Arrestohen 4 persona që dyshohen se janë pjesë e grupit kriminal të Demë Elshanit

Arrestohen 4 persona që dyshohen se janë pjesë e grupit kriminal të Demë Elshanit

Katër persona janë arrestuar në Prishtinë e Pejë, nën dyshimin se po planifikonin një vrasje në Kosovë, qysh vitin e shkuar. Të arrestuarit dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal që udhëhiqet nga Demë Elshani, një i arratisur tash e 22 vite nga Kosova.

Sipas njoftimit të policisë, grupi kriminal i cili u shkatërrua u kapën në flagrancë duke pranuar armën për kryerjen e një vrasje në Pejë.

Të arrestuar janë Qëndrim Elshani, Mentor Dreshaj, Leon Dreshaj dhe Adrian Gashi. Tre të parët janë dërguar në mbajtje, kurse i fundit u lirua në procedurë të rregullt.

Qëndrim Elshani është nipi i Demë Elshanit, i cili po konsiderohet si kreu i grupit kriminal arrestimi i të cilëve u njoftua sot, dhe që kërkohet nga autoritetet kosovare dhe ato ndërkombëtare qysh nga viti 2003 për një serë vrasjesh e tentim-vrasjesh në Pejë.

“Pejë, Prishtinë 2024/2025 , NN- Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit dyshohet se kanë planifikuar përgatitjen e vrasjes së viktimës. Të dyshuari janë zënë në flagrancë duke pranuar armët për kryerjen e veprës. Gjatë operacionit policor janë kontrolluar vendbanimet e të dyshuarave në katër lokacione të ndryshme ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dy armë, municion të kalibrave të ndryshme si dhe disa dëshmi tjera të rëndësishme. Me vendim të prokurorit pas intervistimit tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa njëri është liruar në procedurë të rregullt”, u tha në njoftimin e Policisë.

Demë Elshani nga Ozdrimi i Pejës, i kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar për disa vepra të rënda penale, u rikthye në vëmendje pak ditë më parë pasi u përfol për porositjen e një sulmi me granatë dorë ndaj pronës së familjes Dezdari në Pejë.

Related Articles