Më 13 Qershor për nder të 24 vjetorit të çlirimit të Kosovës, me ftesë të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, u mbajt pritja shtetërore, por siç duket nuk shkoi siç ishte planifikuar, njofton Gazeta “Enigma”.
Në këtë ngjarje mjaft të rëndësishme u vërejt mungesa e ambasadorëve të shteteve të QUINT-it.
Pasi u cilësua ‘bojkotim’ nga shtetet e QUINT-it, Ambasada gjermane reagoi duke deklaruar se është përfaqësuar nga zëvendëskreu i misionit, “siç ka ndodhur në shumë raste”.
“Ambasada gjermane ka pranuar ftesë për të marrë pjesë në këtë ngjarje dhe zyrtarisht në të është përfaqësuar nga zëvendëskreu i misionit, siç ka ndodhur në shumë raste”, thanë nga Ambasada gjermane në Prishtinë.
Ndërkohë, politologu Fidan Ukaj, thotë se pas mungesës së ambasadorëve të shteteve të QUINT-it, Kosova mund të sanksionohet.
“Mungesa e ambasadorëve të shteteve mike në ditën më të rëndësishme për shtetin e Kosovës, tregon qartë se kjo Qeveri dhe ky kryeministër nuk është mik i këtyre vendeve, dhe mund të jetë një sanksion i radhës dhe mesazh i qartë se nëse Qeveria nuk reflekton në kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare bojkoti mund të vazhdojë”, potencoi Ukaj për “Enigmën“.
Ndër të tjera, nuk mungoi reagimi as nga Presidenca, të cilët theksuan se nga secili shtet i QUINT-it, kanë qenë përfaqësuesit e tyre.
Pritja për nder të 12 qershorit ka qenë organizim i përbashkët i Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës. Në këtë ceremoni nuk ka pasur bojkot të askujt. Në të kanë marrë pjesë ambasadorë të disa shteteve evropiane dhe aziatike, komandanti i KFOR-it, teksa përfaqësi të tjera diplomatike janë përfaqësuar nga zv.ambasadorë. Të gjitha shtetet e QUINT-it i kanë pasur përfaqësuesit e tyre në ceremoni. Rrjedhimisht është e pavërtetë se ka pasur bojkot të ceremonisë shtetërore për 12 qershor”, ka thënë Bekim Kupina këshilltar për media i presidentes Vjosa Osman./GAZETAENIGMA/