Këtë të enjte në mesnatë do të përmbyllet afati për partitë politike për të njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje ose mospjesëmarrjen dhe deklarimin e koalicioneve.
Nga 1 maj deri më sot LDK dhe AAK kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje, ndërsa LVV dhe PDK ende jo.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha se më tani KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 20 parti politike, mospjesëmarrje nga 5 parti politike dhe 1 koalicion i përbërë nga 2 parti politike.
“Sot, më 7 maj, në orën 24:00, përfundon afati për partitë politike të regjistruara në Kosovë për ta njoftuar KQZ-në për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhje dhe formim të koalicioneve. Këto obligime vlejnë vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrit të partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës. Deri më tani (e enjte, 7 maj 2026, ora 12:00) KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 20 parti politike, mospjesëmarrje nga 5 parti politike dhe 1 koalicion i përbërë nga 2 parti politike”, tha Elezi.
Tutje Elezi ka treguar se cilat parti politike kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e 7 qershorit.
“1. Partia Socialdemokrate; 2. Kosovaki Nevi Romani Partia; 3. Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve; 4. Za Slobodu Pravdu i Opstanak; 5. Srpska Lista; 6. Yenilikçi Türk Hareket Partisi; 7. Lidhja Demokratike e Kosovës; 8. Fjala; 9. Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës; 10. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK; 11. Socialdemokratska Unija; 12. Jedinstvena Goranska Partija; 13. Kosova Demokratik Türk Partisi; 14. Nova Demokratska Stranka; 15. Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës; 16. Kosovski Savez; 17. Partia Balliste; 18. Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale; 19. Partia Liberale Egjiptiane; dhe 20. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës”, deklari Elezi për “Enigmën”.
Elezi ka njoftuar dhe për partitë tjera që deri më tani nuk kanë njoftuar për pjesëmarrjen e tyre në këto zgjedhje.
“1. Partia Demokratike e Unitetit; 2. Balli Kombëtar i Kosovës; 3. Lëvizja Qytetare Vatra; 4. Bashkimi për Ndryshim Anamorava dhe 5. Partia e Drejtësisë”.
Elezi ka njoftuar tutje se brenda 7 dite KQZ ka pranuar vetëm njoftimin për formimin e koalicionit nga dy parti boshnjake. Bëhet fjalë për Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, që kanë paraqitur në KQZ koalicionin me emrin “Koalicija VAKAT”.
Sipas KQZ-së, njoftimi nga partitë politike të regjistruara i pjesëmarrjes ose mospjesëmarrjes në zgjedhje dhe formimi i koalicioneve është një proces tjetër nga aplikimi për certifikim i subjekteve të reja politike dhe dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë.
Sipas Elezit, afati për aplikim për certifikim të subjekteve të reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur), ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 10 maj. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj ky proces do të vlejë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur.
Ndërkaq, po sipas tij, dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë nga subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 12 maj 2026.
