KQZ përgatit mbi 105 mijë pako për votimin me postë, procesi nis nesër 

KQZ përgatit mbi 105 mijë pako për votimin me postë, procesi nis nesër 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka finalizuar përgatitjen e rreth 105 mijë pakove individuale, secila prej të cilave përmban nga një fletëvotim për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Këto pako janë të dedikuara për votuesit jashtë Kosovës që, gjatë regjistrimit si votues nga diaspora, kanë zgjedhur mënyrën e votimit me postë. Shpërndarja e tyre do të nisë tek votuesit në mbarë botën gjatë periudhës së votimit.

Nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, ku po bëhej përgatitja e pakove, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se deri tani janë përgatitur 75 mijë pako, ndërsa rreth 30 mijë të tjera do të finalizohen gjatë ditës së mërkurë.

“Çdo pako është individuale dhe përmban: 1. Udhëzuesin për procedurën e votimit; 2. Fletëvotimin; 3. Zarfin e fshehtësisë; dhe 4. Zarfin kthyes”, tha Elezi.

Sipas tij, shpërndarja e pakove përmes operatorit ekonomik dhe shërbimeve postare në shtete të ndryshme të botës do të fillojë më 21 maj.

Ai theksoi se votimi me postë jashtë Kosovës do të nisë më 21 maj dhe do të përfundojë më 6 qershor. KQZ u ka bërë thirrje votuesve që të mos presin ditën e fundit për të dërguar pakon me fletëvotim, por ta kryejnë këtë sa më herët, në mënyrë që ajo të arrijë me kohë në kutitë postare dhe të dërgohet në Kosovë për numërim.

Po ashtu, për të lehtësuar procesin e votimit për qytetarët e regjistruar në diasporë, janë vënë në funksion kuti postare në gjithsej 22 shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Mbretëri e Bashkuar, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër. Funksionale është gjithashtu edhe kutia e përhershme postare e KQZ-së në Kosovë.

Related Articles