ShBA-ja më e forta, e Kosova ndër më të dobëtat.
Ky është klasifikimi që ka bërë për vitin 2024 “Global Firepower”, ueb-faqe kjo e specializuar në të dhënat globale mbrojtëse, në lidhje me ushtritë më të forta dhe më së paku të forta në botë.
Pas ShBA-së që gjendet në vendin e parë, në listë renditen Rusia dhe Kina, në vendin e dytë dhe të tretë, respektivisht.
Në top-10 janë edhe India, Koreaja e Jugut, Britania e Madhe, Japonia, Pakistani dhe Italia.
E në krejt anën tjetër të medaljes gjendet vendi ynë, i cili është renditur në vendin e 135-të, nga 145 vende që janë studiuar.
Nga vendet e rajonit, ushtrinë më të fuqishme e ka fqinji ynë verior, Serbia, e cila renditet në pozitën e 55-të. Pas saj është Kroacia e 66-ta, pastaj Shqipëria e 90-ta, Maqedonia e Veriut e 110-ta dhe Mali i Zi i 129-ti, raporton Klankosova.tv.
Në vendin e fundit është Butani, i ndjekur nga Moldavia, Suriname, Somalia, Benini, Liberia, Belizeja, Sierra Leone dhe Republika e Afrikës Qendrore.
Sipas uebfaqes “Global Firepower”, Renditjet e Fuqive Ushtarake bazohen në mbi 60 faktorë, si numri i ushtarëve, pajisjet ushtarake, stabiliteti financiar, lokacioni gjeografik dhe resurset në dispozicion, të cilat akumulohen në një kategori “PowerIndex” ku nota më e ulët nënkupton shkathtësi më të fuqishme ushtarake.
Ata thonë se 145 vendet janë renditur duke përdor formulën e pronësisë, e cila mundëson krahasim të barabartë të fuqisë ushtarake midis kombeve, pavarësisht madhësisë apo avancimit të tyre teknologjik.
Top-20 vendet me ushtritë më të fuqishme:
- ShBA
- Rusia
- Kina
- India
- Koreja e Jugut
- Mbretëria e Bashkuar
- Japonia
- Turqia
- Pakistani
- Italia
- Franca
- Brazili
- Indonezia
- Irani
- Egjipti
- Australia
- Izrael
- Ukraina
- Gjermania
- Spanja
15 vendet me ushtritë më së paku të forta
- Mauritania
- Gaboni
- Madagaskari
- Panamaja
- Kosova
- Islanda
- Republika e Afrikës Qendrore
- Sierra Leone
- Belizja
- Liberia
- Benini
- Somalia
- Suriname
- Moldavia
- Butani