dy lokacione (dhoma) kanë improvizuar një laborator klandestin me pajisje për përpunim të substancave kimike, duke vendosur aparaturë dhe preparate të nevojshme kimike dhe ishin në proces të përpunimit të prodhimit të drogës sintetike, e dyshuar e llojit Methaphetamine.
Në vendngjarje vërehet substancë e lëngët prekusor (acid), sasia mbetet të konfirmohet, një pjesë e përpunuar në formë të ngurtë dhe një pjesë rreth 10 litra në proces ende e lëngët.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet relevante policore: Forenzika qendrore dhe e (DrP) Ferizajt, ekspertë të laboratorit të Forenzikës dhe Njësia e Trajtimit të Mjeteve Eksplozive.”
Më pas janë kryer bastisje edhe në 4 lokacione, përfshirë: një dhomë hoteli, një banesë dhe një shtëpi banimi në fshatin Prelez në Ferizaj, por nuk është gjetur diçka e dyshuar.
Të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.
Droga, pajisjet e laboratorit, mjetet ndihmëse dhe një veturë e llojit Shkoda janë sekuestruar si prova materiale.