Festa për zgjedhje pa maska e distancë – A mund të rritet numri i infektuarave me COVID?

Festa për zgjedhje pa maska e distancë – A mund të rritet numri i infektuarave me COVID?

Të dielën e 17 tetorit u mbajtën zgjedhjet lokale në Kosovë, ndërsa menjëherë pas shpalljes së rezultateve nga Exit Poll-i, shumë qytetarë vërshuan rrugëve të qytetit për të festuar “fitoren” e partisë së tyre të preferuar, por pa maska e distancë, për t’u mbrojtur nga infektimi me COVID-19, shkruan Gazeta Enigma.

Infektologu, Hamdi Ramadani i pyetur nga Gazeta Enigma se sa janë gjasat që të rritet numri i të infektuarve me COVID-19 duke pas parasysh grumbullimin e qytetarëve të dielën në mbrëmje u shpreh se kjo mund të vërehet në tri javët e ardhshme.

“Situatën tani e kemi të mirë me numër më të vogël të infektimeve andaj duhet të pritet disa ditë deri në dy ose tri javë dhe do të shohim nëse do të ketë rritje të rasteve me COVID-19”, është shprehur Ramadani.

Sipas Ramadanit, faktorët që mund të ndikojnë në rritjen relative të rasteve me COVID-19 ishin numri i madh i qytetarëve në tubime, pa distance dhe pa maska.

Infektologu, Hamdi Ramadani

Mirëpo, Ramadani ka potencuar se duhet të kemi parasysh tre faktorë që ndikojnë në mos rritjen e të infektuarve me COVID-19 pavarësisht tubimeve apo grumbullimeve të qytetarëve.

“Nuk duhet të harrojmë diçka që në vendin tonë një numër i madh i qytetarëve kanë kaluar sëmundjen COVID-19 në rrugën natyrale dhe ky është një grup relativisht shumë i madh i qytetarëve që e kanë kaluar dhe në organizmin e tyre kanë mbrojtje solide të fituar në rrugë natyrale kundër COVID-19”.

“Së dyti e kemi masën po ashtu të madhe të qytetarëve të cilët kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19 edhe kjo do ta mundësoj që mos të rritet numri i të infektuarve ose mos të dyfishohen këto shifra të kohëve të fundit sepse këta persona me vaksinim komplet e kanë mbrojtjen solide”.

“Dhe së treti është një numër konsiderueshëm i madh që kanë marrë edhe vetëm një dozë të vaksinës antiCOVID dhe kjo sadopak do të ndikoj që situata me infeksion dhe rritje të saj të mund të mos jetë shumë e lartë”, ka përfunduar Ramadani.

Kurse, në ditën e zgjedhjeve të 17 tetorit u raportua për falsifikimin e rezultateve të votave, keqpërdorim i të drejtës së votimit, parandalim i ushtrimit të së drejtës për të votuar, cenim I fshehtësisë së votimit, fotografim fletëvotimin dhe pengim të procesit të votimit.

LEXO EDHE: Të gjitha incidentet që ndodhën gjatë procesit zgjedhor        

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi, ka deklaruar për Gazetën Enigma se gjoba të shqiptuara për masat antiCOVID në ditë e zgjedhjeve lokale janë 393 gjoba, ashtu edhe siç u raportua në ditën e hënë nga raporti i Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, sipas Ministrisë së Shëndetësisë numri i të infektuarve me COVID-19 nga dita e hënë deri të enjten ka arritur deri në 50 raste.

Partitë që filluan festën për fitore pas orës 19:00 të dielën me 17 tetor

Pasi Exit Polli në Skenderaj tregoi se fitues ishte Bekim Jashari me 54.8%, dhjetëra qytetarë ishin mbledhur në selinë e Ideal-it për te festuar fitoren.

Kurse nga rezultatet e KQZ-së, kandidati i PDK-së, Fadil Nura doli të jetë fitues me 57.99%, ku menjëherë përkrahësit e Sami Lushtakut të cili i ishte mohuar kandidimi dolën nëpër rrugët e Skenderajt duke e thirrur emrin e tij dhe duke festuar fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës.

Në këtë festë u raportua vetëm për një incident, plagosja e një 33 vjeçari, por jo për thyerje të rregullave antiCOVID.

Po ashtu edhe në selinë e LDK-së, kandidati për kryetar të Prishtinës Përparim Rama, filloi festën bashkë me simpatizantë, ani pse pavarësisht Exit Poll-it fitues në kryeqytet ishte Lëvizja Vetëvendosje, në krye me Arben Vitën.

Simpatizantët e po të njëjtës parti gjithashtu festuan para selisë së LDK-së në Gjilan.

Kandidati i LDK-së për Pejë, Gazmend Muhaxheri, gjithashtu doli nëpër rrugët e qytetit i shoqëruar nga një numër i madh i njerëzve duke festuar fitoren në këtë komunë.

Po ashtu pas mbylljes së vendvotimeve në komunën e Ferizajt, kryetari Agim Aliu doli në konferencë për media duke shpall fitoren për këto zgjedhje.

Edhe kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, u paraqit në media duke festuar në mesin e simpatizantëve ku shihej grumbullim i qytetarëve pa distancë fizike dhe disa prej tyre edhe pa maska./Gazeta Enigma/.

Related Articles