Deputeti Abazi intervistohet nesër nga Prokuroria Speciale e Kosovës

Deputeti Abazi intervistohet nesër nga Prokuroria Speciale e Kosovës

Të martën, nesër, duke filluar nga ora 10:00 do të intervistohet deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, lidhur me pretendimet e tij mbi njohuritë në rastin e Astrit Deharit, raporton Gazeta “Enigma”.

Lajmin për marrjen e ftesës nga Prokuroria, e konfirmoi vet Abazi për Gazetën “Enigma”.

“Nesër në ora 10:00, është caktuar intervista”, ka thënë Abazi.

Ndërkaq, kujtojmë se të enjten, në një konferencë për media, Abazi tha se Prokuroria duhet t’i marrë në pyetje kryeministrin Kurti, Dejona Mihalin, ministren Haxhiu, Nazlie Balajn dhe Flutura Gogja- Bajramin.

“Nuk besoj që kamerat mund të gënjejnë se çfarë ka ndodhur. Prokuroria duhet të marrë në pyetje kryeministrin Kurti, Dejona Mihalin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balaj dhe Flutura Gogaj-Bajrami. Rasti i Astrit Deharit është shumë i rëndë për t’u mbajtur mbi supet e qytetarëve. Rrugët janë të qarta se si duhet të bëhet kjo punë”, tha Abazi.

Tutje ai potencoi se duhet të kërkohen videoincizimet për “të konfirmuar se kush i ka zhdukur mostrat e rastit Dehari”.

Po ashtu, Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar kthimin në punë të zyrtarëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të suspenduar pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit në laboratorin e Toksikologjisë./ Gazeta Enigma.

Related Articles