Një takim tre palësh midis përfaqësuesve të BE-së, NATO-s dhe SHBA-ve u zhvillua të hënën teksa fokusi kryesor ishte tek zhvillimet në veri të Kosovës, raporton Gazeta “Enigma”.
Takimi trepalësh u zhvillua mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak me zëvendëssekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Gjeneral Mireca Geoana dhe me emisarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Pas takimit Lajçak dha detaje nga takimi.
“Diskutuam zhvillimet e fundit në dialog, duke përfshirë veriun e Kosovës, bashkëpunimin BE-SHBA-NATO dhe rrugën përpara. Mirënjohës për mundësinë për të adresuar gjithashtu bashkërisht çështjet në NATO”, shkroi Lajçak.
Ndërkaq për rrjedhën e takimit u dhanë detaje edhe nga NATO përmes një njoftimi ku u tha se takimi i tyre ishte pjesë e konsultimeve të rregullta për situatën në Kosovë dhe zhvillimet në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor.
Zëvendës sekretari i përgjithshëm, Geoana theksoi përpjekjet intensive të kryera nga aleatët e NATO-s dhe Bashkimi Evropian për të zbutur tensionet e fundit, veçanërisht në veri të Kosovës.
“KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe ka aftësinë dhe personelin për të vazhduar zbatimin e mandatit të tij të OKB-së, plotësisht dhe në baza ditore, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Kjo i kontribuon sigurisë në Kosovë dhe stabilitetit në të gjithë rajonin. NATO gjithashtu vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës – si platforma kryesore për të ndërtuar paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në të gjithë rajonin – dhe të gjitha përpjekjet që synojnë avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Ballkanit Perëndimor. Gjatë vizitës së tyre, Escobar dhe Lajçak informuan gjithashtu ambasadorët e NATO-s mbi përpjekjet dhe angazhimet e tyre diplomatike reciprokisht përforcuese me të gjitha palët në rajon”, thuhet në njoftimin e NATO-s.
Ndërkaq nga misioni i SHBA-së në NATO përmes një shkrimi në llogarinë e tyre zyrtare në Facebook, u tha se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë të rëndësishme për të gjithë evropianët.
“Paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë të rëndësishme për të gjithë evropianët. Shtetet e Bashkuara, aleatët tanë të NATO-s dhe BE-ja janë të përkushtuara të punojnë me Serbinë dhe Kosovën për të gjetur një zgjidhje dhe rrugë përpara në interes të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies së të gjitha komuniteteve”, thuhet në njoftimin e tyre.
Kujtojmë se për 20 ditë me radhë, në dhjetorin e vitit të kaluar, grupe të serbëve lokalë bllokuan rrugët në veri të Kosovës, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës.
Dejan Pantiq, sipas autoriteteve, dyshohet për organizimin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Por, vendimi i autoriteteve gjyqësore në Kosovë më 28 dhjetor për t’ia ndërruar Pantiqit masën e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak, hapi rrugë heqjes së barrikadave. Pas kësaj, përfaqësuesit e serbëve në Kosovë deklaruan se kërkesat e tyre për heqjen e barrikadave ishin plotësuar.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja që nga viti 2011. Negociatat mbështeten edhe nga Shtetet e Bashkuara.
Procesi i dialogut është thënë se synon të përmbyllet me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Por, palët kanë dallime edhe sa i përket përfundimit të dialogut.