Siç njoftohet nga Dhomat e Specializuara, Ekaterina Trendafilova ka caktuar panelin e Gjykatës së Apelit të përbërë prej gjykatësve Mishelë Pikar, Emilio Gati dhe Kai Ambos, për marrjen e vendimit lidhur me apelin kundër vendimit të gjykatësit të procedurës paraprake me të cilin ai refuzoi kërkesat e disa individëve për të marrë pjesë si viktima në çështjen Thaçi dhe të tjerët, raporton Gazeta “Enigma”.
Po ashtu, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala do të dalë para Gjykatës Speciale të hënën, më 21 qershor në orën 11:00.
Shala do të paraqitet për herë të dytë para Speciales në një seancë që ka të bëjë me ecurinë e çështjes.
Në anën tjetër, Specialja gjatë këtij muaji për tri ditë rresht do të mbajë pesë seanca ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Sali Mustafa.
Ndryshe, Pjetër Shala është arrestuar muaj më parë në Belgjikë me urdhër të Dhomave të Specializuara të Prokurorisë në Hagë.
Shala ishtë intervistuar nga Specialja më 20 shkurt të 2019-ës nga hetuesit e Speciales.
Shala, në luftë i njohur me nofkën “Komandant Ujku” aktualisht është me banim në Belgjikë.
Ai gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka qenë i angazhuar në zonën operative të Dukagjinit, në fshatin Dujakë. Më vonë gjatë ditës ndërkaq pritet të ketë detaje të reja lidhur me arrestimin dhe aktakuzën ndaj Pjetër Shalës.