Korporata Energjetike e Kosovës, të shtunën pas mesnate ka njoftuar se njësia B2 prodhuese për energji elektrike është rikthyer në funksion, raporton Gazeta Enigma.
Këtë e kanë bërë të ditur nga stafi i KEK-ut përmes një njoftimi në Facebook.
“Njësia prodhuese B 2 pas testimeve starton me sukses”, thuhet në njoftim.
Zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Skënder Bucolli tha se B2 do të startoj sot në mëngjes me funksion të plotë.
“Pas një angazhimi të jashtëzakonshëm të punëtorëve të KEK’ut dhe termocentralit Kosova B, blloku B2 ka startuar me punë. Në këto orë ku po flasim janë ndarë megavatet e parë dhe qysh nesër në mëngjes do të startoj me funksion të plotë”, tha Bucolli.
Ndryshe, Kosova është duke u përballur me një krizë energjetike që nga muaji dhjetor për çka tani ZRRE ka paralajmëruar edhe shtrenjtim të çmimit të energjisë, e cila është pranuar edhe nga Qeveria e Kosovë.
KEK-u ka angazhuar në dhjetor të vitit të kaluar ekspertë të huaj për inspektimin dhe riparimin e dëmeve të krijuara nga avaria në turbinën e shtypjes së ultë, në Njësinë B2 të termocentralit B.
Qeveria e Kosovës, atë muaj ka ndarë 20 milionë euro për të subvencionuar importin e energjisë elektrike nga vendet e tjera, derisa nuk kanë munguar reduktimet e rrymës për qytetarët dhe bizneset./Gazeta Enigma/