Kurti dhe Gërvalla kthehen në Kosovë, ministrja: Fëmijët e kishin të shkruar në fytyrë tmerrin e përjetuar

Kurti dhe Gërvalla kthehen në Kosovë, ministrja: Fëmijët e kishin të shkruar në fytyrë tmerrin e përjetuar

Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla ka dhënë detaje nga qëndrimi në Kroaci, pas tragjedisë që ndodhi dje ku mbetën nga një aksident të vdekur 10 persona.

Gërvalla në Facebook ka shkruar se së bashku me Kryeministrin Kurti, dhe ministrat Sveçla dhe Vitia dhe shefin e Kabinetit të Presidentes, Blerim Vela dhe të shoqëruar nga Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç, Ministri i Punëve të Jashtme Gordan Grliç Radman, Ministri i Shëndetësisë Vili Berosh dhe Ministri i Mbrojtjes Mario Banoziç, kanë vizituar dje  të lënduarit e tragjedisë së djeshme në Kroaci, të cilët ndodhen në spitalin e qytetit Slavonski Brod.

“Vetëm një nga të lënduarit është dërguar për arsye specifike mjekësore në Zagreb, të gjithë të tjerët janë vendosur në spitalin e qytetit. Dy nga pacientët ende ndodhen në trajtim intensiv, njëri prej tyre në gjendje tashmë stabile. Të gjithë të tjerët janë në gjendje stabile shëndetësore dhe shumë prej tyre pritet të lirohen nga spitali gjatë ditës së sotme. Sipas informacioneve të mjekëve kroatë, edhe gjendja e pacientit në Zagreb është e mirë dhe stabile. Në spital i takuam të gjithë pacientët një nga një dhe me secilin prej tyre shkëmbyem nga pak fjalë. Shumë prej tyre, dhe sidomos fëmijët, e kishin të shkruar në fytyrë tmerrin e përjetuar. Në ndërkohë në spital kishin filluar të arrinin familjarët e të lënduarve, të cilët duke u bashkuar me familjet e tyre po ndihmojnë në përmirësimin e shpejtë të gjendjes shpirtërore dhe mjekësore të të lënduarve”, thotë ajo.

Gërvalla ka falënderuar drejtorin e spitalit, Josip Samardziç, mjekët dhe të gjithë personelin shëndetësor siç tha ministrja për përkujdesjen dhe përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm ndaj të gjithë të lënduarve dhe familjarëve të tyre.

“Më pas u takuam me udhëtarët e autobusit, të cilët aksidentin e kishin mbijetuar pa lëndime. Në pensionin, në të cilin ishin vendosur nga qeveria kroate, i gjetëm të grumbulluar rreth një tavoline të madhe. Me shumë shqetësim pyetën për gjendjen e të shtruarve në spital dhe na treguan përjetimet e tyre.  Së bashku me Kryeministrin po kthehemi në Kosovë. Ministrat Sveçla dhe Vitia po vazhdojnë të qëndrojnë në Slavonski Brod nga ku po kujdesen për të gjitha, edhe për udhëtimin për Kosovë të të gjithë atyre që janë në gjendje të udhëtojnë, dhe këta janë shumica. Sapo të jenë kryer procedurat e nevojshme, trupat e atyre që humbën jetën në këtë aksident të tmerrshëm do të sillen në destinacionin e dëshiruar nga familjet e tyre”, shton ajo.

Së bashku me Kryeministrin Kurti, kolegët ministra Sveçla dhe Vitia dhe shefin e Kabinetit të Presidentes, z. Vela dhe…Posted by Donika Gërvalla-Schwarz on Sunday, July 25, 2021

Sot është ditë zie në Kosovë. Ditë gjatë së cilës lutemi për viktimat e kësaj tragjedie dhe të afërmit dhe të dashurit e tyre. Ditë,  e cila na vë edhe më shumë në pah se sa e brishtë është jeta dhe sa i domosdoshëm solidariteti në shoqërinë tonë të rrahur nga sfidat”, thotë Gërvalla.

Related Articles