Pas situatës së krijuar në veri të vendit pas implementimit të reciprocitetit të targave, një takim urgjent në Bruksel që pritet të shënoj vazhdimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Ky takim do të mbahet të mërkurën më 29 shtator, shkruan Gazeta “Enigma”.
Në tavolinën e diskutimeve, do të ulen Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, me Drejtorin e Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën, Petar Petkoviç, nën ndërmjetësimin e BE-së.
Përpos Bashkimit Evropian si ndërmjetësues nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë kanë konfirmuar se në diskutime do të marrë pjesë edhe zv.ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar.
Ndërkaq, deputeti nga radhët e PDK-së, Ferat Shala në një deklarim për Gazetën “Enigma”, ka thënë se gjendja në veri është krijuar si pasoj e veprimeve të pa matura të Qeverisë.
“Situata të tilla nuk guxojnë të lejohen e të bëhen në asnjë moment pa koordinim me ndërkombëtarët e veçanërisht pa ShBA-në. Rasti i fundit ka treguar qartë që ka qenë një veprim Ad-hoc e i pamenduar mirë, e pa koordinim me ShBA-në, përkundër që është shumë i ligjshëm, megjithatë edhe këto vendime duhet ti ndajmë me partnerët tanë”, ka thënë ai.
Sipas tij vendi ndodhet në këtë situat për shkak të mos koordinimit të ekzekutivit me partnerët ndërkombëtarë, sidomos me ShBA-në.
“Tashmë jemi në një situatë ku jemi para aktit të kryer, që kryeministri dhe ekipi i tij duhet të ulen e të negociojnë. Nga një situatë kur nuk ka negociata dhe akuzonte të gjithë partenrët e tjerë për shantazh, sot ai po bie në një pozicion jashtëzakonisht delikat që duhet të ulet të bisedoj për vendime ligjore, por të pa matura politike”, theksoi tutje ai./Gazeta Enigma.