Çka ndodhi në Rambuje, Enver Hasani flet për tensionet që u shfaqën 23 vite më parë

Çka ndodhi në Rambuje, Enver Hasani flet për tensionet që u shfaqën 23 vite më parë

Para 23 viteve, në 6 shkurtin e vitit 1999, zyrtarisht kishte nisur një etapë e re për Kosovën, shkruan Gazeta “Enigma”.

Në këtë ditë filloi punimet Konferenca e Rambujesë, takim ky i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, e që synonte zgjidhjen e krizës në Kosovë.

23 vite pas, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe pjesëmarrësi i Konferencë së Rambujesë, Enver Hasani, rrëfen për Gazetën “Enigma”, emocionet e asaj dite.

“Ajo që mbaj mend më së shumti nga Konferenca Rambujesë , ku isha si këshilltar ligjor i delegacionit tonë, është çështja e nënshkrimit të saj dhe tensionet rreth formulimeve për dispozitën mbi mbajtjën e referendunit pas tri vjetëve. Për fat, me mirëkuptimin e SHBA dhe aleatët të tjerë të Kosovës, ajo çështje u tejkalua. Ka qenë gjendje e rënd në terren dhe negocimi me Serbinë dukej absurd në një kohë që shqiptarët, fëmijë e të rritur, vriteshin barbarisht”, thotë ai.

Kjo iniciativë sipas Hasanit, ishte historike për Kosovën, pasi që ka ndaluar përpjekjet gjenocidale të Millosheviq.

“Sa i përket rëndësisë së Rambujesë, shikuar në retrospektivë, mund të them se ka qenë dhe ngelet kolosale, për shkak se ka ndërprerë përpjekjet serbe të diktatorit Millosheviq për të përfunduar gjenocidin e dytë në Ballkan. Përveç kësaj rëndësi kolosale, një tjetër rëndësi është se nënshkrimi i saj nga pala jonë i hapi dyert për largim pakusht të të gjithë aparatit shtetëror dhe parashtetëror serb që ishte instaluar në Kosovë pas datës 23 mars 1989”, ka thënë tutje ai për “Enigmën”.

Sipas tij në rast të mos nënshkrimit të kësaj marrëveshje, do paraqitej “një tragjedi e llojit të vet sepse, përveç që ishte vazhduar agonia, çdo marrëveshje e mes pastajme me Serbinë do të nënkuptonte një prani efektive të aparatit shtetëror dhe para shtetëror serb në Kosovë”.

Enver Hasani, këshilltar ligjor i palës kosovare në Konferencën e Rambujesë

Konferenca që ndaloi gjenocidin serb në Kosovë, sipas Tahirit

Ndërkohë, ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri në përvjetorin e 23-të të Konferencës së Rambujesë ka rikujtuar atë si ngjarje historike e cila ka sjell rezultate historike përfshirë paqen, lirinë dhe pavarësinë.

Tahiri theksoi se Konferenca e Rambujes e ka ndalur gjenocidin serb në Kosovë.

“23 vjet nga Konferenca e Rambujesë. Kjo Konferencësolli rezultate historike: solli paqen dhe lirinë dhe pavarësinë, ndali gjenocidin serb ndaj Kosovës dhe popullit shqiptar në vitin 1999.  falë intervenimit ushtarak amerikan dhe te NATO-së kundër Serbisë, që u bë e mundur dhe falë vendimit tonë si Delegacion i Republikës për ta pranuar Marrëveshjen e Rambujesë”, ka thënë Tahiri.

   Pjesëmarrësja e konferencës së Rambujesë, Edita Tahiri

Ajo foli edhe për personat që ishin kundër kësaj konferencë. Sipas Tahirit, po të dëgjoheshin ata, Serbia nuk do të bombardohej dhe lufta do të vazhdonte në Kosovë.

“Më kujtohen qartë se ka pasur zëra që kanë qenë kundër Marrëveshjes së Rambujesë, sikur ti degjonim zerat e tillë, Serbia do të mbetej e pabombarduar dhe Lufta dhe tragjedia do vazhdonte në Kosove.  Marrja e vendimeve të drejta në kohë të duhura ndryshojnë historinë e një kombi, vendimi që morëm në Rambuje na bëri një komb i lirë, pas shtypjesh ndër shekujë…..çdo herë ndihem krenare që isha pjesë e këtyre ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare ku pëcaktuam fatin lirisë të kombit tonë – një kombi trim, guximtar, qëndrestar, vetëfijjues pa pyetur për çmimin e lirisë, asnjë çast”, është shprehur tutje ajo.

Çka ndodhi në Rambuje?

Marrëveshja e Rambujesë, u hartua nga Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) dhe zgjodhi Kalanë e Rambujesë si vend ku u mbajt negociatat.

Faktikisht Jugosllavia e refuzoi atë dhe NATO e përdori këtë si justifimin për ndërhyrjen në Luftën e Kosovës.

Refuzimi i Beogradit u bazua në argumentin se marrëveshja përmbante dispozita për autonominë e Kosovës që shkoi më tej se qeveria serbe / jugosllave e shihte si të arsyeshme.

Problemi më i madh për të dyja palët ishte se shqiptarët nuk ishin të gatshëm të pranonin një zgjidhje që do ta mbante Kosovën si pjesë të Serbisë, ndërsa serbët nuk donin të shihnin statusin para vitit 1990 dhe ata kundërshtoheshin pa asnjë dyshim ndaj ndonjë roli ndërkombëtar në qeverisjen e krahinës, duke përfshirë ofrimin e një mase për ndershpëtim, në të cilën trupa paqeruajtëse të OKB-së do të përdoreshin në vend të trupave të NATO-s.

Pamje nga zhvillimet në Rambuje

Për të shtuar në farsën, vendet e Grupit të Kontaktit të NATO-s ishin të dëshpëruar për të mos pasur nevojë të bënin mirë kërcënimi i forcës – Greqia dhe Italia u kundërshtuan me këtë ide. Rrjedhimisht, kur bisedimet nuk arritën të arrijnë një marrëveshje deri në afatin fillestar të 19 shkurtit, ato u shtynë për një muaj tjetër.

Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Edhe rrethi i dytë i bisedime që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike- marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.

As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Holbrooke nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bind presidentin e atëhershëm të RSFJ, Sllobodan Millosheviq që të pranoi marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.

Më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.

Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-ës miratoi rezolutën 1244 me të cilën u vendos protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovës, UNMIK-ut si mision civil dhe KFOR-it, mision ushtarak.

Ndërkaq, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë. / Gazeta Enigma.


Related Articles