Si herëve tjera edhe sivjet mërgimtarët që vijnë në Kosovë nga shtete të ndryshme të Evropës u kërcënuan dhe u penguan në mënyra të shumta nga autoritetet serbe gjatë kalimit të pikave kufitare të këtij shteti, shkruan Gazeta “Enigma”. Madje pati edhe arrestime
Edhe pse vazhdimisht po ndodhin këto pengesa mërgimtarët, në kërkim të rrugës më të shkurtër për të ardhur në Kosovë, po e përdorin shtetin serb, si tranzit.
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, në një intervistë për Gazetën “Enigma” tha se Serbia përmes këtyre ndalimeve dëshiron të largojë vëmendjen nga situata që është aktualisht atje me protesta dhe tensione, andaj mërgimtarët sipas tij duhet të kenë kujdes të shtuar dhe për sigurinë e tyre të përdorin alternativa tjera.
Tutje ai tha se “shumicën e herëve qytetarët e Kosovës ndalohen atje për shkak të etnisë, gjë që dërgon edhe sinjale të qarta se Serbia dëshiron me vazhduar tutje përshkallëzimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”.
Elezi tutje ka theksuar se institucionet e vendit tonë duhet të merren më seriozisht me këtë çështje, “duhet të dalin me ndalesa dhe jo vetëm thirrje ndaj qytetarëve që mos të kalojnë në atë zonë”.
Intervista e plotë:
Gazeta “Enigma”: Sa mund të ndikojë ndalimi i mërgimtarëve në Serbi në përshkallëzim të sigurisë në vend?
Bedri Elezi: Rastet e ndalimeve të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga ana e autoriteteve të sigurisë dhe Policisë në Serbi pa asnjë lloj baze, kryesisht vetëm për shkak të etnisë, pra se janë shqiptarë të Republikës së Kosovës janë provokime në mënyrë të drejtpërdrejtë, janë sinjale të qarta dhe janë veprime të cilat janë të njohura sa i përket Serbisë para se të ndërmarrë veprime jo sigurie.
Vet fakti se një qytetar privohet nga liria pa asnjë bazë juridike, duke i’a mohuar të gjitha të drejtat, edhe ato më themelore të drejtave të njeriut, atëherë kujtoj që janë në mënyrë të drejtpërdrejtë provokime të atraktuara dhe sinjale se Serbia dëshiron me vazhduar tutje drejt përshkallëzimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ju e dini që një ndër format të cilat të shkaktojnë përplasje në aspektin e sigurisë është ndalimi dhe keqtrajtimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës apo ndonjë vendi tjetër nga shtet fqinje para se të eskaloj marrëdhënia mund të themi me plot kuptimin e sigurisë.
Gazeta “Enigma”: Me cilat forma po manifestohet ndalimi i shqiptarëve të Kosovës në shtetin serb?
Bedri Elezi: Ne e kemi raste kur shumë qytetarë të Republikës së Kosovës janë plaçkitur brenda territorit të Serbisë, ku rastet më të ndjeshme janë kur i kanë thënë se grave për arin që kanë pasur në trup ju kanë kërkuar certifikata, ju kanë kërkuar fatura dhe dëshmi të tjera gjithmonë duke pasur parasysh se janë pasuri të cilat janë të trashëguara ndër breza.
Ky ari shpesh herë është plaçkitur në rrugët e Serbisë, më pas janë plaçkitur njerëzit duke i kërcënuar në lidhje me autoritetet që kanë pasur para luftës, ata të cilët për një moment nuk kanë reflektuar drejt sekserëve të cilët i kanë të angazhuar në të gjithë territorin e Serbisë, sidomos në pikat kufitare ku edhe plaçkitën qytetarët e Kosovës atëherë i kanë arrestuar, i kanë burgosur nën akuza të ndryshme që lidhen me luftën e fundit ose të aktiviteteve që kanë të bëjnë me çështjen e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve para luftës së vitit 1999.
Gazeta “Enigma”: Si duhet të veprojnë institucionet e Republikës së Kosovës në këto raste?
Bedri Elezi: Institucionet e Republikës së Kosovës kanë bërë thirrje që qytetarët e Republikës së Kosovës të kenë kujdes dhe mos të kalojnë në territorin e Serbisë, por kanë qenë kërkesa pa bërë veprime konkrete, p.sh duke vendosur raporte të caktuara në dispozicion përmes fletushkave, përmes emisioneve të caktuara në media me prova të caktuara dhe me numra apo shifra, me të dhëna të sakta se si janë privuar nga e drejta, si janë plaçkitur, janë keqtrajtuar apo janë keqpërdorur qytetarët e Kosovës në atë pjesë dhe duke konstatuar dhe sjell prova se Serbia mbetet një vend i rrezikshëm duke u nisur nga fakti se Serbia është territori më i rrezikshëm për shkak të aktiviteteve të trafikimit me qenie njerëzore që ndodhen atje.
Dhe e dyta se çdo zyrtar i Serbisë i cili merr veprime të kundërligjshme kundër Kosovës nuk vendoset në përgjegjësi por gradohet dhe nëse Qeveria e Kosovës, nëse institucionet tona pra do të ishin organizuar për të elaboruar me saktësi se pse dhe si po ndodhin këto raste madje duke pasur edhe vet protagoniste në programe të caktuara të cilat janë privuar nga këto të drejta dhe janë arrestuar në mënyrë të pafajshme besoj se do të kishte pasur një efekt.
Por jo vetëm që të dilet në raste të caktuara kur arrestohet një person dhe dilet ju kërkohet qytetarëve të Kosovës që mos t’a përdorin Serbinë si territor për të kaluar. Ndikimi duhet me qenë i njëjtë, mos me bë dallime. Të gjithë qytetarët janë të njëjtë pavarësisht pozitave apo marrëdhënieve që kanë me publikun, siç janë gazetarët, politikanët, këngëtarët, por kemi edhe qytetarët e tjerë të cilët janë të rëndësishëm, janë taksa pagues dhe kryejnë detyrat e tyre në funksione të ndryshme që shteti ka nevojë për të gjitha shtresat e njerëzve për të dhënë kontributin e vet.
Gazeta “Enigma”: Cilat veprime duhet t’i ndërmarrin institucionet tona për mbrojtjen e persona që përfundojnë në duart e autoriteteve serb?
Bedri Elezi: Institucionet tona urgjentisht duhet të ndërtojnë një zyrë avokatie falas e cila do të ketë mundësi që të dëmtuarve në raste të tilla pasi t’i përfundojnë procedurat në Serbi t’u ofrojnë një mundësi për të ngritur qoftë edhe një padi apo forma të ndryshme të kundërshtimit të zhvillimit që kanë ndodhur atje duke u nisur nga fakti i plaçkitjeve dhe formave tjera të cilat janë duke u zbatuar në vazhdimësi në Serbi.
Unë vazhdoj të kërkoj nga qytetarët e Republikës së Kosovës, mërgimtarët tanë të cilët tani do të kthehen në vendet e tyre të punës dhe vendet e tyre të banimit në shtetet e Bashkimit Evropian që pavarësisht faktit se rruga përmes Serbisë është më e shkurtër, por ajo gjithmonë del më e gjatë.
Andaj çdo shmangie pavarësisht faktit që është një sfidë më serioze për të përdorur rrugë të tjera siç është Italia, Mali i Zi dhe Kroacia, ne duhet të kemi parasysh edhe një kontribut kombëtar që japim duke u nisur edhe nga fakti se një numër i madh i qytetarëve të Kosovës kanë detyrim fillimisht me paguar autostradën e Serbisë që ne faktikisht me paratë tona ata të cilët kanë kryer masakra ndaj nesh ne po i ndërtojmë autostradat e tyre dhe njëkohësisht shpenzime të ndryshme qoftë përmes derës së dytë apo ndodhi ku ndodhin defekte në veturat tona dhe po i financojmë që ato t’i rregullojnë dhe gjithashtu kur qytetarët tanë kërkojnë shërbime jashtë çdo norme. / Gazeta Enigma.