Mesazhe të qarta, e të fuqishme do të pres të hënën pala kosovare, nga vizita e të dërguarit të Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe nga përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, shkruan Gazeta “Enigma”.
Madje si ‘dhuratë’ e pakëndshme për Kosovën, në këtë takim do t’i shpalosen edhe disa projeksione për formimin e Asociacionin të Komunave serbe. Kështu ka lënë të nënkuptohet ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili gjatë një interviste për televizionin publik ka konfirmuar se modele për formimin e Asociacionit, i janë ofruar Qeverisë së Kosovës për shqyrtim.
Se për çfarë modele bëhet fjalë, nga shoqëria civile kanë thënë se nuk kanë informacione.
Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se pavarësisht projeksioneve që mund t’i jeni propozuar ekzekutivit kosovar, është i rëndësishëm qëndrimi amerikan se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.
“Unë besoj që ajo çfarë është me rëndësi në deklaratën e ambasadorit amerikan, është se ai vazhdimisht e ka theksuar se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, se askush nuk është i interesuar që në Kosovë të krijohet një Republikë e re Serbe, që integriteti dhe sistemi unitar kushtetues i Kosovës është i garantuar. Kjo është shumë me rëndësi për Qeverinë e Kosovës përderisa të vendosë ta shqyrtojë çështjen e Asociacionit”, ka thënë ajo.
“Kosova të mos bëjë kompromise”
“Kosova tashmë ka bërë shumë kompromise”, ka thënë për Gazetën “Enigma”, njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu. Ai ndër të tjera thotë se Kosova duhet ta shfrytëzoj interesimin e SHBA-ve për këtë proces, dhe të mos lejoj kushtëzime të mëtejshme nga ana e Serbisë.
“Kjo vizitë e binomit diplomatik euro-amerikan ka rendësi dhe peshë specifike, sepse vjen e realizohet në kohen e aktivizimit solid, për të mos thënë maksimal të diplomacisë dhe administratës amerikane në Ballkan”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo duhet përkthyer me një unifikim të politikës kosovare në raport me Serbinë. “Është çasti i duhur mbase i aktivizimit dhe mobilizimit maksimal e unifikues i spektrit tonë politik – me një qëndrim unik dhe patriotik në mbrojtje të sovranitetit dhe paprekshmërisë territoriale të Republikës”, theksoi ai.
Tutje ai ka shtuar se “Serbia është ajo e cila deri më tash i ka bërë obstruksione dhe kushtëzime dialogut, andaj Kosova duhet të mos lejoj që eventualisht asaj t’i mbetet faji për mos vazhdim të dialogut”.
Në anën tjetër, Dushan Radakoviq, drejtor ekzekutiv i Qendrës për përfaqësim të kulturës demokratike nga Mitrovica e Veriut, thotë që, sipas burimeve të tij nga Kosova dhe Serbia, modelet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe do t’u prezantohen autoriteteve në Kosovë dhe Serbi nga ana e të dërguarit të veçantë amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe nga përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë Serbi, Mirosllav Lajçak.
“Të dy ata (Escobar dhe Lajçak) do të paraqesin disa modalitete, të cilat do të jenë të pranueshme, si për institucionet amerikane, ashtu edhe për ato evropiane, pra, modeli i Asociacionit dhe më pas u mbetet të dyja palëve nëse do ta pranojnë ose jo”, ka thënë ai.
Pavarësisht interesimit të Gazetës “Enigma”, nga ekzekutivi nuk kanë dhënë detaje nëse projeksione të tilla i janë dorëzuar atyre.
Opozita: Asgjë jashtë kornizave kushtetuese, të mos pranohet nga Qeveria
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK), Ferat Shala, në një deklaratë për Gazetën “Enigma”, ka thënë se është e qartë që kjo vizitë do të vijë me një agjendë e mesazh të caktuar për palën kosovare. Mirëpo sipas tij, baza e gjithë marrëveshjeve të dy palëve duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës.
“Qeveria e Kosovës duhet të jetë e vetëdijshme që partnerët amerikan duhet t’i ketë gjithmonë afër, në çdo proces të dialogut. Duhet të jetë shumë e vetëdijshme që ardhja e Escobar, nuk vjen pa agjendë të caktuar dhe ne shpresojmë në harmonizim të plotë të agjendës qeveritare dhe të SHBA-së në mënyrë që procesi i dialogut të jetë konstruktiv”, është shprehur Shala.
“Por gjithmonë Qeveria duhet ta dijë që Kushtetuta është bazament i gjithçkaje në Kosovë dhe jashtë këtyre kornizave, gjithçka tjetër është e pa pranueshme”, ka theksuar ai.
Ndërkaq, nga 31 janari deri më 2 shkurt, Escobar dhe Lajçak do të takohen me lidershipin politik në Kosovë, liderë të partive politike si dhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.
Siç është thënë qëllimi kryesor i vizitës është diskutimi i hapave të ardhshëm në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga ShBA.
Dyshja “Escobar-Lajçak”, pas Kosovës do ta vizitojnë edhe Serbinë./Gazeta Enigma.