Çka tha Von der Leyen në Kosovë – Mesazhi i saj për Qeverinë Kurti dhe Serbinë

Çka tha Von der Leyen në Kosovë – Mesazhi i saj për Qeverinë Kurti dhe Serbinë

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen i bëri thirrje të hënën Kosovës që të nisë procedurat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas projektit të ofruar nga diplomacia perëndimore dhe Serbisë të njohë “de facto” Kosovën.

Ajo i bëri këto komente në Prishtinë, ku u takua me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës në kuadër të një vizite në rajon.

“Është absolutisht e rëndësishme që të dyja palët të angazhohen, të bashkëpunojnë dhe bashkërisht diskutuam temën që Kosova mund të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Serbia duhet të bëjë njohjen de facto të cilën do ta diskutoj nesër në Serbi dhe sigurisht dialogu i Bashkimit Evropian është vendi për t’i diskutuar këto tema”, tha ajo.

Von der Leyen tha se themelimi i Asociacionit është në qendër të diskutimeve në mënyrë që Komisioni Evropian t’i heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës të vendosura në muajin qershor për shkak të situatës në veri.

“Ajo që kam biseduar me presidenten dhe që do ta bisedoj edhe me kryeministrin është se çfarë mund të bëjmë për të hequr masat dhe këtu është tema e projekt-statutit në qendër të diskutimeve, që është një hap përpara në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha ajo duke nënvizuar se të martën do të diskutojë me udhëheqësit e Serbisë lidhur me detyrimet e tyre.

“Unë do të diskutoj hapat që janë të nevojshëm për Serbinë për njohjen de facto të Kosovës, do të diskutoj me presidentin se si mund të materializohet kjo, kështu që kjo është shumë e rëndësishme, pa diskutim”, tha ajo.

Presidenti francez Emmanuel Macron, Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni takuan ndarazi javën e kaluar Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç në Bruksel, për të çuar përpara normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Të premten në një deklaratë të përbashkët ata kërkuan që Kosova të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit, ndërsa Serbia të njohë “de-facto” shtetësinë e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se ishte i gatshëm të nënshkruante propozimin për Asociacionin i cili parasheh që Gjykata Kushtetuese të japë vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe sipas tij është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës kushtetuese të vendit.

Presidenti i Serbisë Aleksadar Vuçiç tha ndërkaq se është i gatshëm të përmbushë gjithçka që përfshihet në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por që nuk përfshin njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha sot se marrëveshja e Brukselit duhet të zbatohen tërësisht dhe jo vetëm me copëza.

“Në qoftë se zbatohet në tërësi dërgon te njohja de facto siç e përmendi edhe vet presidentja Von der Leyen, siç e kanë përmendur në deklaratën e fundit edhe udhëheqësit evropianë që ishin të angazhuar në takimin e fundit dhe kjo hap rrugë për më shumë paqe, më shumë stabilitet afatgjatë dhe na drejton qartë edhe te njohja de jure, pra është shumë me rëndësi që të kërkojmë që të gjithë që marrëveshja të zbatohet në tërësi, të zbatohet sa më shpejt sepse siç kemi mësuar nga historia momentumi është shumë me rëndësi”, tha presidentja Osmani.

Pas Osmanit, Ursula von der Leyen, të hënën u prit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Siç njofton zyra e kryeministrit të Kosovës, Kurit e ka njoftuar Ursula von der Leyen edhe për qëndrimin e Kosovës rreth Marrëveshjes Bazike me Serbinë, saktësisht nenin 7, ku flitet për vetë-menaxhimin e komunitetit serb në Kosovë.

“Duke i uruar mirëseardhje në ndërtesën e Qeverisë dhe kryeqytetin e Republikës, kryeministri Kurti falënderoi Presidenten e Komisionit Evropian, von der Leyen për përkushtimin e saj ndaj agjendës evropiane të Kosovës, teksa e njoftoi atë me rezultatet e deritanishme të qeverisjes, zhvillimet e fundit në vend, takimin e 26 tetorit me liderët evropianë dhe me qëndrimin e Kosovës në raport me propozimin e BE-së dhe ShBA-së për zbatimin e nenit 7, ndërlidhur me nenin 10 të Marrëveshjes Bazike”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Po ashtu, në këtë takim është folur edhe për çështjen e mbështetjes finnaciare të Bashkimit Evropian për projektet infrastrukturore.

Në takim është diskutuar edhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri.

”Ai e njoftoi edhe për projektet e ndryshme infrastrukturore, përfshirë ato të cilat tashmë kanë mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, por edhe projekte tjera të cilat mund të përfitojnë nga mbështetja, sikurse është ai i hekurudhës Prishtinë-Durrës.

“Në lidhje me sulmin terrorist, paramilitar dhe kriminal të 24 shtatorit, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë dhe nevojën e ekstradimit të Milan Radoicic në Kosovë ku do të ballafaqohej me një gjykim fer dhe të drejtë për veprat e tij, dhe në të njëjtën kohë domosdoshmërinë e sanksioneve ndaj Serbisë në mënyrë që sulme të tilla mos përsëriten”.

”Në takim u fol edhe për Planin për Zhvillim të BE-së për Ballkanin Perëndimor, përfitimet e mundshme nga ai, si dhe për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe përparësitë e tij për rajonin, përkatësisht Ballkanin Perëndimor. Ky ishte takimi i gjashtë ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen”, pëmrbyllet komunikata e zyrës së kryeministrit. 

Related Articles