Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi ka shkruar për ballafaqimin e parë në Bruksel në mes të kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Pas takimit, kryeministri Kurti njoftoi për katër propozimet që ka pasur pala kosovare në këtë takim.
Në katër propozimet që kryeministri Kurti ia ka bërë Vuçiqit në tavolinë në pikën katër shefi i qeverisë kosovare ka kërkuar që për çështjen e të pagjeturve të pyeten Odaloviq dhe Angjelkoviq të cilët kanë udhëhequr me Kosovën e okupuar.
“Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq”, ka thënë Kurti.
E zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, ka sqaruar se në takimin e sotëm në Bruksel, kryeministri Kurti nuk ka krahasuar Vuçiqin, Odaloviqin e Angjelkoviqin me Joseph Goebbels, Rudolf Hess e Hermann Goering, por vetëm faktin që këta që janë në pushtet në Serbi sot, është ngjashëm sikur ata të ishin në pushtet në Gjermani edhe pas Luftës së Dytë Botërore.
“Sa për sqarim: në takimin e sotëm në Bruksel, Kryeministri Kurti nuk ka krahasuar Vuçiqin, Odaloviqin e Angjelkoviqin me Joseph Goebbels, Rudolf Hess e Hermann Goering, por vetëm faktin që këta që janë në pushtet në Serbi sot, është ngjashëm sikur ata të ishin në pushtet në Gjermani edhe pas Luftës së Dytë Botërore”, ka shkruar Bislimi.
Ndërsa, takimi i radhës Kurti-Vuçiq pritet të jetë para datës 25 korrik.