Ka kaluar një javë që kur Kosova ka ndaluar importin e shpezëve nga Shqipëria, shkruan Gazeta Enigma.
E gjithë kjo ka ndodhur menjëherë pas paraqitjes së rasteve të para të gripit të shpezëve në Durrës, megjithatë vlen të theksohet se në vendin tonë deri tani nuk është konfirmuar asnjë rast i këtij gripi.
Në një përgjigje për Gazetën Enigma këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi.
“Bazuar në raportin e OIE është lajmëruar prezenca e Sëmundjes Gripi i Shpezëve tipi H5N8 në Shqipëri zona e Durrësit”, ka deklaruar Thaçi.
Tutje ai ka shtuar se “sot me datën 21.03.2022 është bërë ndalesa e importit nga shteti i Shqipërisë për regjionin e Durrësit kafshëve të gjalla (shpezëve), kjo bazuar në ligjin e veterinarisë dhe rregulloren për luftimin e kësaj sëmundje, si masë parandaluese”.
Thaçi ka theksuar se janë në kontakte me autoritetet përkatëse lidhur me përhapjen e kësaj sëmundje.
“Po ashtu jemi ne kontakte me autoritetin shqiptarë për informata në vazhdimësi lidhur me përhapjen e sëmundjes. Deri me tani njoftimi është në fuqi vetëm për ndalesë në një zonë të prekur të Shqipërisë”, ka thënë Thaçi për Enigmën.
Sipas tij e gjithë kjo është duke u monitoruar AUV, ku për çdo rast edhe do të veprohet sipas ligjit.
“Drejtoria e Shëndetit dhe Mirëqenies se Kafshëve AUV është duke monitoruar situatën në rajon dhe vend, varësisht nga lajmërimet qe bëhen në OIE, veprohet sipas ligjit”, pohoi ai.
Thaçi tutje ka theksuar se tani më ka kontroll veterinar të shtuar në pikat kufitare.
“Ka pasur sasi të vogla importi të shpezëve dhe produkte nga shpezët, tani është ngritur vigjilenca në nivelet më të larta në kontroll kufitarë veterinar”, ka thënë ai.
Thaçi ka theksuar se “secila ngarkesë qe mund të vije do ti nënshtrohet kontrollit të detajuar. Jemi në kontakte të vazhdueshme me autoritetet shqiptare, si shtete vëllazërore dhe verifikimi për gjithçka bëhet mes dy autoriteteve, sipas praktikave të kontrollit ndërkufitar”.
“Aktualisht nuk kemi ndonjë rast të lajmëruar në vendin tonë”, ka përfunduar Tha, ka përfunduar Thaçi për Enigmën.
Mbi 300 mijë shpendë të ngordhur në të gjithë Shqipërinë
Ministria e Bujqësisë e Shqipërisë tha se 338,426 shpendë kanë ngordhur deri sot në vendin tonë nga gripi i shpendëve, pjesa dërrmuese e tyre pula.
Në një njoftim për shtyp, zëvendësministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeci, u shpreh se procesi i groposjes së shpendëve të ngordhura vijon me ritme të shpejta.
“Ka nisur asgjësimi i 120 mijë shpendëve që ndodhen në të njëjtat kapanone. Është siguruar baza materiale mbrojtëse për veterinerët dhe vijon monitorimi në të gjithë Shqipërinë. Fermat që konstatojnë shpendë të ngordhur duhet të futen në karantinë dhe të njoftojnë Ministrinë e Bujqësisë”, ka deklaruar Gjeci .
Sipas saj ky lloj virusi nuk mund të shmanget, pasi është i stinës.
“Transmetohet nga shpendët e egër kështu që nuk e shmangim dot. Fokusi ynë është të shpëtojmë tufën e shpendëve nëpër stabilimente”, ka thënë ajo.
Gjeci shtoi se sëmundja nuk transmetohet përmes ushqimeve te konsumatorët. Megjithatë, ajo shtoi se “është tërhequr nga tregu e gjithë partia e vezëve për të dhënë garanci 100%. Konsumatori mund të kontaktojë me AKU për çdo shqetësim që ka, për çdo lloj produkti”./Gazeta Enigma/