Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi konfirmoi se gjatë këtij muaji nuk do të ketë takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksadar Vuçiq.
“Nuk ka përparim të mjaftueshëm të prekshëm për të organizuar një takim të udhëheqësve”, tha Bislimi pas përfundimit të takimit me delegacionin serb, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Gjatë takimit trepalësh, temë e vetme ka qenë çështja e të pagjeturve.
Takimi i 8 shtatorit u mbajt pavarësisht se palët një ditë më herët thanë se nuk kanë arritur pajtim as për rendin e ditës së takimit trepalësh.
Më 7 shtator, delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka diskutuar me BE-në për temën e të pagjeturve, energjetikës, targave të veturave dhe për vizitat zyrtare, pasi Prishtina zyrtare ia ndaloi hyrjen shefit të delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq.