FMN-ja publikon raportin për Kosovën: Ngadalësim i ekonomisë, rritje e inflacionit dhe rreziqe nga pasiguria politike

FMN-ja publikon raportin për Kosovën: Ngadalësim i ekonomisë, rritje e inflacionit dhe rreziqe nga pasiguria politike

Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) të enjten ka vlerësuar në raportin e fundit se ekonomia e Kosovës ka vazhduar të rritet, por me ritëm më të ngadalshëm, raporton Gazeta Enigma.

Nga FMN-ja, pas një viti me bllokadë politike, aktiviteti ekonomik është ngadalësuar. Rritja reale e Bruto Produktit të Brendshëm (BPB) ra në 3.6% në vitin 2025, nga 4.6% në vitin 2024. Kjo erdhi si pasojë e rënies së eksporteve dhe dobësimit të kërkesave nga sektori privat, por u kompensua pjesërisht nga rritja e shpenzimeve dhe investimeve publike.

Inflacioni në Kosovë, siç thotë FMN-ja, vazhdoi të rritet dhe arriti në rreth 5.7% në janar 2026, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimit.

Deficiti i llogarisë rrjedhëse, që tregon diferencën mes parave që hyjnë dhe dalin nga shteti, u rrit në 9.2% të BPB-së, kryesisht për shkak të rritjes së importeve, sidomos të energjisë dhe ushqimit.

FMN-ja ka parashikuar që rritja ekonomike në vitin 2026 pritet të jetë 3.3%, ndërsa inflacioni pritet të rritet në 5.9%, pastaj të bjerë gradualisht në 2% deri në vitin 2028.

“Deficiti tregtar do të mbetet i lartë për shkak të importeve të mëdha. Një nga arsyet e rritjes së deficitit në 2026 pritet të jetë edhe ndalja e përkohshme e një termocentrali me qymyr për renovim”, thuhet në publikimin e FMN-së.

FMN-ja ka përmendur edhe rreziqet për ekonominë e Kosovës, si konfliktet në Lindjen e Mesme, tensionet në tregtinë globale, rritjen e çmimeve të produkteve bazë dhe pasigurinë politike (si përshembull zgjedhja e presidentit).

Por, në anën pozitive, siç thotë kjo organizatë, Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian mund të ndikojë pozitivisht në rritje ekonomike dhe punësim nëse zbatohet me kohë.

FMN-ja i ka rekomanduar Kosovës të mos rrisë shumë shpenzimet buxhetore në vitin 2026, të ruajë stabilitetin makroekonomik, të rrisë investimet publike, të rrisë të hyrat buxhetore, të përmirësojë menaxhimin e financave publike, të forcojë mbikëqyrjen e sektorit bankar, të monitorojë kreditë dhe tregun e patundshmërive, të bëjë reforma strukturore për të rritur konkurrueshmërinë, të ulë papunësinë dhe të rrisë pjesëmarrjen e grave në tregun e punës, të zvogëlojë ekonominë joformale dhe të përmirësojë sektorin e energjisë.

Në fund, FMN-ja ka vlerësuar se ekonomia e Kosovës ka perspektivë pozitive, por përballet me rreziqe nga situata politike dhe zhvillimet ndërkombëtare. Për këtë arsye, kërkohen reforma, kontroll i shpenzimeve dhe investime më të mençura në mënyrë që ekonomia të rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe të afrohet me standardet e BE-së.

Related Articles