Kosovarët e liberalizuar drejt rrugëve të BE-së për punë e jetesë

Kosovarët e liberalizuar drejt rrugëve të BE-së për punë e jetesë

Me 1 janar të vitit që po lëmë pas, kosovarët pas shumë viteve pritje, më në fund u ‘çliruan’ nga grilat me të cilët po mbaheshin mbyllur nga shtetet e BE-së. E ndonëse një vit kaloi që nga liberalizimi, ikja e të rinjve dhe kërkesat për azil janë ‘pagesa’ që Kosova po e paguan për heqjen e vizave, shkruan Gazeta Enigma.

Menjëherë pas heqjes së vizave si alarmante është parë rritja e kërkesave të pabazuara për azil që janë bërë nga shtetasit e Republikës së Kosovës në vendet e Zonës së Schengenit.

Në 7 muajt e parë të këtij viti, aplikimet për azil kanë arritur 3.905, kjo rritje është 108% më e lartë se viti 2023.

Disa shtete të BE-së kanë shprehur shqetësim në lidhje me faktin që “kosovarët po keqpërdorin liberalizimin e vizave”, duke ngritur alarmin për mundësinë e abuzimit me këtë mundësi të re për lëvizje të lirë.

“Liberalizimi i vizave duhet të jetë mundësi për lidhje më të afërta me Evropën, jo një derë për t’u larguar nga Kosova”

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, në një intervistë për Gazetën Enigma potencon ikja e të rinjve është alarmante për të ardhmen e vendit.

“Ky eksod masiv, sidomos i forcave të reja dhe të kualifikuara, është alarmant për të ardhmen demografike dhe zhvillimore të vendit. Në vend që të forcohet me kapacitetet e brendshme humane, Kosova po përballet me një rrjedhje të pakontrolluar të trurit, fuqisë punëtore dhe shpresës për ndryshim”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, njëra nga arsyet kryesore e ‘zbrazjes’ së Kosovës është papunësia e lartë.

“Papunësia e lartë, mungesa e politikave të qarta për zhvillimin ekonomik dhe një sistem arsimor i pa orientuar ndaj tregut të punës janë disa nga faktorët kryesorë që i shtyjnë të rinjtë të largohen”, vazhdoi Berisha.

“Ata që po largohen përfshijnë moshat nën moshën 30 vjeç, apo më shumë se 50% e popullsisë së Kosovës”, theksoi deputeti i PDK-së.

Ai thotë se Qeveria e Kosovës nuk ka trajtuar me seriozitet problemin e ikjes së të rinjve.

“Qeveria nuk ka ofruar politika të pamjaftueshme në punësim, mbështetje për bizneset dhe reforma në arsim. Mungesa e strategjive konkrete për mbajtjen e rinisë tregon neglizhencë. Edhe pse liberalizimi i vizave u përshëndet si një hap drejt integrimit evropian, ai ka nxitur largimin masiv të të rinjve. Qeveria duhet të adresojë shkaqet rrënjësore si korrupsioni, mungesa e meritokracisë dhe pengesat në zhvillimin profesional”, shtoi tutje Berisha.

“Liberalizimi i vizave duhet të jetë një mundësi për lidhje më të afërta me Evropën, jo një derë për eksod masiv. Qeveria duhet të zgjohet dhe të veprojë urgjent”, përfundoi ai.

Ikja e të rinjve nga Kosova po shihet si shqetësuese edhe nga LDK-ja.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, potencoi se qytetarët po ikin për shkak të mosvlerësimit në pozita të ndryshme të punës.

“Njerëz më të mirë të administratës po ikin, menaxherë të mirë, kur nuk e len me punu me ligj ai nuk rrinë ka vend më të mirë, edhe policët, edhe ushtarët, edhe shërbimet të tjera të shtetit kapacitetet më të mira po dalin, nuk iu vlerësohet statusi, jo vetëm me kompenzim financiar nuk vlerësohet, sepse ta bien ty prej zyrës të vet politike gjithkënddhe gjithë karrierën tënde ta dërgon dëm”, u shpreh Haziri.

Por çka po i shtynë kosovarët ta lëshojnë vendin?

Eksperti i Ekonomisë Safet Gërxhaliu, si arsyje e të rinjve për t’a lëshuar Kosovën e radhitë edhe çasjen dhe gjuhën e përdorur nga liderët e Kosovës.

“Arritja më e madhe e Kosovës në vitin 2024 pa mëdyshje është liberalizimi i vendit, e cila ka qenë një padrejtësi që u është bërë kosovarëve. Kosova kaloi nëpër procesin e liberalizimit të paktit politik, e pastaj edhe u përfshi nga sanksionet e Bashkimit Evropian. Ndikim të madh tek qytetarët kanë edhe deklaratat e pamatura të liderëve të cilët në masë të madhe e kanë përdorur termin luftë, gjë që ka ngritur panikë tek qytetarët e Kosovës”, tha Gërxhaliu për Enigmën.

Sipas tij, kërkesat për azil në BE e dëshmojnë realitetin e hidhur në Kosovë.

“Shumë të ri po mundohen ta gjejnë vetën jashtë Kosovës, por duhet të dinë se shumë vende të Evropës kanë probleme ekonomike. Kërkesat për azil të kosovarëve e dëshmojnë realitetin e hidhur në Kosovë. Prandaj, është koha që agjendat ekonomike të jenë prioritet dhe jo vetëm ato politike. Nuk i bëhet nderë Kosovës nëse bëhet një shtet nga i cili duhet ikur dhe jo të qëndrohet”, theksoi ai.

Siç thotë ai në rast se kjo valë e migrimit nuk do të zbutet – pasojat janë të rënda për Kosovën.

“Nëse vazhdon ky ritëm i lartë i kërkesave për azil dhe largimi i qytetarëve jashtë vendit, situata ekonomike në Kosovë, veçanërisht në sektorin e tregut dhe punësimit, pritet të përkeqësohet. Rritja e emigracionit do të vazhdojë të shkaktojë mungesë të fuqisë punëtore, duke ndikuar negativisht në shumë industri, përfshirë bujqësinë, ndërtimin.Mungesa e punëtorëve do të çojë në rritje të kostove të prodhimit dhe mund të frenojë rritjen ekonomike, pasi bizneset do të kenë vështirësi në gjetjen e personelit të kualifikuar dhe të gatshëm për punë”, ka thënë ekonomisti.

“Emigrimi i të rinjve dhe punëtorëve të kualifikuar do të kufizojë zhvillimin e potencialeve të sektorëve të ndryshëm ekonomikë. Nëse nuk krijohen mundësi të reja pune dhe politika që inkurajojnë mbajtjen e fuqisë punëtore brenda vendit, Kosova mund të përballet me një krizë të thellë ekonomike, që përfshin uljen e prodhimit, rritjen e papunësisë dhe një ngadalësim të përgjithshëm të zhvillimit ekonomik”, përfundoi eksperti Gërxhaliu.

30 % e qytetarëve e kishin planifikuar braktisjen e Kosovës momentin që liberalizohen vizat

Sipas një raporti nga Instituti për Studime të Avancuara, GAP, afërsisht 30% e qytetarëve të Kosovës kishin në plan të emigronin pas liberalizimit të vizave.

Nga janari deri në korrik të këtij viti, mbi 550 kosovarë kanë aplikuar për azil çdo muaj, një shifër që është dukshëm më e lartë krahasuar me mesataren e gjashtë viteve të fundit.

Në muajt e parë të vitit 2024 3.950 mijë kosovarë kanë bërë kërkesa për azil.

Ndërkohë, numri më i lartë i kërkesave për azil në këtë vit janë shënuar në muajin maj, ku janë regjistruar 765 kërkesa, shumica prej tyre kanë qenë në shtetin francez.

Gjermania dhe Franca dy destinacionet kryesore për azil nga kosovarët

Franca ka qenë destinacion kryesor i kosovarëve që kërkojnë azil në BE qysh nga viti 2018, kur për herë të parë zuri vendin e Gjermanisë si destinacion kryesor.

Megjithatë, Gjermania ka qenë mjaft e synuar nga kosovarët viteve të fundit për arsye se procedurat për punësim kanë qenë më të lehta.

Por, pasi procedurat lejojnë marrjen e vizës së punës përmes një shorti, në kërkesat për azil nuk përfshihen këta persona.

Ndër të tjerat, të dhënat e publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës tregojnë se numri i kërkesave për lirim nga shtetësia, ka qenë në rënie përgjatë vitit 2024.

Vizat për kosovarët u liberalizuan në janar të vitit 2024, gjë që nënkupton që shfrytëzimi i kësaj të drejte nuk nënkupton edhe të punosh në Zonën Schengen.

Kosova kishte kaluar në një proces të gjatë të liberalizmit të vizave./GazetaEnigma/

Related Articles