Stagnimi në sistemin e drejtësisë vazhdon të jetë prezent në Kosovë. Një gjë e tillë theksohet në gjitha raportet ndërkombëtare që Bashkimi Evropian harton për Kosovën. Kryefjala e secilit raport mbetet kërkesa për përmirësim të sektorit të drejtësisë, dhe intensifikimin e luftës në krimin e organizuar dhe korrupsionin, shkruan Gazeta “Enigma”.
Madje pikërisht duke proklamuar se mund ta luftojnë korrupsionin, Lëvizja Vetëvendosje një subjekt i cili asnjëherë nuk ishte në pushtet, arriti ti fitonte dy herë zgjedhjet gjatë dy viteve të fundit.
Aktualisht kjo Qeverisë, përkatësisht, ministria e Drejtësisë, në krye me Albulena Haxhiun, ka nisur procesin e kërkuar tashmë disa vite nga ndërkombëtarët, atë të Vetingut.
Më 13 tetor të vitit 2021, ideja e Vetingun filloi të marr formë.
Në këtë ditë hapat u bënë hapat e parë drejt nisjes së vetingut në sistemin e drejtësisë nga Qeveria e Kosovës.
Anëtarët e kabinetit qeveritar kanë dhënë pëlqimin e tyre për koncept-dokumentin për zhvillimin e këtij procesi.
Sipas kryeministrit Albin Kurti, ndryshimet kushtetuese dhe ato ligjore janë dy mundësitë e propozuara nga grupet punuese për të bërë një gjë të tillë.
“Vetingu do të bëhet përmes një mekanizmi të pavarur nga gjyqtarët dhe jo nga gjyqtarët të zgjedhur nga Kuvendi dhe Presidenca, për hir të balancimit të pushteteve me prani të ndërkombëtarëve. Koncept-dokumenti që kemi përpara i hap rrugë këtij procesi kaq të rëndësishëm për forcimin e drejtësisë dhe demokracisë në shtetin tonë”, tha Kurti.
Pas miratimit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se planifikojnë që me vetingun të fillojnë nga vitit i ardhshëm e i gjithë procesi të përmbyllet brenda një periudhe 5-vjeçare.
“Planifikimet tona janë që brenda këtij viti dhe fillimit të tremujorit të parë të vitit të ardhshëm të punojmë në amendamentet kushtetuese dhe po ashtu në ligjin e veçantë për vetingun. Ndërsa pjesa e dytë e vitit të ardhshëm të themelohet komisioni, mekanizmi i vetingut për sistemin e drejtësisë”, tha Haxhiu.
Ekzekutivi, ndër të tjera, ka marrë vendim për shkarkimin e bordit të drejtorëve të kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hidrodrini Pejë”.
Sipas zëvendës-kryeministrit Besnik Bislimi, kjo kompani ka dështuar të bëjë kontrollin e duhur të cilësisë së ujit të pijshëm, gjë që, siç tha ai, ka çuar në helmimin e dhjetëra qytetarëve në Deçan.
IKD: Prokurori i Shtetit nuk ka pasur rol proaktiv në luftimin e korrupsionit
Më 11 dhjetor, Instituti i Kosovës për Drejtësi, nëpërmjet raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, “Ndjekja dhe gjykimi i korrupsionit në prokurimin publik”, kanë bërë të ditur se Prokurori i Shtetit nuk ka ngritur asnjë aktakuzë me vetiniciativë dhe nuk ka bashkëpunuar me institucione të tjera për parandalimin e korrupsionit.
Sipas tyre, as këto të fundit, përveç Policisë së Kosovës nuk kanë paraqitur denoncim për korrupsion në prokurim publik.
Gzim Shala, hulumtuesi i lartë në IKD, ka deklaruar se ka pasur një pasivitet sa i përket luftës së korrupsionit në fushën e prokurimit publik. E që sipas tij ky pasivitet është shfaqur edhe në sistemin gjyqësor.
“Prokurori i Shtetit gjatë kësaj periudhe kohore nuk ka pasur një rol proaktiv në luftimin e korrupsionit në fushën e prokurimit publik dhe kjo vërtetohet edhe nga faktet se gjatë gjithë kësaj periudhe nuk e kemi asnjë rast i cili është iniciuar nga ana e Prokurorit të Shtetit me vet-iniciativë mbi bazën e gjetjeve”, ka deklaruar Shala.
Nga ky Institut kanë thënë se nuk ka pasur bashkëpunim mes Prokurorit të Shtetit me instuticionet tjera.
“Kjo për faktin se në vitin 2020, përjashtimisht Policisë së Kosovës, asnjë institucion tjetër nuk ka deponuar në Prokurorinë e Shtetit ndonjë kallëzim penal për keqpërdorim në fushën e prokurimit publik”, ka thënë Shala.
Tutje, Shala ka theksuar se në sistemin prokurorial nuk ka të angazhuar mjaftueshëm ekspertë në fushën e korrupsionit dhe prokurimit publike.
“Sistemi prokurorial i ka vetëm gjashtë ekspertë në këtë fushë dhe të gjithë janë të angazhuar në Prokurorinë Speciale dhe nuk janë të angazhuar edhe në prokuroritë tjera themelore të cilat trajtojnë rastet e korrupsionit në fushën e prokurimit publik”, ka thënë ai.
Hulumtuesi Mirvet Thaçi, ka përmendur edhe mungesën e rezultateve konkrete nga ana e sistemit të drejtësisë tek fusha e konfiskimit të pasurisë.
Sipas Thaçit, ky sistem nuk është i vëmendshëm sa i përket domosdoshmërisë së luftimit dhe parandalimit të keqpërdorimeve në fushën e prokurimit publik.
“Gjatë vitit 2020 në asnjërën prej këtyre nuk kemi kërkesa për sekuestrim apo konfiskim përfundimtar të pasurisë të përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Derisa te aktakuzat e ushtruara gjatë vitit 2021 është bërë vetëm një kërkesë e tillë dhe është propozuar konfiskimi i një veture në pronësi të të pandehurit”.
Ai shtoi se, “një gjetje të tillë e ka konstatuar IKD vazhdimisht tek rastet e korrupsionit, mirëpo kjo problematikë po bartet edhe te rastet e keqpërdorimit në fushën e prokurimit publik”.
Në këtë raport thuhet se nuk janë respektuar as afatet ligjore në trajtimin e këtyre rasteve. Gjatë vitit të kaluar në katër rastet e përfshira në këtë hulumtim nuk është caktuar asnjë seancë gjyqësore.
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka rekomanduar që Prokurori i Shtetit të ketë rol proaktiv në hetimin e rasteve në Prokurimin Publik duke iniciuar raste me vetiniciativë.
Lansimi i Indeksit të Integritetit në sektorin e Mbrojtjes (GDI2020)
Gjatë muajit dhjetor, Transparency International Defence & Security, pati bërë lansimin e Indeksit të Integritetit në sektorin e Mbrojtjes (GDI2020), ku 86 shtete janë matur kundrejt masave të tyre mbrojtëse kundër korrupsionit në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë.
Kosova u bë për herë të parë pjesë e këtij vlerësimi në 2020.
GDI bën vlerësimin e 86 sektorëve të mbrojtjes, në pesë shtylla me rrezikshmëri: financat, operacionet, personeli, politikat dhe prokurimi, përpara se të caktojë një rezultat të përgjithshëm.
Ai përdor shkallën e mëposhtme:
Në bazë të 75 treguesve të përdorur në këtë matje, KDI ka theksuar se Kosova ka shënuar si në vijim në pesë fushat e rrezikut, duke marrë 42 pikë në total nga 100.
Sipas GDI, Kosova, duke qenë një lojtar i ri i sigurisë në rajon, ende po zhvillon aftësitë e saj mbrojtëse dhe rreziqet e korrupsionit në këtë sektor janë të larta.
Tutje nga GDI, patën potencuar se, përderisa Kosova ka një kornizë të fortë legjislative për mbrojtjen, ende mbetet një boshllëk i dukshëm në zbatim, i cili sipas tyre ka rezultuar në mbikëqyrje të dobët parlamentare, transparencë të dobët, procedura të fshehta të prokurimit dhe një mjedis të pasigurt për sinjalizuesit.
Sipas GDI, në nivel rajonal, ndërkohë që Bosnja dhe Hercegovina janë vlerësuar me rrezik të moderuar, Shqipëria, Kosova dhe Serbia janë vlerësuar të kenë rrezik të lartë korrupsioni në këtë sektor.
Raporti për Kosovën mund të gjendet në: https://kdi-kosova.org/publikimet/indeksi-i-integritetit-te-sektorit-te-mbrojtjes-gdi-raporti-per-kosoven/
283 raste të korrupsionit presin verdiktin e gjykatave
Gjatë javës kundër korrupsionit, më 6 dhjetor, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) kishte shpalosur të gjeturat e raportit të monitorimit: “Monitorimi i Sistemit Gjyqësor dhe Prokurorial në Kosovë për periudhën Prill-Shtator 2021”.
Në raport përfshihet rrjedhshmëria e rasteve të korrupsionit, krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parave në gjykatat e vendit, dhe çështjet që e karakterizuan sistemin gjyqësor e prokurorial këtë periudhë.
Gjatë periudhës prill-shtator, numri më i madh i rasteve të zgjidhura nëpër gjykatat në nivel vendi i takon veprave penale të natyrës korruptive me gjithsej 57 raste të zgjidhura ndërkaq që rezultatet janë dukshëm më të vogla kur flasim për krimin e organizuar dhe shpëlarjen e parave.
Ndërkaq që edhe më tutje si shqetësuese mbetet numri i madh i rasteve të korrupsionit që presin verdikt final në gjykatat themelore në nivel vendi, numër ky i cili shkon në 283 raste.
Rreze Hoxha-Zulaj nga GLSP, ka thënë se gjatë kësaj periudhe të raportimit sistemin gjyqësor sikurse edhe në periudhat e kaluara të raportimit, e karakterizoi numri më i madh i lëndëve të zgjidhura të natyrës korruptive, ndërkaq që rezultatet janë të vogla në raport me lëndët e krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parave.
Sipas saj, ajo që e karakterizoi këtë periudhë të raportimit ishte respektimi në vazhdimësi i vendime të KGJK dhe KPK nga ana e gjykatave në drejtim të mbarëvajtjes së seancave gjyqësore nëpër gjykatat në nivel vendi, të cilat vendime ishin në përputhje edhe me vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Ajo më tej kishte shtuar se si rezultat pozitiv gjatë kësaj periudhe është shënuar rritja e shqiptimit të dënimeve plotësuese nga ana e gjykatave në nivel vendi për veprat penale të natyrës korruptive, për të cilat Drejtësia Sot ka rekomanduar në vazhdimësi.
Sipas saj, është mjaft shqetësuese fakti i mospërputhjes të të dhënave në mes të gjykatave dhe prokurorive në nivel vendi.
“Një rrethanë e tillë gjatë përpilimit të këtij raporti është vërejtur më së shumti në të dhënat e pranuara nga ana e gjykatave dhe numrin e aktakuzave të ngritura nga ana e Prokurorive”.
Mbi 50% e bizneseve në Kosovë thonë se ka korrupsion në prokurimin publik
Më shumë se 50% e bizneseve në Kosovë janë deklaruar se korrupsioni është i pranishëm në prokurimin publik, sipas një hulumtimi që ka kryer Lëvizja “FOL”, I cili ishte publikuar në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit.
Gjysma e bizneseve të anketuara mendojnë se korrupsioni në prokurim publik është i pranishëm. Kështu u tha nga gjetjet e fundit të hulumtimit “Perceptimet e sektorit privat rreth prokurimit publik“.
Yllka Buzhala nga FOL, në një deklaratë për medie, ishte shprehur se bizneset e anketuara aktualisht konsiderojnë se situata me pandeminë COVID-19 është njëra ndër sfidat kryesore me të cilat ata po ballafaqohen.
“Pas kësaj përmendet mungesa e investimeve të huaja me 14 për qind, ndjekur nga korrupsioni me 9 për qind, mungesa e fuqisë punëtore me 8 për qind dhe burokracia e institucioneve me 6 për qind. Megjithëse nuk e konsiderojnë korrupsionin si sfidën kyçe aktualisht, afërsisht një në katër prej tyre mendojnë se trajtimi i favorshëm në procedura të hapura me 28 për qind, përshpejtimi i një procedure burokratike me 26 për qind, shmangia e dënimeve me 23 për qind janë arsye që i shtyjnë bizneset të përfshihen në korrupsion”.
Ndërsa, Ardi Shatri nga FOL, ka thënë se mbi gjysma e bizneseve mendojnë se korrupsioni në prokurim publik është i pranishëm.
“Nga këto biznese, rreth një në tre mendojnë se faktorët që lehtësojnë ndikimin e korrupsionit në prokurim publik janë pandëshkueshmëria me 35 për qind, zvarritja e proceseve gjyqësore me 32 për qind dhe mosraportimi i korrupsionit me 32 për qind. Më pak mendojnë se zbrazëtitë ligjore me 20 për qind, apo mungesa e vullnetit politik me 19 për qind lehtësojnë korrupsionin”, ka theksuar Shatri.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 31 tetor miratoi konventën kundër Korrupsionit, e cila ka hyrë në fuqi në dhjetorë të vitit 2005. / Gazeta Enigma.