Nga 1 shkurti i këtij viti, valuta e vetme e lejuar për transaksione të pagesave me para të gatshme në Kosovë do të jetë euro.
Kështu ka vendosur Banka Qendrore e Kosovës.
“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thotë Neni 35 i kësaj rregulloreje të BQK-së.
Aty theksohet po ashtu se BQK-ja është autoriteti i vetëm monetar që mund të vendosë për denominimet e lejuara të valutës euro për qarkullim në Republikën e Kosovës.
Ndërkaq, në Nenin 36 të Rregullores për operacionet me para të gatshme, theksohet se “valutat tjera jo euro mund të përdoren në Republikën e Kosovës vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogarite bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.
“Këmbimet valutore mund të kryhen në Republikën e Kosovës vetëm përmes institucioneve të licencuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës që ofrojnë këtë shërbim”, thuhet më tej në këtë nen.
Në Kosovë, që nga paslufta, në vendbanimet e banuara me shumicë serbe, valuta e dinarit është përdorur vazhdimisht.
Serbët që punojnë në institucionet serbe në Kosovë marrin paga në dinarë. Pensionet paguhen edhe me dinarë sipas sistemit serb, si dhe shtesat e fëmijëve dhe përfitimet sociale.
Deri më tani, dinarët në Kosovë kanë qarkulluar përmes kompanisë publike serbe “Serbia’s Post Office”, e cila operon në vendbanimet e banuara me serbë në Kosovë. Llogaritë në dinarë mbahen edhe në bankat “Postanska stedionica” (Kursimet Postare) dhe “NLB Komercijalna banka”, sipas “Euronews”.
Për më tepër, në zonat ku banojnë serbët, dinarët përdoren në objektet tregtare, ndërsa në katër komunat me shumicë serbe në veri, çmimet kuotohen në dinarë.
Dinarët kanë ardhur në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Paratë atje janë transportuar nga kompania e transportit të parave “Henderson”.
Për vendimin e BQK-së ka reaguar gjatë ditës së djeshme edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai tha se “ky veprim i Kurtit do të nënkuptonte jo një largim të heshtur, por të zëshëm të serbëve nga Kosova”.
Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar për këtë çështje.