Ish-emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, ka reaguar në 3-vjetorin e Marrëveshjes së Washingtonit, të arritur mes Kosovës e Serbisë në Zyrën Ovale.
Grenell tha se në përvjetorin e tretë të marrëveshjes, të cilën ai e quajti historike, duhet pranuar se marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë janë përkeqësuar.
“Sot, në përvjetorin e tretë të Marrëveshjes historike të Uashingtonit të nënshkruar në Zyrën Ovale nga qeveritë e Serbisë dhe Kosovës dhe të kryesuar nga presidenti Trump, jemi të detyruar me trishtim të pranojmë se marrëdhëniet mes këtyre dy miqve të Amerikës janë përkeqësuar”.
“Më shumë se dy vjet e gjysmë pasi Donald Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë, marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës kanë përjetuar një braktisje të udhëheqjes diplomatike, politike dhe ekonomike nga Joe Biden”, thuhet në letrën e Grenellit.
Tutje, Grenell tha se është naive të llogaritet në zgjerimin e bizneseve në rajon, ku siguria fizike e njerëzve dhe aseteve garantohen nga prania e trupave të NATO-s.
“Në dy vitet e gjysmë të fundit, dhuna ndërmjet palëve është rritur, varësia nga trupat e NATO-s është rritur dhe perspektivat ekonomike – veçanërisht në Kosovë – janë dobësuar. Vendimi i Presidentit Biden për t’ia dorëzuar angazhimin diplomatik dhe ekonomik amerikan në rajon paralizës së analizës së Bashkimit Evropian i ka bërë gjërat më keq, jo më mirë”, thuhet tutje në letrën e Grenellit.
Më tej, ish-emisari special tha se Marrëveshja e Washingtonit parashikonte një të ardhme ekonomike të përbashkët dhe në rritje për Kosovën e Serbinë, të cilat sipas tij, hoqën barrierat tregtare, ndërtuan lidhje të reja të transportit ajror e tokësor
“Qeveria serbe ra dakord të diversifikonte furnizimin e saj me energji larg Rusisë dhe Qeveria e Kosovës ra dakord të përdorte studimin e fizibilitetit të Qeverisë së ShBA-së për Liqenin e Ujmanit (i referuar në mënyrë neutrale si Liqeni Trump) për të zhvilluar mundësi burimesh ujore, duke përfshirë energjinë e pastër”.
Grenell tha se arritjet e epokës së Trumpit, u zhbënë pas dështimit të administratës Biden dhe homologëve në BE për të zgjatur moratoriumin e rënë dakord për Kosovën, i cili parashihet që për një vit të mos ketë kërkesa nga pala kosovare për anëtarësime në organizata ndërkombëtare, në këmbim të një moratoriumi njëvjeçar që Serbia ta ndalte fushatën e çnjohjes kundër Kosovës.
“Duhet bërë më shumë nëse duam të shohim paqe dhe prosperitet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, mjerisht, Joe Biden dhe administrata e tij e kanë bërë të qartë se Ballkani dhe njerëzit e tij nuk janë prioriteti i tyre. Është e qartë se njerëzit e Kosovës, Serbisë dhe më gjerë të Ballkanit përfituan shumë nga qëndrimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe unë sinqerisht shpresoj se do të shohim një tjetër administratë Trump për ta bërë edhe një herë rajonin e Ballkanit një prioritet kryesor për Shtetet e Bashkuara”, tha Grenell.