Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Faik Fazliut, i cili ishte ish-kryetarit i OVL-së të UÇK-së, i cili është arrestuar mbrëmë nga policia në një lokal në Prizren, raporton Gazeta “Enigma”.
Ai për Gazetën “Enigma”, ka theksuar se ishte ushtruar dhunë ndaj veteranit.
“Së pari, sqarim për mediat që raportuan se i arrestuari Faik Fazliu është anëtar i kryesisë së OVL UÇK-së, sepse ai ka qenë vite më parë në kryesi dhe ish kryetar, dhe së dyti në videon që më erdhi, nuk shihet kanosje ndaj zyrtarit policor, por shihet dhunë e ushtruar ndaj një invalidi me shkallë të rëndë nga ana e zyrtarit policor”.
“Kërkoj lirimin e menjëhershëm të tij dhe rasti të shkoj në procedurë të rregullt, si dhe duhet që të hetohet edhe dhuna e ushtruar nga ana e policisë apo e zyrtarëve policor”, ka thënë Klinaku.
Ndërkohë zyrtari policor, sipas policisë ndodhej në detyrë zyrtare duke asistuar inspektorët e AUV-it në një kafiteri, lidhur me mosrespektimin e masave antiCovid19.
Lajmin për Gazetën “Enigma”, e ka konfirmuar Shaban Osmanollaj, zëdhënës në Policinë Rajonale të Prizrenit.
“I dyshuari F. F lindur në vitin 1977, ka kanosur verbalisht personin zyrtar gjate kryerjes se detyrës zyrtare. Zyrtarët policor po asistonin në kontrollimin e një lokali (kafiteri) së bashku me inspektoret e AUV-it, lidhur me mosrespektimin e masave antiCovid19. I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Prizren. I dyshuari është intervistuar nga hetuesi kujdestar dhe me aktvendim të Prokurorit iniciohet rasti për “Kanosje ndaj personit zyrtar” dhe i dyshuari të ndalet në Qendrën e mbajtjes për 48 orë”, tha ai.
Tutje ai njoftoi se rasti është nën hetime./Gazeta Enigma.