Krerët e shtetit theksojnë qëllimet destabilizuese të Serbisë, a ka gjasa që të përsëriten sulme terroriste ndaj Kosovës?

Krerët e shtetit theksojnë qëllimet destabilizuese të Serbisë, a ka gjasa që të përsëriten sulme terroriste ndaj Kosovës?

Pas sulmit të 24 Shtatorit në Banjskë, nga grupi terrorist serb, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, krerët e shtetit të Kosovës vazhdimisht kanë bërë thirrje për shtimin e masave të sigurisë, derisa kanë theksuar faktin se ekzistojnë dëshmi që sulmi ka qenë pjesë e një plani më të gjerë për aneksimin e veriut të Kosovës përmes sulmeve të koordinuara, shkruan Gazeta Enigma.

Derisa presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, japin sinjale për destabilizim të mundshëm nga ana e Serbisë, njohës të sigurisë, për Gazetën Enigma, kanë potencuar gjithashtu rreziqet e mundshme që cenojnë sovranitetin e vendit.

“Serbia ka për qëllim të destabilizoj tërë rajonin”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, një konferencë për media pas takimit me senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Ëelch, ka kërkuar që të rriten garancitë për sigurinë e Kosovës dhe të mbrohet kufiri me Serbinë. Ajo ka theksuar gjithashtu se Kosova do të vazhdojë ta kërkojë drejtësinë për rreshterin e rënë në detyrë, Afrim Bunjaku.

Osmani ka shtuar se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për të parandaluar veprime të ngjashme me atë të 24 shtatorit në Banjskë.

“Natyrshëm që takimi ynë u përqendrua në zhvillimet e fundit në vend, në veçanti në aktin terrorist ndaj Kosovës të sponsorizuar dhe mbështetur nga Serbia. Synimet e tilla dashakeqe nuk mjaftohen vetëm me Kosovën por janë paralajmërim që Serbia ka për qëllim të destabilizoj tërë rajonin. Gjëja më e rëndësishme në këtë moment është që Serbia të mbahet përgjegjëse, t’i dorëzojë terroristët si dhe të rriten garancat e sigurisë në raport me Kosovën që të mbrohet kufiri Kosovë-Serbi nga sulmet e tilla në të ardhmen”, ka thënë Osmani.

“Institucionet e inteligjencës kanë vërejtur se ka pasur një rritje të rrezikut nga grupet kriminale serbe”

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur gjithashtu në takim senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Ëelch, ku pas takimit, në një konfernecë për media, Kurti ka deklaruar se sulmi i 24 shtatorit ka qenë pjesë e një plani më të gjerë për aneksimin e veriut të Kosovës.

“Përfshirja e Serbisë ka ndodhur të paktën në katër shtresa për mbështetjen e sulmeve terroriste në Banjskë. Kemi dëshmi se sulmi ka qenë pjesë e një plani më të gjerë për aneksimin e veriut të Kosovës përmes sulmeve të koordinuara, përmes një themelimi të një korridori për furnizim të armëve në veriun e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Tutje, ai ka thënë se Kosova duhet të bashkëpunojë me aleatët e saj në mënyrë që të parandalohet çfarëdo sulmi i mundshëm, teksa ka theksuar rrezikun në rritje nga grupet kriminale serbe.

“Institucionet tona të inteligjencës kanë vërejtur se ka pasur një rritje të rrezikut nga grupet kriminale serbe. Prandaj të gjitha këto përpjekje për destabilizim duhet të ndërpriten tani, është koha që Serbia të mbahet përgjegjëse”, ka thënë kryeministri i vendit.

Kurti gjithashtu, në një intervistë për mediumin francez “Liberation”, ka thënë se agresioni i Serbisë më 24 shtator, në fshatin Banjskë të Zveçanit, cenoi sovranitetin dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.

“Ky është një akt agresioni i Serbisë, i cili cenoi sovranitetin dhe sigurinë tonë kombëtare. Vlera e armëve dhe pajisjeve të sekuestruara arrin në më shumë se 5 milionë euro. Terroristët kishin harta dhe plane për të sulmuar në 37 pika”, ka thënë Kurti për mediumin francez.

“Potenciali për sulme hakmarrëse ndaj Kosovës, është potencial shumë i madh”

Analisti politik, Gazmir Raci, në një prononcim për Gazetën Enigma, ka theksuar rrezikun e përsëritjes së sulmeve, marrë për bazë faktin se Milan Radojçiq nuk po mbahet në paraburgim dhe nuk po gjykohet nga Serbia.

“Nëse kryeterroristi Radojçiq vahzdon të jetë i lirë dhe nuk po mbahet në paraburgim, dhe nuk po gjykohet nga Serbia, atëherë potenciali për sulme hakmarrëse ndaj Kosovës, është potencial shumë i madh dhe natyrisht që Kosova duhet me pasë kujdes në këtë drejtim, së bashku me partnerët e saj që me vonu shumë më shumë në çështjet e sigurisë”.

Raci ka theksuar edhe zgjidhjet potenciale për të shmangur rreziqet e mundshme, me që rast ka theksuar rëndësinë e krijimit të xhandarmërisë.

“Kosova i ka dy zgjidhje, ose me e themelu xhandarmërinë e saj, e cila do të kishte një mandat edhe për të ruajtur edhe kontrolluar kufirin më Serbinë, ose duhet të punojmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ta hequr atë ndalesën që e ka ushtria e Kosovës për të shkuar në veri. Nëse ndalesa për me qu ushtrinë në veri nuk mund të hiqet, atëherë opsion është themelimi i xhandarmërisë, e cila do të kishte një mandat të veçantë edhe për të ruajtur kufirin edhe territorin e Kosovës”, ka thënë Raci.

Ndërsa, njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi, në një prononcim për Gazetën Enigma, ka thënë gjithashtu se mund të pritet ndonjë veprim që mund të kërcënoj sigurinë e vendit marrë për bazë situatën aktuale.

“Pas futjes së një grupi kaq të strukturuar dhe të pagatitur, pra grupe terroriste e Milan Radojçiqit, të tilla tensione kanë zbuluar edhe qëllimet e grupit dhe ato pikat që kanë dashur të i zhvillojnë në kuptim të shtyrjes dhe veprimeve, pra, kjo tregon që ne duhet të ndërmarrin masa në aspektin e sigurisë, që mund të futet ndonjë grup, apo një veprim tjetër që mund të kërcënoj apo të rrezikojë sigurinë edhe qytetarëve të Kosovës”.

Ibishi për Gazetën Enigma, theksoi edhe faktin që është e rëndësishme që shteti i Kosovës të ketë mundësinë e bastisjes së objekteve të ndjeshme si ato fetare me qëllim të evidentimit të ndonjë grumbullimi ilegal të armëve nga grupet kriminale serbe.

Drizan Shala, poashtu njohës i sigurisë, për Gazetën Enigma ka theksuar gjithashtu faktin se mund të ripërsëritet një rast i ngjashëm me sulmin e 24 shtatorit.

“Pas datës së 24 shtatorit, ku ra heroikisht një nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe u lënduan dy të tjerë, siguria në Republikën e Kosovës mund të themi që është fragjile dhe sipas gjitha gjasave dhe projeksioneve ndërkombëtare të faktorit vendor të sektorit të sigurisë, kanë konstatuar dhe vlerësuar që mund të na ripërsëritet një rast i ngjashëm apo skenar i mundshëm siç ka qenë me 24 shtator, po vetëm në një format më ndryshe”.

“Bazuar në të gjitha projeksionet, të cilat japin skenare të caktuara mund të kemi ndonjë incident, i cili mund të vijë nga brenda komunave me shumicë serbe, të cilat tani më janë nën kontrolle dhe administrim të listës serbe, pra, çdo gjë do të mbetet të shihet në ditët dhe javët e ardhshme në rast se do të kemi ndonjë avancim më të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare përmes dialogimit mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Shala.

Shala potencoi edhe rrezikun e mundshëm që manastiret dhe kishat ortodokse të posedojnë armatim dhe të i shërbejnë logjistikës së grupeve kriminale.

“Bazuar në informacionet zyrtare të cilat i kanë institucionet e Kosovës, por edhe nga deklarimi i deputetes (Alicia Kearns) nga Kuvendi i Britanisë së Madhe, manastiret dhe vendet e tjera të cilat janë të administruara nga kisha ortodokse serbe, sipas gjitha gjasave janë duke u shërbyer grupeve terroriste të Serbisë, si vende logjistike, ku nga këto kisha dhe manastire ata po përgatitisin sulme në drejtim të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.

Shala theksoi, se duhet të mirren masa dhe veprime preventive duke u bërë bastisje këtyre lokacioneve dhe të konstatohet gjendja e tyre, por njëkohësisht të futen nën monitorim nga institucionet e sigurisë. /Gazeta Enigma

Related Articles