Kosova rimëkëmbet ekonomikisht në fund të vitit 2022, propozohet ulja e TVSh-së për gastronominë

Kosova rimëkëmbet ekonomikisht në fund të vitit 2022, propozohet ulja e TVSh-së për gastronominë

Sipas ekspertëve të çështjeve të ekonomisë, Kosova do të ringjallet ekonomikisht kah fundi i vitit 2022, raporton Gazeta Enigma.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka ka thënë se pakoja e rimëkëmbjes duhet të jetë më proporcionale sa i përket ndikimit që ka pasur pandemia Covid-19 te secili sektor.

Madje, ai tha se Qeveria duhet t’i përkrahë financiarisht ndërmarrjet më të goditura siç është sektori i Horekas, ndërtimtarisë, transportit.

“Pakoja e rimëkëmbjes duhet të jetë më proporcionale në kuptimin që duhet të ketë një analizë të sektorëve varësisht nga shpallja e ndikimit që pandemia Covid-19 ka pasur te secili sektor”.

“Ne si Odë Amerikane kemi propozuar Qeverisë që të bëjë një klasifikim të bizneseve varësisht nga bizneset që janë ndikuar në masë 20%, 40%, 60% dhe 80% dhe pastaj edhe pakot që do të dizajnohen nga Qeveria për këtë qëllim do të adresonin në mënyrë adekuate ndikim që ka pasur pandemia në to. Masat duhet të jenë përkrahëse financiare sidomos në ndërmarrjet më të goditura siç është sektori i Horekas, ndërtimtarisë, transportit”.

Zeka theksoi se Oda Ekonomike Amerikane ka propozuar ulje të TVSh-së për sektorin e gastronomisë meqenëse ky ka efekte deri te prodhuesit e produkteve bujqësore e edhe përpunuesit e ushqimit.

“Duhet të ketë ulje të TVSh-së. Nëse e analizojmë atë se çfarë kanë bërë shtetet e Bashkimit Evropian është masa më e lehtë e zbatueshme dhe masa e cila ka efekte të tjera zinxhirore. Oda Ekonomike Amerikane ka propozuar ulje të TVSh-së për sektorin e gastronomisë meqenëse ky ka efekte deri te prodhuesit e produkteve bujqësore edhe përpunuesit e ushqimit”.

“Duhet të ketë ulje të TVSh-së edhe te aktivitet e turizmit sepse është koha kur do të kemi fluks më të madh të diasporës dhe të shfrytëzohet kjo ulje e TVSh-së për rritje të aktivitetit ekonomik”, tha ai.

Sipas tij, Kosova do të ringjallet ekonomikisht kah fundi i vitit 2022.

“Kemi pasur disa shqetësime nga ana e bizneseve anëtare për sa i përket afrimit të skadimit të këtij afati për shtyrje të detyrimeve kreditore. Jo të gjithë sektorët do të kenë nevojë për shtyrje të mëtejme të detyrimeve kreditore por disa prej ndërmarrjeve siç kanë industria e ahengjeve, e dasmave do të kenë mundësi të shlyejnë detyrimet e tyre qoftë kreditore ose tatimore sepse një vjet e gjysmë kanë qenë në bllokadë totale”.

“Do të ishte mirë që institucionet financiare në koordinim me Bankën Qendrore, Ministrinë e Financave dhe Qeverinë  mund të gjejnë zgjidhje që adreson nevojat e ndërmarrjeve të këtij sektori. Nëse marrim parasysh këtë parashikim që bëri së fundmi Fondi Monetar Ndërkombëtar për një rritje me të kënaqshme ekonomike përgjatë këtij viti dhe ardhjes së diasporës besoj që do të ringjallemi ekonomikisht kah fundi i vitit 2022”.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike në Kosovë, Safet Gërxhaliu ka thënë në një prononcim për Ekonomia Online se Kosova është në stad me 269 milionë euro sa i përket pakos së rimëkëmbjes ekonomike.

Madje, ai tha se është nevoja për një pako gjithëpërfshirëse që do t’i targetojë ata të cilët kanë qenë më të dëmtuarit e që janë bizneset familjare, janë gratë në biznes dhe bizneset e vogla dhe të mesme.

“Kosova është në stad me 269 milionë euro që ka qenë nga pakoja emergjente e marsit të vitit 2020 dhe pakoja për rimëkëmbje e tetorit të vitit 2020. Prandaj në këtë drejtim jemi dëshmitar të asaj që nga këto ndihma shumë më tepër kanë përfituar bizneset që kanë përfituar nga pandemia sesa ato që janë dëmtuar dhe besoj së është nevoja për një pako gjithëpërfshirëse që do t’i targetojë ata të cilët kanë qenë më të dëmtuarit e që janë bizneset familjare, janë gratë në biznes dhe bizneset e vogla dhe të mesme”, shtoi Gërxhaliu.

Sipas tij, në këtë drejtim duhet të mendohet për qytetarë më tepër dhe ndoshta të analizohet mundësia e uljes së TVSH-së për prodhimet e shportës së qytetarëve.

“Është një temë që duhet të analizohet fare mirë që pas pandemisë Covid po ballafaqohemi me pandemi ekonomike dhe pandemia sociale. Në këtë drejtim duhet të mendojmë për qytetarë më tepër dhe ndoshta të analizohet mundësia e uljes së TVSh-së për prodhimet e shportës së qytetarëve. Jemi një shtete që varemi nga importi dhe sot shporta e qytetarit është e stërngarkuar që besoj se nuk mund t’i bëjë ballë aspekti social dhe politika sociale në Kosovë”.

“Vendimet të tilla nuk mund të bien pa një koordinim të mirëfilltë me fondin monetar ndërkombëtar dhe bankën botërore dhe duke pasur parasysh ruajtjen e stabiliteti financiar në Qeverinë e Kosovës”.

Gërxhaliu shtoi se është koha kur duhet të ndahet politika nga ekonomia në mënyrë që të mendohet vërtetë për biznese, ekonomi dhe ndërmarrësi.

“Në praktikat ndërkombëtare nuk kemi një metodë të tillë. Ne kemi fonde për garancione kreditore i cili duhet të fuqizohet, mbikëqyret dhe shtohet dhe ai të jetë garantues i kamatave apo i kredive të volitshme për bizneset”.

“Për momentin një agjendë politike çfarë është duke dominuar në Kosovë ka shumë hapësirë pak për ekonomi dhe për analiza të tilla. Është koha kur duhet të ndahet politika nga ekonomia dhe ekspert të fushë ta thonë fjalën e vet dhe të mendohet që vërtetë për biznese, ekonomi dhe ndërmarrësi të bëhet më tepër se deri më tani”, u shpreh ai.

Related Articles