Ndërtimi i Autostradës Prishtinë – Gjilan ka qenë një temë e diskutuar dhe premtuar nga partitë politike në Kosovë për vite me radhë. Megjithatë, përkundër premtimeve të shumta, projekti ende nuk është përfunduar, shkruan Gazeta “Enigma”.
Premtimet dhe realiteti i autostradës së Gjilanit
Në dhjetor të vitit 2017, u nënshkrua kontrata për ndërtimin e Autostradës së Gjilanit, me pritshmëri që segmenti prej 22 kilometrash nga Lipjani deri në Bresalc të përfundonte pas dy vitesh.
Në korrik të vitit 2023, kryeministri Albin Kurti deklaroi se autostrada do të hapet brenda atij viti, duke theksuar se mbi 70% e punimeve kishin përfunduar, por një gjë e till nuk ak ndodhur ende.
Në janar të vitit 2025, gjatë një tubimi në Gjilan, kryeministri Kurti pranoi se projekti kishte hasur në probleme si rrëshqitjet e dheut dhe mungesën e studimeve të duhura, duke theksuar se autostrada do të përfundojë, por pa dhënë një afat të saktë.
Megjithëse fillimisht ishte premtuar përfundimi deri në fund të vitit 2023, ky afat nuk u arrit. Në janar të vitit 2025, nuk është dhënë një afat i ri specifik për përfundimin e plotë të autostradës.
Premtimet e përsëritura për përfundimin e Autostradës Prishtinë- Gjilan kanë ngritur shqetësime nëse ato janë të realizueshme apo thjesht taktika për të fituar mbështetje elektorale. Vonesat e vazhdueshme dhe mungesa e transparencës në lidhje me arsyet e këtyre vonesave kanë ndikuar në besimin e publikut ndaj premtimeve të partive politike.
Drejtori i ubranizmit në Gjilan, Ali Arifi, thekson problemet që e kanë karakterizuar këtë projekt, që nga fillimi.
“Nuk dihet saktë se edhe sa kohë duhet që të përfundoj autostrada pasi nuk i kanë bërë matjet e duhura gjeomekanike kur e kanë projektuar tani dalin probleme të kësaj natyre”, tha Arifi për “Enigmën”.
Tutje ai shton se “Matjet nuk i ka bërë Qeveria e kaluar kur ka nisur projekti. Projekti është bërë jo konform rrethanave dhe kushteve , kundër rregullave pa matje paraprake, ose me matje jo të sakta. Kjo është arsyeja kryesore për vonesa, ka edhe arsye tjera sigurishtë por që nuk janë të konstatuara deri më tani”, tha ai.
Premtimet elektorale të të gjitha partive politike në lidhje me autostradën e Gjilanit
Në një takim të zhvilluar në Gjilan kandidati për kryeministër i LVV-së Albin Kurti prezantoi disa nga prioritetet dhe projektet e tij për zhvillimin e rajonit të Gjilanit dhe përmirësimin e infrastrukturës në të gjithë vendin.
Kurti theksoi se do të realizohen investime të mëdha për të forcuar sektorët kyçë, duke përfshirë mbi 1 miliard euro investime në ushtri dhe 1 miliard euro investime kapitale çdo vit.
Një nga projektet më të rëndësishme që ai theksoi është ndërtimi i autostradës së Gjilanit deri në Dheu i Bardhë, si dhe renovimi i stadiumit të Gjilanit.
Kurti tha se do të krijojë një grup pune ekskluziv për mbikëqyrjen e këtyre dy projekteve, për t’u siguruar se ato do të përfundojnë sa më shpejt dhe me standarde të larta.
Bedri Hamza nga Gjilani: Autostradën Prishtinë – Gjilan -Dheu i Bardhë do ta përfundojmë
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka mbajtur një tubim masiv me qytetarët e Gjilanit.
Hamza ka thënë se ky qytet me plot potencial, i cili është lënë në pritje të investimeve që disa vjet, ka vendosur për Kosovën që mundet ma mirë.
Ai ka thënë se më 9 shkurt, përfundon pritja edhe këtu.
Hamza ka thënë se autostradën Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë do ta përfundojë, po ashtu edhe stadiumin e qytetit.
“Ky qytet me plot potencial, i cili është lënë në pritje të investimeve që disa vjet, ka vendosur për Kosovën që mundet ma mirë. Më 9 shkurt, përfundon pritja edhe këtu! Autostradën Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë do ta përfundojmë. Stadiumin e qytetit, i cili ka mbetur punishte e hapur për shumë gjatë, do ta ndërtojmë. Edhe kampusin universitar “Kadri Zeka” do ta rregullojmë! Anamorava ka nevojë për punë dhe investime konkrete”, tha ai.
Limaj: Autostrada e Gjilanit është projekt strategjik për lidhjen e shqiptarëve dhe ne do ta përfundojmë
Kryetari i partisë Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se në Anamoravë për katër vite nuk kishte “asnjë projekt, asnjë punë, vetëm shpifje dhe mashtrime”.
Prandaj, Limaj pohon se “ekipa e Anamoravës që është në listën tonë është më e mira, kjo ekip ka veçVEPRA, dhe Kosova ka nevojë për personalitete të tilla”.
Ai tha se “Gjilani do të fillojë ndryshimin për Kosovën fituese”.
Gjithashtu zotohet se do të përfunojë punimet e autostradës së Gjilanit.
“Autostrada e Gjilanit nuk është vetëm për Gjilanin, por është projekt strategjik për lidhjen e shqiptarëve, dhe ne do ta përfundojmë”, shprehet Limaj.
Kujtojmë se një pjesë e konsiderueshme e autostradës është ndërtuar, përfundimi i saj i plotë ende mbetet i pasigurt. Qytetarët e Gjilanit dhe rajonit të Anamoravës vazhdojnë të presin realizimin e këtij projekti jetik për infrastrukturën dhe zhvillimin e zonës. /Gazeta Enigma/