Në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në një intervistë për Gazetën Enigma, deputeti i PDK-së Hisen Berisha flet për marrëdhëniet e ‘ftohta’ të Kosovës me Shqipërinë dhe arsyjet që kanë quar deri në largimin politik të dy shteteve .
Ai thekson se mungesa e mbledhjeve të përbashkëta të qeverive dhe dallimet në qëndrimet për iniciativat rajonale si Open Balkan dhe Schengen-i ballkanik kanë përkeqësuar marrëdhëniet.
Berisha kritikon Shqipërinë për një sjellje “patronizuese” ndaj Kosovës dhe përpjekje për të imponuar udhëheqje rajonale, gjë që sipas tij ka shkaktuar tensione.
Deputeti gjithashtu vlerëson se diplomacia shqiptare nuk ka mbështetur plotësisht ambiciet e Kosovës për pavarësi dhe identitet ndërkombëtar, duke krijuar pasiguri në përfaqësimin e interesave kombëtare.
Gazeta Enigma: Si i vlerësoni ju raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë? Cilat janë arsyet kryesore sipas jush që janë të “ftohta”?
Berisha: Raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë perceptuar si “të ftohta” për disa arsye. Mungesa e mbajtjes së rregullt të mbledhjeve të përbashkëta të qeverive, që dikur ishin një sinjal i bashkëpunimit të ngushtë, ka treguar një mungesë të qasjes serioze për koordinim. Konfliktet e hapura mbi iniciativat rajonale, si Schengen-i ballkanik apo Open Balkan, kanë ndikuar gjithashtu në thellimin e mosmarrëveshjeve, pasi dy qeveritë kanë qëndrime të ndryshme në lidhje me përfitimet dhe rreziqet e këtyre projekteve. Shqipëria është akuzuar për një sjellje “patronizuese” ndaj Kosovës, duke u përpjekur të imponohet si lider rajonal dhe të ndikojë në politikat e brendshme të Kosovës, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi në Prishtinë. Kryeministri aktual i Kosovës, ka shfaqur të njëjtën ambicie lidershipi mbi kombin duke provuar interferimin politik e ideologjik në komunitetin shqiptarë autokton jasht Kosovës.
Gazeta Enigma: Çfarë ndikimi ka faktori ndërkombëtar në marrëdhëniet mes dy vendeve?
Berisha: Faktori ndërkombëtar ka ndikuar në mënyra të ndryshme në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ndikimi ndërkombëtar është bërë i dukshëm sidomos përmes përkrahjes së disa projekteve si Open Balkan, ku disa shtete perëndimore kanë mbështetur pjesëmarrjen e Shqipërisë, ndërkohë që Kosova ka qenë skeptike. Për më tepër, Shqipëria shpesh ka përshtatur qëndrimet e saj në raport me interesat strategjike të partnerëve ndërkombëtarë, duke mos përfillur gjithmonë objektivat strategjike dhe ambiciet e Kosovës për forcimin e identitetit të saj shtetëror.
Gazeta Enigma: A ka bërë Shqipëria mjaftueshëm për Kosovën në arenën ndërkombëtare?
Berisha: Ndërsa Shqipëria ka promovuar çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, sidomos në forumet diplomatike dhe organizatat ndërkombëtare, ka pasur periudha kur qëndrimet e saj nuk kanë qenë në përputhje me ato të Kosovës. Kjo ka përfshirë rastet kur Shqipëria nuk ka mbajtur qëndrime të përputhura me detyrimet e saj kushtetuese për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në të gjitha trevat etnike, duke përfshirë edhe Kosovën. Kjo shpesh ka ngritur pikëpyetje rreth vendosmërisë së Tiranës për të mbështetur në mënyrë të plotë ambiciet e Kosovës për pavarësi të plotë dhe identitet të qëndrueshëm ndërkombëtar.