Konfirmohet seanca e jashtëzakonshme nga Kuvendi i Kosovës

Konfirmohet seanca e jashtëzakonshme nga Kuvendi i Kosovës

Pas kërkesës së kryeministrit, Albin Kurti për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës përmes një njoftimi për media ka konfirmuar se të shtunën në ora 14:00 do të mbahet seanca ku diskutohet mbi referendumin e Serbisë në Kosovë, raporton Gazeta Enigma.



Zyra e kryeministrit bëri të ditur, të premten se në seancë do të synohet të nxirret një rezolutë e përbashkët ku shprehet vullneti i deputetëve për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.

“Diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi çështjen e lartshënuar”,thuhej në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Ndërsa, Kuvendi i Kosovës njofton se “Rendi i ditës 1. Diskutim në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës”.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se serbët e Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes dy formave, asaj me postë dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

Ambasadorët e ShBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Francës e Italisë sot i kanë shkuar në zyrë edhe presidentes Vjosa Osmani. Pas këtij takimi të përbashkët ka folur kryeministri Albin Kurti, i cili ka treguar se do të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për nesër, derisa do të dal sot me një komunikatë të përbashkët me Kuvendin dhe Presidencën.

Qytetarët e Serbisë, më 16 janar, do të deklarohen me “po” apo “jo” për një pyetje: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është obliguar për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Siç kanë shpjeguar vazhdimisht përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundim të ligjit.

/Gazeta Enigma/

Related Articles