Kur pritet të përfundojnë punimet në rrugën Gjilan – Bujanoc, flasin nga Komuna e Gjilanit

Kur pritet të përfundojnë punimet në rrugën Gjilan – Bujanoc, flasin nga Komuna e Gjilanit

Ka afro dy muaj që kur kanë filluar punimet në rrugën Gjilan – Bujanoc, teksa qytetarët disa herë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për kohëzgjatjen e këtyre punimeve, shkruan Gazeta Enigma.

Nga Komuna e Gjilanit kanë konfirmuar për Gazetën Enigma se në bazë të informatave që ata kanë marrë nga Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, punimet pritet të përfundojnë në shtator të këtij viti.

Kështu ka deklaruar shkurtimisht për gazetën drejtori i Shërbimeve Publike në Gjilan, Mentor Mihovci.

Ndërkohë punimet e ngadalshme në këtë rrugë kanë bërë që qytetarët të organizohen për të shprehur pakënaqësitë e tyre.

Një tubim publik për ta kundërshtuar këtë vonesë do të bëhet të shtunën, më 29 prill.

Organizimin e këtij tubimi publik e ka bërë qytetari Endrit Isufi, i cili për Gazetën Enigma, ka treguar arsyjet që e shtynë ta marrë këtë iniciativë.

“Planifikojmë që të tubohemi që të shprehim pakënaqësinë tonë, për zvarritjen dhe vonesat kaq te mëdha për kryerjen e punimeve në këtë rrugë, që është shumë më rëndësi për zhvillimin e jetës tonë normale, edhe ashtu me shumë probleme të perditshme.  I kemi ndermarrë të gjitha veprimet procedurale dhe kërkesën e kemi dorëzuar edhe në Stacionin Policor Gjilan, të hënën, me 24/04/2023”, ka deklaruar ai.

Ai tha se ka afro dy muaj që kur kanë nisur punimet në këtë rrugë me fluks aq të madh të lëvizjeve.

“Rruga është katastrofale siç shihet edhe në foto. Kjo rrugë ka kolona të gjata dhe bëhen prishje të veturave. Rruga ka që dy muaj është në atë gjendje”, shtoi ai.

Isufi tha se ata planifikojnë që tubim të jetë sa më masiv, dhe se tubimi do të zgjatë rreth 30 minuta, afër lokalit të HIB Petrol, në këtë rrugë.

“Po punojmë, që të jemi sa më shumë qytetarë për ta shprehur pakënaqësinë tonë qytetare, për zvarritjen e punimeve për përfundimin e punëve në këtë rrugë. Prandaj, ju ftoj edhe juve dhe mediat tjera që të na mbështetni, të shtunën, më 29/04/2023, ora 13:00, te hapësira te HIB, të grumbullohemi sa më shumë qytetarë. Tubimi publik planifikohet të zgjatë 30 minuta”, përfundoi ai.

Gazeta Enigma ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të cilët nuk kanë kthyer përgjigje. / GAZETA ENIGMA.

Related Articles