Policia e Kosovës ka arrestuar një person me inicialet L.F, i cili dyshohet për vrasjen e një personi që ishte raportuar i zhdukur nga familjarët, trupi i pajetë i të cilit është gjetur sot në mallet e fshatit Manstirc i Komunës së Ferizajt.
Në njoftimin e Policisë thuhet se trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë (IML). Në njoftim thuhet se Prokuroria në koordinim me Policinë, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së gjitha rrethanave lidhur me këtë çështje penale.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, të dyshuarin me iniciale L.F., për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Pas hetimeve të ndërmarra nga ana e hetuesve rajonal të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është arritur të identifikohet dhe ndalohet i dyshuari L.F., lidhur me rastin kur fillimisht një person me inicialet B.V., është raportuar i zhdukur nga familjarët e tij dhe sot më datën 05 Shkurt 2025, është gjetur trupi i pajetë i të ndjerit B.V., në malet e fshatit Manastirc të komunës së Ferizajt”, thuhet në njoftim.