Prolongimit të procesit gjyqësor për ish krerët e UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit duket se po i vjen fundi, teksa muajt e fundi të vitit 2025 parashikohet si data eventuale e shpalljes së aktgjykimit ndaj tyre, shkruan Gazeta Enigma.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Kraniqi dhe Rexhep Selimi mbesin në paraburgim në Hagë që nga arrestimi i tyre në nëntor të vitit 2020. Atyre u janë refuzuar kërkesat për lirim me kusht disa herë.
Aktgjykimi parmendohej të bëhej i ditur gjatë kësaj kohe, por mbrojtja e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqi pritet t’i paraqesë 25 dëshmitarë, në përpjekje për të kundërshtuar dëshmitë e paraqitura nga Prokuroria Speciale
E gjitha kjo procedurë pritet që ta shtyjë gjykimin deri në fund të vitit 2025 ose deri në fillim të vitit 2026, vlerësuan dy njohës të çështjes, avokatët Anton Nrecaj dhe Tomë Gashi.
Kadri Veseli e Rexhep Selimi nuk pretendojnë të thirrin dëshmitarë të tjerë.
“Në bazë të asaj se si e parasheh ligji dhe kodi i procedurës penale, natyrisht se duhet të shteren të gjitha mundësitë që i kanë në dispozicion, në mënyrë që palët të jenë të barabarta dhe të ketë një gjykim të drejtë. Janë marrë në pyetje shumë dëshmitarë nga pala akuzuese, mirëpo tani e kemi edhe pjesën e palës mbrojtëse, e cila po ashtu do i ofrojë dëshmitë e veta, njësoj sikur dëshmitë që i ka ofruar pala tjetër”, tha Nrecaj në një prononcim për “Enigmën”.
Kur pritet aktgjykimi?
“Ndoshta në fillim të vitit të ardhshëm mund të ketë ndonjë aktgjykim”, thekson ai.
Megjithatë, Nrecaj thotë se procesi nuk përfundon me kaq, pasi sido që të jetë aktgjykimi, vendimi pastaj kalon në disa shkallë – shkallën e parë (Gjykata Speciale) – shkallën e dytë (Gjykata e Apelit) dhe shkalla e tretë (Gjykata Supreme).
Nrecaj tutje tha se deri më tani, procesi i gjykimit në Hagë ka pasur shumë skandale.
“Dosjet kanë rrjedhur nga kjo gjykatë. Mandej pjesa e akuzës së Prokurorisë, më shumë se 90 përqind të provave, i ka të mbledhura nga Ministria e Drejtësisë në Serbi. Pra janë dëshmi dhe dëshmitarë të fabrikuar, mbi bazën e të cilës është tentuar që të fabrikohet i gjithë procesi”.
“Ne presim që procesi të jetë i drejtë, mirëpo nga ajo që kemi parë deri më tani, procesi ka qenë dhe është kryekëput politik. Nuk ka të bëj fare me drejtësi”, përfundoi Nrecaj.
Aktgjykimi nuk mund të parashikohet nga askush
Avokati Tomë Gashi, për Gazetën Enigma thotë se nuk mund të parashikohet nga askush verdikti potencial nga Gjykata Speciale për Thaçin dhe të tjerët, “duke pasur parasysh që shumica e seancave – diku 70 apo 80 përqind – kanë qenë të mbyllura e që nuk kemi pasur mundësi t’i përcjellim”.
“Duke marrë parasysh që mbrojtja do paraqesë dëshmitarë, 12 prej të cilëve do të paraqiten në sallën e gjykimit, pastaj kemi edhe avokatin e viktimave, i cili pritet të paraqesë dëshmi të caktuara. Mandej edhe pushimet që janë gjatë korrikut dhe gushtit, si dhe kompleksitetin e rastit, mendoj se në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhshëm mund të pritet aktgjykimi”, tha Gashi për “Enigmën”.
“Një pjesë e madhe e dëshmive që kanë ardhur nga Serbia mund të jenë shumë të dëmshme, nëse gjyqtarët nuk janë në nivelin e pozitës së tyre, që ta dinë se bëhet fjalë për prova manipuluese. Do duhej të shpallen të papranueshme të gjitha provat nga Serbia”, u shpreh tutje avokati Tomë Gashi.
Do duhej të kishte ekipe të avokatëve nga Kosova
Sipas Gashit, mbrojtja ka gabuar që nuk ka emëruar ekipe të avokatëve nga Kosova, pasi “realitetin e luftës në Kosovë shumë më mirë do mund ta paraqitnin avokatë shqiptarë nga Kosova, sesa ata ndërkombëtar”.
“Aktakuzat janë jashtëzakonisht të rënda. Kemi të bëjmë me aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe për këtë fajin kryesor e kanë deputetët që e kanë votuar një gjykatë të tillë e që besoj se do jetë e dëmshme për shtetin e Kosovës”, përfundoi avokati Gashi.
Çka thonë akuzat?
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, akuzohen nga Dhomat e Specializuara për vepra të rënda penale, si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aktakuza e Prokurorisë i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin për veprat penale që lidhen me krime lufte, si: ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë e personave dhe përndjekje.
Sipas Dhomave të Specializuara, këto krime janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.
Prokuroria pretendon se këto krime të prezantuara në aktakuzë janë kryer në lokacione të ndryshme në Kosovë, si dhe në disa të tjera në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.
Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për çdo pikë të aktakuzës.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar përmes një vendimi të Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit 2015 dhe mision kanë hetimin e krimeve të pretenduara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Pretendimet për këto krime të supozuara janë përmendur për herë të parë në një raport të Këshillit të Evropës, në vitin 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty. / Gazeta Enigma.