Seanca të dështuara, mosmarrëveshje midis partive politike që luajnë “ping-pong” me përgjegjësinë, e sekuenca të ripërsëritura nga figurat kyqe të Kuvendit, janë ngjarjet aktuale që po i servohen qytetarëve të Kosovës, gati se çdo dy ditë, në dy javët e fundit, shkruan Gazeta Enigma.
Edhe më 25 prill, për të gjashtën herë radhazi dështoi seanca e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, për të votuar si kryeparlamentare kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiun.
Ani pse subjektet e tjera politike si PDK, LDK, AAK, e NISMA – kishin deklaruar bindshëm se një figurë si Albulena Haxhiu nuk do të votohet nga ta, por që emrat e tjerë janë të mirëpritur, LVV po insiston se vetëm “Haxhiu do të propozohet nga ne”.
Por, edhe sa pritet të vazhdojë një gjë e tillë?
Profesori universitar Mazllum Baraliu, thotë se nëse partitë politike mbajnë të njëjtat qëndrime, një gjë e tillë mund të zgjasë deri në pafundësi sepse Gjykata Kushtetuese nuk ka përcaktuar një datë përfundimtare të konstituimit të Kuvendit.
“Ka një ngërç, një barikadim të subjekteve të caktuara politike, ku për të gjashtën herë nuk i lëshojnë pozicionet e tyre në asnjë mënyrë. Është një manovër politike që po vazhdon në këto vazhdime 48-orëshe, e cila është për të ardhur keq. Një gjë e tillë nënkupton mosrespekt, shpërfillje, papërgjegjësi institucionale edhe për shtetin e Republikës, dhe mosrespekt ndaj qytetarit votues të cilët i kanë votuar ata si përfaqësues dhe partitë e tjera pa dallim. Pra, kjo është një garë pa kufi dhe në iracionalitet, sepse kështu mund të vazhdojë deri në pafundësi, pasi është vakum kushtetues, është vakum i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka lënë mangut sepse nuk ka treguar një dinamikë dhe afat përfundimtar. Por, partitë politike duhet urgjentisht të votojnë propozimin e VV-së, që të parandalojnë qëllimin e VV-së që në mungesë të guximit për të ecur përpara, bëjnë barriera e barrikada të tilla”, u shpreh Baraliu.
A ka ardhur koha që presidentja të ndërmjetësojë mes pozitës dhe opozitës për t’i kthyer Kuvendit funksionalitetin?
Sipas profesorit Baraliu, është koha që pas gjashtë dështimeve radhazi të ndërhyjë presidentja e vendit, Vjosa Osmani. “Absolutisht që presidentja e vendit, edhe në përgjigjen e parë që e ka bërë ndaj letrës së kryesuesit të Kuvendit, Avni Deharit, është dashur të japë shpjegime – sepse Osmani e njeh Kushtetutën. Nëse jo, atëherë tash është koha që presidentja të ndërhyjë, sepse e ka obligim në bazë të kompetencave të nenit 84 të Kushtetutës, që të ndihmojë funksionimin, mbarëvajtjen institucionale e në këtë rast konstituimin e Kuvendit. Nëse jo në këtë mënyrë, qoftë avokati i popullit, qoftë presidentja e vendit të iniciojnë një kërkesë shpjegimi të situatës dhe përcaktim të afateve dhe veprimeve se çfarë duhet të bëjë Kuvendi si tërësi, qoftë pozitë apo opozitë, në këtë çështje, në këtë krizë politike që mund të shkaktojë probleme nëse zgjasin me këto bllokime”, përfundoi Baraliu për Gazetën Enigma.
Ndërkohë, deputetja nga radhët e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, thotë se sipas Kushtetutës, 30 ditë pas certifikimit duhet të konstituohet Kuvendi. Sipas saj, një gjë e tillë nuk mund të zgjasë deri në pafundësi.
“Në raport me afat, më lejoni të vë në vëmendje të të gjithëve, që është e paraparë edhe me Kushtetutën, se 30 ditë pas certifikimit duhet të konstituohet Kuvendi. Ai 30-ditësh është të dielën, ose nesër nëse i numërojmë ditët kalendarike. Kjo situatë nuk mund të shkojë në pafundësi. Mund të sjellë një rrethanë krejt tjetër, ku diskutimi i përbashkët me subjektet politike po afrohet gradualisht për një datë për zgjedhje të reja”, u shpreh Kusari-Lila.
VV-ja si opozitë asnjëherë s’ka votuar kryeparlamentarin
Ndër të tjera, ish-deputeti i LVV-së, Ilir Deda ka kritikuar partinë e Albin Kurtit, për këmbënguljen që e kanë për zgjedhjen e deputetes Haxhiu si kryetare të Kuvendit.
Deda rikujton se VV, sa ka qenë në opozitë, nuk ka votuar asnjëherë për kryeparlamentar. Ai thekson se kjo parti nuk ka asnjë bazë të kërkojë votën bllanko të partive tjera për kryeparlamentare.
“Në Kosovë është krijuar një praktikë politike që Kryetari i Kuvendit të zgjidhet vetëm nga shumica parlamentare që e krijon edhe Qeverinë. Kjo praktikë mundet me qenë e gabuar, por është e tillë. Me 4 votime të pasuksesshme për zgjedhjen e kandidates për kryetare të Kuvendit, pasi që VV nuk e ka ndërtuar shumicën parlamentare për Qeveri, mund të vazhdohet edhe për 4 muaj tjerë, por rezultati do të jetë i njëjtë pa një marrëveshje politike. Nuk mund të shpiken parime politike sipas nevojës dhe varësisht a je në pozitë apo në opozitë. Nëse si parti në opozitë asnjëherë nuk e ke votuar kryeparlamentarin e partive të tjera, atëherë nuk e ke asnjë bazë të kërkosh bllanko përkrahje nga të tjerët”, ka shkruar ai, duke treguar se cila është rrugëdalja.
“Rruga e vetme është te marrëveshja politike. Përndryshe këtë film e kemi parë në 2014 e 2017, me role të tjera atëherë. Ama është film i keq, e filmat e këqij nuk shikohen tri herë”, përfundoi Deda.
Kurse, vetë kandidatja e LVV-së, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se pas dështimit të votimit për të gjashtën herë, janë të gatshëm për zgjedhje të reja.
“Besoj që është e rëndësishme të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë të qartë qëndrimin e saj, por po duket që ka mungesë të vullnetit nga subjektet e tjera politike. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë me partitë politike për datën e zgjedhjeve të reja”, tha ajo. “Vendi duhet të shkojë në zgjedhje, nëse ata refuzojnë të votojnë propozimin e VV-së. Ku do t’i marrin ata 61 vota për propozimet e tyre? Është e rëndësishme që opozita të reflektojë, sepse vetëm LVV ka të drejtë si parti e parë të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit”, u shpreh Haxhiu.
Seanca e radhës së Kuvendit është caktuar pas 48 orëve, të dielën në ora 10:00/Gazeta Enigma/