Kërkesat ndaj Kurtit për raportim në Kuvend për takimet e Brukselit, “në vesh të shurdhët”

Kërkesat ndaj Kurtit për raportim në Kuvend për takimet e Brukselit, “në vesh të shurdhët”

Brenda një muaji, kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti dy herë u ballafaqua me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, shkruan Gazeta “Enigma”.

Në bazë të deklaratave të Kurtit dhe Vuçiq, të dy këto takime përfunduan pa rezultate konkrete.

Por, për suksesin, apo dështimin e këtyre takimeve, Kurti nuk “u rrëfye” asnjëherë para Kuvendit, ndonëse një gjë e tillë ju kërkua atij vazhdimisht.

Deputetët nga blloku opozitar, njëzëri po kërkojnë që kryeministri Kurti të jetë transparent në procesin e dialogut, sepse sipas tyre duke mos raportuar në Kuvend po shkelen parimet e proklamuara nga vet Kurti.

LDK e AAK: Kurti shkeli parimet e tij

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi, deklaroi se Kurti tashmë i ka shkelur gjitha parimet e tij në raport me dialogun, duke i kërkuar atij që të raportoj sa më parë në Kuvend.  

“Z.Kurti e keni nisur gabim dialogun, madje i keni shkelur edhe parimet e tua. A i përmende të pagjeturit në takim, çka do t’i thoni qytetarëve që ju keni premtuar se nuk hyni në takim, pa e gjetur edhe të pagjeturin e fundit. Po ju pyes meqë nuk keni raportuar në Kuvend për këtë takim”, ka thënë Krasniqi në seancën e së enjtes.

Ajo po ashtu e pyeti kryeministrin se “Çka ndodhi që e harruat transparencën për dialogun?”.

Të njëjtat kritika, e të njëjtën kërkesë e pati edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri.

“Në tema të cilat kërkohet vota jonë ka nevojë për debat, ky debat mungon dhe arroganca e numrave është e pranishme. Kërkojmë të ulemi të diskutojmë për këto zhvillime”, ka thënë ai.

“Pa përfshirjen e SHBA-ve, s’ka zhvillime konkrete në dialog”

Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani për Gazetën “Enigma”, ka thënë se në situatën të cilën ndodhet dialogu Kosovë – Serbi nuk pritet rezultate konkrete drejt marrëveshjes përfundimtare. Madje sipas tij për të pasur sukses dialogu duhet të përfshihet edhe ShBA-ja.

“Duhet të ketë një  marrëveshje konkrete, pra një draft ku palët diskutojnë rreth atij drafti. Një dokument i cili do të ishte konkret dhe do të përshinte njohjen e Kosovës nga Serbia dhe marrëveshjen për çështje e pakicave në Kosovë dhe Serbi. Duhet te ndërhyj BE dhe SHBA-ja, dhe pa ato nuk ka asnjë shpresë se mund të arrihet ndonjë zgjidhje”, ka thënë tutje ai.

Ndërkaq, Arton Demhasaj, nga organizata “QOHU”, vlerëson se Serbia ka qëndrime të kundërta dhe se BE-ja si ndërmjetësuese e dialogut nuk ka dhënë ndonjë shenjë pozitive.

“Mendoj se ajo marrëveshje është e vështirë për t’u nënshkruajtur për shkak se ne kemi parë se Serbia ka qëndrim krejt kundër dhe as që ka pranuar të diskutoj për atë temë, por njëkohësisht kemi parë që as Brukseli nuk është  që ka jep ndonjë shenj pozitive sa i përket asaj marrëveshje”, ka thënë ai.

Demhasaj tha se kryeministri i Kosovës , Albin Kurti, duhet  të insistoj në arritjen e një marrëveshje finale, dhe jo në marrëveshje të tilla të cilat do të mbesin vetëm në letër.

Takimi i fundit, midis krerëve të nivelit të lartë të Kosovës dhe Serbisë, u mbajt të hënën më 19 korrik në Bruksel, nën mbikëqyrjen e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe përfaqësuesit të lartë të BE-së, Miroslav Lajçak.

Pas këtij takimi, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kanë akuzuar njëri-tjetrin për mungesë të vullnetit që procesi i dialogut të ecë përpara./Gazeta Enigma.  

Related Articles