Chollet telefonon Kurtin para dëshmisë në Senat, diskutojnë edhe për Veriun

Chollet telefonon Kurtin para dëshmisë në Senat, diskutojnë edhe për Veriun

Kryeministri Albin Kurti mbrëmë pati një telefonatë me Këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, ata biseduan për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks te zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes Bazike, si dhe për takimin e së hënës në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve.

Po ashtu, Kurti e Chollet folën edhe për situatën në katër komunat në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për finalizimin e procesit zgjedhor me rastin e mbajtjes së seancave konstitutive dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur.  

“Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara që të garantojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, dhe në të njëjtën kohë të sigurojnë mbarëvajtjen e shërbimeve ndaj qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, ZKM thotë se Kurti e Chollet bisedën e filluan “me vizitën e suksesshme në Kosovë të Administratores së USAID, Samantha Power, e cila bashkë me Kryeministrin Kurti dhe ministren Rizvanolli shpallën ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MË. Në lidhje me këtë, këshilltari Chollet tha se ajo ishte ndarë me përshtypjet më të mira dhe e falënderoi kryeministrin për pritjen. Kryeministri u shpreh i nderuar dhe mirënjohës për vizitën e administratores Power dhe për mbështetjen e vazhdueshme të USAID-it dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën”. 

Bisedë telefonike Chollet zhvilloi edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në këtë bisedë, Chollet tha se është e nevojshme që të shmangen provokimet dhe konfliktet mes Kosovës dhe Serbisë.

Këto biseda u zhvilluan para seancës së sotme të Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, cili ka caktuar të enjten seancën dëgjimore të quajtur “Vlerësimi i politikës së SHBA-së për Ballkanin Perëndimor”.

Në këtë seancë dëgjimore të ftuar janë: Derek Chollet, Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit dhe emisari amerikan pёr Ballkanin Perёndimor, Gabriel Escobar.

Related Articles