Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, kanë marrë pjesë dje në ceremoninë e varrimit të ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, që u mbajt në Katedralen Kombëtare të Washingtonit. Gjatë këtij funerali, liderët kosovarë janë takuar shkurtimisht me zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë amerikanë.
Osmani e Kurti u takuan fillimisht me Sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken. Nga takimi me Blinkenin, ata publikuan edhe një fotografi.
E për atë se çka folën me Blinkenin, e zbuloi më vonë Presidentja Osmani, përmes një postimi në Facebook.
Me Blinkenin u takua edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga.
“Gjatë ceremonisë së organizuar në nder të Sekretares Madeleine Albright, patëm mundësinë të takojmë Sekretarin e Shtetit Anthony Blinken. E falënderuam për kontributin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në forcimin e shtetësisë së Kosovës, si dhe për lidershipin e treguar nga SHBA-të në kohën kur paqja dhe demokracia në Evropë po cenohen sërish. Mbështetja e vazhdueshme dhe vlerat e përbashkëta janë garanca më e fortë e miqësisë së palëkundur me SHBA-të”, shkroi Osmani.
Osmani publikoi edhe disa fotografi nga funerali i Albright, ku tha se ajo njohu dhimbjen e popullit të Kosovës.
“Jemi përgjithmonë falënderues për kontributin e jashtëzakonshëm të sekretares Albright për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë, si dhe mbështetjes së saj të vazhdueshme për Kosovën e lirë, të pavarur, të zhvilluar e me vendin e merituar në arenën ndërkombëtare. Sekretarja Albright e njohu dhimbjen e popullit tonë, e ne do ta vazhdojmë përpjekjen e saj, për ta avancuar dhe për ta mbrojtur demokracinë! Miqësinë me Amerikën e kemi të përjetshme, siç do ta kemi kujtimin për Sekretaren Albright!”, shkroi Osmani.
Osmani e Kurti u takuan shkurtimisht edhe me ish-zyrtarë të lartë amerikanë. Ata publikuan një fotografi nga takimi me ish-presidentin e ShBA’së, Bill Clinton dhe ish-sekretaren e shtetit, Hillary Clinton.
Kryeministri Kurti njoftoi se janë takuar edhe me ish-sekretarët e Shtetit, Condoleezza Rice dhe John Kerry, si dhe ish kongresistin Eliot Engel.
“Në kuadër të ceremonisë, patëm rast të takoheshim me mysafirë të tjerë dhe miq të çmuar të Kosovës, duke përfshirë sekretarin aktual të Shtetit, z. Antony Blinken, ish presidentin e ShBA-së, z. Bill Clinton, ish zëvëndëspresidentin, z. Albert Gore, ish sekretarët e Shtetit znj. Hillary Rodham Clinton, znj. Condoleezza Rice dhe z. John Kerry, si dhe ish kongresistin z. Eliot Engel. Përveç Presidentit Joseph Biden, ish Presidentit Bill Clinton dhe ish Sekretares së Shtetit Hilary Clinton, fjalim prekës mbajtën edhe tri vajzat e saj: Alice, Anne dhe Katharine”, shkroi Kurti.
Për Albright, Kurti tha se ajo ka kontribuar “më shumë se gati çdokush tjetër për popullin tonë, në momentet e tij më të vështira”. Kurti ka përmendur edhe ish-presidenten Atifete Jahjaga, që ja marrë pjesë në këtë ceremoni.
Për Kurtin, emri i Albright lidhet ngushtësisht me ndaljen e gjenocidit të Serbisë në Kosovë përmes ndërhyrjes së NATO-s.
“Nga ambasadore e ShBA-ve në OKB te Sekretare Amerikane e Shtetit, nga administrata e Presidentit Jimmy Carter tek ajo e Presidentit Bill Clinton, nga përvoja në fëmijëri si refugjate e persekutimit nazist te vepra e saj e fundit mbase më i rëndësishmi libër anti-fashist në shekullin XXI, Zonja Sekretare Madeleine Albright ka lënë trashëgimi tejet të pasur për politikën, diplomacinë dhe historianët. Kurse për Kosovën dhe shqiptarët ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë dhe emri i saj i përveçëm Madeleine Albright i përkasin të njëjtës fjali”, ka shkruar Kurti. / Gazeta Enigma.