“Koalicioni më i fuqishëm VV-PDK, por do të ishte Qeveri bërrylash”

“Koalicioni më i fuqishëm VV-PDK, por do të ishte Qeveri bërrylash”

Hulumtuesi në Institutin për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Belgzim Kamberi, ka thënë se Qeveria e përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës do të ishte qeveria më e fuqishme dhe më stabile. 

Megjithatë sipas tij, një përbërje e tillë e ekzekutivit do të ishte “qeveri bërrylash”.

“Mendoj se ka pas gjasa që të shkojmë në zgjedhje të reja. Edhe një Qeveri që do të ishte më e qëndrueshme si LVV-PDK apo LVV-LDK nuk do të thotë se do të ishte e qëndrueshme afatgjatë. Nëse e marrim nga perspektiva logjike, Qeveria më stabile, më e fuqishme do të ishte një qeveri Vetëvendosje-PDK, por një qeveri e tillë do ta shtronte një pikëpyetje të rëndësishme; a do ta pranonte PDK-ja kryeministër z.Kurti? Kjo qeveri do të ishte ‘Qeveri bërrylash’”, ka thënë ai të enjten në “Interaktiv” të KTV-së.

Ai tutje ka vlerësuar se është vështirë të parashikohet një Qeveri e re pa ndërhyrje nga jashtë. 

“A do të ketë ndërhyrje nga jashtë dhe kush do të ndërhyjë nga jashtë? Jemi në një situatë që faktorët ndërkombëtar që do të mund ta lehtësonin këtë proces kush janë sot? Është një situatë ku Bashkimi Evropian ka një pozitë të dobësuar tashmë pas ardhjes së Administratës Trump dhe duket se BE-ja ka humbur ndikimin dhe fuqinë e saj edhe brenda vetes, por edhe në raport me Ballkanin Perëndimor. Logjika e kërkon që një përfshirje do ta kishte Administrata Trump, por kjo nuk është e siguruar pasi mund të jemi në një situatë ku Administrata Trump nuk tregon interesim për t’u marrë me Ballkanin Perëndimor dhe ia lë këtë proces BE-së”, ka thënë ai. 

Derisa ka folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Kamberi ka deklaruar se ekziston rreziku që Kosova të jetë vetëm temë e bisedimeve dhe jo palë. 

“Tashmë ka ardhur një rrezik i ri që Kosova mund të jetë vetëm temë e negociatave dhe jo palë. Jemi në një situatë ku SHBA-ja me Rusinë kanë pretendime për ta zgjidhur një kontest lufte në kontinentin evropian duke e marrë primatin e zgjidhjes dhe duke lënë në margjina BE-në”, është shprehur ai. 

Related Articles