Të hënën më 31 korrik, Dhomat e Specializuara me seli në Hagë njoftuan se në Tiranë është arrestuar ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj, shkruan Gazeta Enigma.
Sipas këtij njoftimi, Goxhaj u arrestua në bazë të një fletarrestimi për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë, që përfshijnë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave.
Dhomat e Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale, thanë se arrestimi u krye në bashkëpunim me autoritetet shqiptare. Ai do të mbahet i paraburgosur në Shqipëri në pritje të vendimit të autoriteteve shqiptare për transferimin e tij në qendrën e paraburgimit të Speciales në Hagë.
Duhet të theksuar se Gjykata Speciale për herë të parë kryen një arrestim në territorin e Shqipërisë.
Prokuroria e Tiranës ka bërë të ditur se Goxhaj është arrestuar në bazë të letërporosisë për dhënien e ndihmës juridike të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“Më 31 korrik 2023, autoritetet e Shqipërisë arrestuan z. Dritan Goxhaj në Tiranë. DHSK-ja kërkoi bashkëpunimin dhe ndihmën e autoriteteve shqiptare për arrestimin e z. Goxhaj dhe dorëzimin e tij në DHSK, mbi bazën e fletarrestimit të lëshuar nga një gjykatës i DHSK-së në lidhje me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare. Z. Goxhaj do të mbahet i paraburgosur në Shqipëri në pritje të vendimit të autoriteteve shqiptare lidhur me transferimin e z. Goxhaj në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara për Gazetën Enigma, duke cekur se momentalisht nuk munden me dhanë detaje të tjera.
Gazeta Enigma ka biseduar me Artan Qerkinin, avokat i akredituar nga Gjykata Speciale. Ai thotë se Dhomat e Specializuara nuk kanë mandat ligjor për një person i cili nuk është shtetas i Kosovës.
Ai thotë e gjitha kjo mbështetet në nenin 108 të Kodit Penal të Kosovës.
“Unë mendoj fillimisht se në aspekt ligjor, Dhomat e Specializuara nuk kanë mandat ta gjykojnë një person i cili nuk është i Kosovës dhe për të cilin pretendohet se veprën e ka kryer jashtë territorit të Republikës së Kosovës e gjithë kjo mbështetet në nenin 108 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me e interpretu është jashtëzakonisht gjatë, mirëpo ky është mendimi i im”, thotë avokati Qerkini për Gazetën Enigma.
Sipas Qerkinit një situatë të tillë sikurse të ish ushtarit të UÇK-së Dritan Goxhaj është e vështirë të gjendet. Ai thotë se nuk ka as ndonjë rast të ngjashëm nga ndonjë tribunal ndërkombëtarë që të merret praktika e tyre.
“Unë deri tani nuk kam informacione, këto informacione i marri nga mediat, informacion zyrtar nuk kam sepse nuk jam avokat i tij. Mirëpo, për mendimin tim, këtu është çështja ligjore, kjo është një situatë që nuk mund ta gjeni askund në botë. As nuk mundeni ta merrni praktikën e ndonjë tribunal ndërkombëtarë sepse kjo është gjykatë e Kosovës që funksionon jashtë territorit të Kosovës që e kërkon një shtetas të shtetit të tretë për veprën penale që potencialisht është kryer në shtetin e tretë”, thotë ai për Enigmën.
Avokati Artan Qerkini thotë se Dritan Goxhaj ka të drejt që të mos ekstradohet në Hagë, pasi sipas tij ekstradimi nuk mund të jetë i ligjshëm nëse nuk mundet me u denu ai person sipas kodit penal të Kosovës.
“Dritan Goxhaj ka të drejt të kërkoj që mos të ekstradohet në Hagë, pasi nuk besoj që një ekstradim mund të jetë i ligjshëm nëse nuk mundet me u denu personi në bazë kodit penal të Kosovës, në veprat penale të administrimit të drejtësisë zbatohet kodi penal i Kosovës. Kodi penal i Kosovës përcakton për veprat penale të kryera jashtë Kosovës mund të dënohen vetëm personat të cilët kryen vepra penale të parashikuara në nenin 108, paragrafi 2 i kodit penal, e në nenin 108, paragrafi 2 të kodit penal nuk e gjeni kapitullin e veprave penale nga administrimi i drejtësisë. Në rastin konkret kemi të bëjmë më shtetas të huaj i cili pretendohet se vepren penale e ka kry jashtë territorit të Kosovës”, potencon Artan Qerkini për Gazetën Enigma.
Sipas burimeve të “Radio Evropa e Lirë” është arrestuar nën dyshimet se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve në disa çështje penale që janë ngritur pas luftës në Kosovë.
Prokuroria e Tiranës ka njoftuar se në kërkesën e Gjykatës Speciale është autorizuar kontrolli i banesës së Goxhajt dhe sekuestrimi i materialeve gjatë kontrollit.
Goxhaj ka qenë shoqërues i trupave amerikane gjatë luftës në Kosovë më 1998-99. Ai i ishte bashkuar UÇK-së si oficer i Ushtrisë shqiptare dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontante me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.
Ai është djali i ushtarakut Dilaver Goxhaj, i cili iu bashkua vullnetarisht UÇK-së, pas kërkesës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kur iu besua detyra e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe, me angazhimin e NATO-s në luftë, iu besua detyra e oficerit të bashkëveprimit me NATO-n.
Më 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, e cila funksionon me ligje të Kosovës, por në territorin e Holandës. Në këtë institucion punojnë prokurorë dhe gjykatës të huaj.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Aktualisht, pranë Dhomave të Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. /GAZETA ENIGMA/